Kovaçevski: Maqedonia e Veriut nuk duhet të jetë më në dhomën e pritjes së BE-së

    Dimitar Kovaçevski / Fotografia: AIM

      Njëzet vjet më parë, përfaqësuesit e Maqedonisë ishin Branko Cërvenkovski dhe tani e ndjera Ilinka Mitreva, dhe ky është vendi më i mirë për të dërguar një mesazh se mosmarrja e vendimeve, mospasja e guximit dhe mos pasja e vendosmërisë nuk do ta lëvizë vendin asnjë milimetër të vetëm, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski për AIM pas takimeve në Athinë dhe pjesëmarrjes në darkën joformale kushtuar 20 vjetorit të agjendës së Selanikut, të organizuar nga homologu i tij grek Kirjakos Micotakis.

      Përveç pjesëmarrjes në darkë së bashku me udhëheqësit e BE-së dhe udhëheqësit e shtatë vendeve të tjera të rajonit, Kovaçevski u takua me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Lajen dhe Presidenten e Moldavisë Maja Sandu, ndërsa nga ana tjetër për sot është planifikuar takim me Presidentin ukrainas Volodimir Zelenski.

      Në deklaratë për MIA-n, kryeministri foli për perspektivën e vendit në BE, procesin e ndryshimeve kushtetuese, por edhe për bashkëpunimin rajonal.

      Duke marrë parasysh se darka joformale ishte me rastin e 20 vjetorit të Agjendës së Selanikut për Perspektivën e BE-së në Ballkanin Perëndimor, Kovaçevski u përqendrua në detaje në rëndësinë e së ardhmes evropiane të vendit, duke thënë se vazhdimi i integrimit evropian është “së pari përmes votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, e më pas hapjen e klastereve, kapitujve, mbylljen e klastereve dhe kapitujve, reformimin e shoqërisë sonë dhe anëtarësimin e vendit deri në vitin 2030”.

      “E shihni që te ne ka ende politikanë, siç ka pasur në të kaluarën në lidhje me faktin se një vendim i tillë nuk duhej të merrej, dhe se duhej pritur, madje edhe kryetari i opozitës do të deklarojë se është gati të presë 10, 20 vite, etj. Konfirmimi më i mirë se si duket pritja në një dhomë pritjeje është ky takim i veçantë këtu, sepse takimi i Selanikut u zhvillua saktësisht 20 vjet më parë. Në takimin e Selanikut 20 vjet më parë, pjesë e Ballkanit Perëndimor ishte Kroacia, ishte një Samit-BE me Ballkanin Perëndimor, e në Ballkanin Perëndimor ishte Kroacia.  Së bashku me Kroacinë, ne filluam anëtarësimin tonë, aderimin në BE në vitin 2006”, theksoi kryeministri.

      Ai shtoi se Kroacia tani është anëtare e BE-së, anëtare e Shengenit dhe një vend në të cilin euro është mjet pagese, “e ne ende kemi politikanë që thonë se duhet të presim.”

      “Ashtu siç Kroacia është bërë tashmë shtet anëtar i BE-së, nëse nuk marrim vendime dhe nëse kemi politikanë që thonë të presim, atëherë do të ndodhë që Mali i Zi dhe Shqipëria të shkojnë përpara nesh dhe në fund do të mbetemi vetëm në shoqërinë e Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës. Unë them se Maqedonia e Veriut nuk duhet të qëndrojë në shoqërinë e Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës. Këto janë vende që ende kanë probleme në definimin e shteteve dhe fëmijët tanë nuk e meritojnë që vendi i tyre të jetë në këtë shoqëri për sa i përket integrimit evropian, kështu që ne kemi nevojë për vendime tani për hir të së ardhmes së brezave të tanishëm dhe të ardhshëm”, theksoi Kovaçevski.

      Kryeministri mbrëmë zhvilloi takim me Presidenten e KE-së Fon der Lajen, ndërsa për MIA-n shpalosi se ata kishin diskutuar perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe për çështjet rajonale.

      Lidhur me ndryshimet kushtetuese që janë tashmë në procedurën parlamentare, Kovaçevski tha se të dy shprehën kënaqësinë që procesi kishte filluar.

      “Procesi ka filluar me sukses dhe shpresoj, ashtu siç shpreson edhe BE-ja, se do të ketë një vizion dhe guxim në Kuvendin tonë që deputetët të marrin një vendim të rëndësishëm në lidhje me vazhdimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, sqaroi Kovaçevski.

      Në takim, ata diskutuan gjithashtu planin e zhvillimit për Ballkanin Perëndimor, të promovuar personalisht nga Presidentja e KE-së, në drejtim të rritjes së burimeve financiare për financimin e projekteve rajonale në vendet e rajonit, rritjen e bashkëpunimit, kryesisht për procesin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të të gjitha vendeve në BE, ndërsa paralajmpëroi  edhe vizitën e Von der Lajen në Shkup, si dhe vizitën e tij në Bruksel.

      Lidhur me faktin nëse ka “plan B” nëse opozita nuk zbrapset nga pozicioni aktual, kryeministri shprehet se “e njëjta opozitë ishte edhe kundër vendimeve në lidhje me anëtarësimin në NATO”, dhe tani “shohim se sa domethënëse ishin vendimet që u morën për anëtarësim”.

      Ai shpjegoi se falë këtyre vendimeve, Maqedonia e Veriut është anëtare e aleancës më të madhe ushtarake të mbrojtjes në botë dhe “kjo është veçanërisht e dukshme në kushtet kur ka luftë në Evropë.”

      “Nëse shikojmë efektet ekonomike të anëtarësimit në NATO, vitin e kaluar kemi nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte. Kemi rritjen më të lartë të pagës mesatare, rritjen më të lartë të pagës minimale, rritjen më të lartë prej 26 për qind të pensioneve në vetëm një vit e gjysmë. Ky është rezultat i një mjedisi të qëndrueshëm politik dhe të sigurisë në vend që lejon investitorët të njohin Maqedoninë e Veriut si vend për investimet e tyre”, sqaroi Kovaçevski.

      Paralelisht, ai iu referua asaj që do të thoshte anëtarësimi në BE, duke thënë se vendet që u bënë anëtare në pesë vitet e para të anëtarësimit kishin një rritje pagash prej 70 deri në 100 për qind, PBB-ja u rrit me 80 deri në 90 për qind, numri i vendeve të punës u rrit, por edhe numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në ato shtete.

      “Këto janë përfitimet ekonomike, BE u krijua si bashkësi ekonomike evropiane. Këtë e meritojnë qytetarët dhe kompanitë tona. Ata nuk meritojnë të presin vazhdimisht. E pamë se si dukej pritja. Pritëm 11 vjet. Në vend të zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Greqinë, ne e shtymë atë dhe në fund ajo u zgjidh me një zgjidhje më të keqe që mund të ishte zgjidhur në vitin 2008. Edhe tani nuk është ndryshe”, porositi kryeministri.

      Ai theksoi se “ne kemi një kornizë të qartë negociuese me një gjuhë të mbrojtur maqedonase, një identitet të mbrojtur maqedonas me çështje dypalëshe përtej kritereve të pranimit në BE dhe tashmë është duke u përfunduar edhe skriningu në shumicën e kapitujve.”

      “Raportet tashmë janë duke u përgatitur dhe i mbetet shtetit, lidershipit politik dhe të gjithë aktorëve të tjerë në shoqëri të bëjnë reformat e nevojshme që do ta bëjnë shtetin vendin më të mirë për të jetuar për qytetarët e Maqedonisë. Qytetarët maqedonas kanë provuar dhe treguar se duan të jetojnë në BE. Megjithatë, ata duan të jetojnë në BE Maqedoninë e Veriut, vendlindjen e tyre, dhe të mos blejnë pasaporta nga shtetet e huaja, me ato pasaporta të shkojnë për të punuar në Gjermani, Itali dhe Francë vetëm sepse ato vende janë anëtare të BE-së”, theksoi kryeministri për MIA-n.  

      Kryeministri Dimitar Kovaçevski u takua me presidenten e Moldavisë, Maja Sandu në Athinë, Greqi, sipas një kumtese zyrtare për media.

      Kovaçevski u takua gjithashtu me presidenten moldave Maja Sandu, e cila tha se ishte me kërkesën e Sandut “duke marrë parasysh se vendi po përgatitet për fillimin gjithnjë e më të sigurt të bisedimeve me Bashkimin Evropian”

      “Duke ditur se Maqedonia e Veriut tashmë ka ndërtuar kapacitete serioze në fushën e integrimit evropian, në fushën e përdorimit të fondeve IPA, në fushën e përdorimit të fondeve IPARD, harmonizimin e legjislacionit me BE-në, ne jemi një nga vendet me të cilat ajo donte të bisedonte në lidhje me ngritjen e kapaciteteve në Moldavi në mënyrë që ata të jenë më të përgatitur për të mirëpritur fillimin e procesit të tyre”, tha kryeministri.

      Në darkën e mbrëmshme në Pallatin e kryeministrit në Athinë, ku mori pjesë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, Kovaçevski i tha MIA-s se ai përsëriti mbështetjen e tij për Ukrainën “në luftën për të ruajtur pavarësinë dhe vetëvendosjen e popullit ukrainas, por edhe një herë riafirmoi nevojën për zgjerimin e BE-së me të gjitha vendet e rajonit”. 

      Për sot, është caktuar takim i kryeministrit Kovaçevski me Presidentin ukrainas Zelenski, i cili është për një vizitë zyrtare në Greqi, e përveç pjesëmarrjes në një darkë joformale dje, ai gjithashtu u takua me kryeministrin grek dhe presidenten greke.

      Lajmi Paraprak

      Telekom Maqedoni dhe A1 Maqedoni, mbyllin sytë para klientëve që paguajnë për “shërbime” të padëshiruara

      Lajmi i rradhës

      Rreth 500 fëmijë kanë vdekur nga uria që nga fillimi i luftës në Sudan

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë