Kostoja e jetesës mbi mundësitë e qytetarëve

    Për të siguruar gjërat elementare për një familje katër anëtarëshe, i mungojnë afër 5000 denarë  për mbulimin e harxhimeve të shportës sindikale minimale

    Përllogaritjet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë tregojnë se shporta konsumuese në muajin qershor kishte vlerën e 34.212 denarë në raport me pagën prej 28 721 denarë. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se për të siguruar gjërat elementare për një familje katër anëtarëshe, i mungojnë afër 5000 denarë  për mbulimin e harxhimeve të shportës sindikale minimale. Gati gjysma e shportës sindikale apo 14.548 denarë nevojiten për ushqim dhe pije. Thënë ndryshe, shuma prej afër 556 euro nevojitet  për një familje prej 4 anëtarësh, e cila jeton në banesë prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon veturë. Në këtë vlerë janë llogaritur afër 250 euro për ushqim dhe pije, për banim janë llogaritur 10.0800 denarë, për higjienë afër 2400   denarë, për transport 2500 denarë, për veshmbathje afër 2200  denarë, ndërsa për kulturë 1070 denarë dhe për kujdesin shëndetësor janë llogaritur 733 denarë.

    Nga ana tjetër vetëm në gjashtë muajt e fundit, shporta sindikale minimale është shtrenjtuar për  561 denarë, duke marrë parasysh se vlera e saj në janar ishte  33650,26 denarë, ndërsa në muajin qershor vlera e saj ishte  34211,94 denarë. Në të njëjtën periudhë paga mesatare është rritur për 449 denarë,  apo është rritur nga 28.272 denarë në janar, në 28.721 denarë në muajin maj. Pensionet në këtë periudhë janë rritur për 120 denarë. Qytetarët nga ana tjetër thonë se përkundër rritjes së caktuar të pagave, megjithatë ato akoma nuk po ndjekin rritjen e çmimeve dhe shtrenjtimin e jetesës, dhe aq më pak mbulojnë harxhimet edhe të shportës sindikale.

    Nga Organizata Fajnens Think thonë se rritja e pagës mesatare në raport me shportën në pesë vitet e fundit tregon se pagat kanë pasur rritje më të shpejtë, ku përllogaritjet e tyre tregojnë se në vitin 2016 paga mesatare ka mbuluar 67 për qind të shportës, ndërsa në vitin e  kaluar ajo ka mbuluar 83 për qind të shportës. “Duhet theksuar se edhe këtë shportë minimale nuk mund t’i lejojnë vetes të gjithë familjet, që vlen sidomos për ato me shumë anëtare dhe me paga minimale. Njëherësh këto familje janë të prekura edhe për shkak se në shportë dominon ushqimi dhe pijet, ndërsa pagat e tyre shpesh janë nën mesataren e shtetit”, thotë Bllagica Petrevska nga Fajnes Think .

    Në ndërkohë, në muajt e kaluar shënohet edhe shtrenjtimi i miellit, vajit, dhe shumë produkte themelore për ushqim dhe përgatitjen e ushqimit.  Vetëm vaji është shtrenjtuar nga 65 deri më 100 denarë në varësi prej prodhuesit, ndërsa mielli për dhjetë denarë më shumë. Janë shtrenjtuar edhe çmimet e më shumë artikujve të tjerë ushqimor dhe jo ushqimor. Vlerësohet se rritja e çmimeve të lëndëve të para në rajon dhe më gjerë prej të cilave në një pjesë të madhe varet edhe industria vendore e përpunimit të ushqimit po ndikon edhe në rritjen përfundimtare të ushqimeve në vend. Një pjesë e prodhuesve vendor të vajit thonë se çmimet në rritje në bursë të repromaterialeve,  por edhe prodhimi i pamjaftueshëm vendor shkakton edhe shtrenjtimin e prodhimeve në raftet e dyqaneve.

    Gjithashtu  edhe Enti i Statistikës ka përllogaritur se vetëm në muajin mars ka shënuar rritje prej 3.5 për qind të indeksit të çmimeve të vajit për gatim, në raport me muajin shkurt të këtij viti. Ndërsa, statistika tregon edhe shtrenjtimin e jetesës për popullatën ku në vitin e kaluar shënohet rritje e indeksit të harxhimeve të jetesës me 9.3 për qind për cigare, me mbi 12 për qind për vajin, mbi 3 për qind për qumështin, mbi 2 për qind për mishin etj. Gjithashtu shpenzimet e jetës në qershor të këtij viti, në krahasim me qershorin e vitit të kaluar, shënojnë rritje për 2.7 për qind, ndërsa çmimet me pakicë u rritën për 4.0 për qind, tregojnë të dhënat e  Entit Shtetëror për Statistikë.

    Rritje e indekseve të shpenzimeve për jetë në qershor të vitit 2021, në krahasim me muajin paraprak, është shënuar te pemët e freskëta dhe të ftohura për 15.7 për qind , sheqeri, mjalti, çokollata, marmelata dhe prodhimet e ëmbëlsirave për 0.8 për qind, vaji dhe yndyrërat, prodhimet ushqimore për 0.7 për qind, peshku dhe frutat e detit për 0.6 për qind, mishi, qumështi, uji mineral, pijet e gazuara, lëngjet e pemëve dhe perimet për 0.3 për qind, etj.

    Ndryshe, edhe paga mesatare nuk pasqyron realitetin e pagave për shkak se mbi 40 mijë punëtorë në prodhimin e tekstilit pranojnë paga prej 16.581 denarë dhe në prodhimtarinë e lëkurës pranojnë paga prej 17.652 denarë, tregojnë të dhënat statistikore. Njëherësh, nga totali i të punësuarve në privat dhe punë shteti së bashku, më shumë se 100 mijë punëtorë pranojnë pagën minimale. Gjithashtu, 40 mijë të punësuar në administratën publike pranojnë paga minimale, tregojnë të dhënat e Konfederatës së Sindikatave./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Dëshpërimi i votuesve, i pari në sondazhe

    Lajmi i rradhës

    Biznese të shumta mbesin pa punëtor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë