Dëshpërimi i votuesve, i pari në sondazhe

    Njohësit e proceseve politike vlerësojnë se dalja e ulët në zgjedhje gjatë viteve të fundit, por edhe rezultatet e anketave që tregojnë se qytetarët janë të dëshpëruar nga partitë politike, vjen si pasojë se partitë gati se në çdo cikël zgjedhorë kandidojnë figura të njëjta politike.

    Pakënaqësi ose apati e votuesve, të ngopur nga politika, frikë që publikisht të shprehen qëndrime, përplasje mes partive, problemet dhe nevojat themelore të qytetarëve, ofertë e dobët politike…. Shumë pyetje dhe dilema hapin hulumtimet e reja, numrat, anketat, të cilët tregojnë se shumica e qytetarëve janë të papërcaktuar, përkatësisht nuk kanë ndërtuar qëndrim se për kë do të votojnë, ose më saktësisht nuk do të votojnë për asnjë parti politike. Gazeta KOHA ka analizuar rezultatet nga disa anketa të fundit dhe hulumtime të opinionit publik, ndërsa u konsultuam edhe me njohës të proceseve politike për trendin e uljes së besimit të qytetarëve në partitë politike por edhe për rritjen e të papërcaktuarve. Për disa nga analistët, kjo është një alarm për një bojkot të fshehur në zgjedhjet lokale, për injorimin e partive politike që preokupim të vetëm e kanë se si ta nxijnë oponentin e tyre politik. Disa të tjerë vlerësojnë se qytetarët kanë humbur shpresat se politikanët mund të ua përmirësojnë jetën e tyre, dhe paralelisht me rritjen e përqindjes të papërcaktuarve, zvogëlohet masa kritike, kështu që edhe protestat e rralla, kryesisht nxiten nga qendrat partiake. Numri i votuesve të papërcaktuar në vazhdimësi po rritet në llogari të uljes së popullaritetit dhe reitingut të strukturave politike. Instituti “Brima”  në njërën nga anketat e saja informon se 48.9% nga të anketuarit kanë thënë se nuk kanë besim te asnjë politikan. Kjo anketë ka treguar se 11.2% të votuesve janë të pavendosur dhe nuk dinë se për kë të votojnë, 16.1% nuk do të votojnë, 4.2% nuk dinë se për kë do të votojnë, derisa 9.3% kanë refuzuar të përgjigjen se për cilën parti do të votonin në zgjedhjet e ardhshme.

    Gati se rezultate të njëjta treguan edhe anketat e IRI-t, ku 21% nga të anketuarit janë përgjigjur se nuk dinë për cilin do të votojnë, ndërsa 9% janë përgjigjur se fare nuk do të votojnë. Ndërsa, anketa e MCMS, krahasuar me gjitha anketat e mëparshme nga viti 2016 e tutje, së pari herë mbështetja për dy partitë më të mëdha politike në vend LSDM e VMRO-DPMNE, ka rënë nën 20%. Në mënyrë shtesë, edhe te kjo anketë një përqindje e madhe e të anketuarve, përkatësisht 21.1% janë shprehur se nuk do të dilnin për të votuar, 11.1% refuzojnë të votojnë, ndërsa 6.4% nuk dinë se për kë do votojnë. Ndërkohë analistët thonë se duhet të bëhet dallimi mes votuesve që në anketat janë deklaruar se nuk mbështesin asnjë parti politike dhe politikan, dhe atyre që nuk dinë ose nuk tregojnë se për kë do të votojnë. Votuesit nga kategoria e parë, sipas interpretimeve,  ndjejnë dëshpërim ndaj politikës dhe zgjedhjeve, ndërsa të dytët janë të papërcaktuar. Qytetarët të cilët janë apolitik ose të dëshpëruar nga politika, të cilët nuk besojnë në procedurat demokratike ose janë të bindur se vota e tyre nuk do të ndryshon asgjë, me shumë mundësi nuk do të dalin në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve. Për këtë arsye, fushata parazgjedhore mund të paraqet nxitje për një pjesë të papërcaktuarve që të dalin të votojnë, nëse në atë ditë nuk janë të angazhuar me ndonjë gjë tjetër. Fushatat zgjedhore, sipas njohësve të proceseve politike, kryesisht janë koncentruar në afrimin e votuesve të papërcaktuar dhe përforcimin e qëndrimit të veçmë votuesve të sigurt.

    Analisti politik, Faton Aliti vlerëson se dalja e ulët në zgjedhje gjatë viteve të fundit, por edhe rezultatet e anketave që tregojnë se qytetarët janë të dëshpëruar nga partitë politike, vjen si pasojë se partitë gati se në çdo cikël zgjedhorë kandidojnë figura të njëjta politike.

    “Jemi dëshmitarë se dalja në zgjedhje është në nivele më të ulëta krahasuar me dhjetë apo njëzet vite më herët. Kjo është pasojë e rënies së entuziazmit nga fillimet e pluralizmit, emigrimit të përkohshëm apo të përhershëm por gjithsesi është pasojë edhe e ofertës (qoftë përmbajtësore ose e kandidatëve). Kjo e fundit posaçërisht vlen për zgjedhjet lokale. Mendoj kështu sepse oferta programore e kandidatëve përsëritet pothuajse në tërësi ndërsa ndër kandidatët kemi persona të cilët kandidojnë për të tretën e të katërtën herë, të tjerë të cilët kalojnë nga kuvendi, drejtori të ndryshme, nga qeveria e të tjerë. Pa dashur të nënvlerësoj disa që me të vërtetë kanë qenë të suksesshëm, mendoj se këto rokada dhe kandidime të tre e katërfishta dhe me një ofertë lart e poshtë shabllon , e lodh edhe anëtarin e partisë. Mos flasim për votuesin i cili voton personin dhe ofertën pavarësisht partisë politike.  Është e rëndësishme të theksoj se këto të fundit jo rrallë e përcaktojnë fituesin”, ka deklaruar për KOHA, Faton Aliti, analist.

    Nga ana tjetër, analisti politik, Sefer Selimi thotë se edhe përskaj dëshpërimit të votuesve, do të ketë jehon të madhe të daljes në zgjedhjet lokale. “Ripërsëritja e premtimeve të pa mbajtura nga kampanja në kampanjë, mungesa e inovacionit në komunikim me qytetarët dhe gjithsesi korrupsioni i cili është i shtrirë gjerësisht në të gjithë sistemin e vret besimi e qytetarëve, gjegjësisht votuesve. Megjithatë, duke marrë parasysh që zgjedhjet lokale tangojnë drejtpërdrejtë jetët e qytetarëve dhe shërbimet publike që ndikojnë në kualitetin e jetës kanë pasur gjithmonë jehonë tek votuesit. Edhe përskaj dëshpërimit sërish pres që të ketë pjesëmarrje të lartë në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar për KOHA, Sefer Selimi, analist.

    Lajmi Paraprak

    Bashkëpunim ndërinstitucional me Gjykatën Supreme me temë zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve

    Lajmi i rradhës

    Kostoja e jetesës mbi mundësitë e qytetarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë