KOSTOVSKI REFUZON HAPJEN E PARALELES SHQIPE

    Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski ka refuzuar hapjen e paraleles së tretë me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë në shkollën fillore “Panajot Ginovski” të kësaj komune. Sipas Kostovskit hapja e paraleles së tretë është e panevojshme për shkak se në dy paralelet ekzistuese me mbi 60 nxënës janë pranuar fëmijë të cilët nuk i përkasin Komunës së Butelit.

    “Në përputhje me rajonizimin, regjistruam 40 nxënës të klasës së parë në gjuhën shqipe në shkollën “Panajot Ginovski. Për vullnet të mirë, me rekomandim timin, këshilli u pajtua që të regjistrohen edhe 20 nxënës, të cilët janë jashtë rajonizimit për të plotësuar 2 paralele. Dhe menjëherë pas kësaj erdhën edhe disa nxënës të cilët janë jashtë rajonizimit, për të cilët ne nuk kemi detyrim për t’i pranuar dhe diku numri arriti deri 61-62 dhe mendoj se është shumë joparimore të kërkohet paralelja e tretë. Mendoj se hapin që bëri komuna e Butelit është me të vërtetë në drejtim të një bashkëjetese të mire”, deklaroi Darko Kostovski, kryetar i Komunës Butel.

    Prindërit mbeten në qëndrimin se paralelja e tretë me mësim në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Panajot Ginovski” është më se e nevojshme. Sipas tyre në ketë mënyrë do të lehtësohen edhe dy klasat e tjera, të cilat kanë numër të madh të nxënësve duke shkaktuar vështirësi në realizimin e procesit mësimor. Prindërit kanë paralajmëruar se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë nëse nuk pranohet kërkesa e tyre. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Në hije

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë