Kovaçevski mburret për Qeverinë e re në përballimin e sfidave | Mickoski e quan Qeveri narcizoide

    Për opozitën Qeveria e Kovaçevskit është narcizoide, pasi masat që u miratuan dje në Kuvend ishin propozim i VMRO-DPMNE-së para tre javësh. Kështu tha nga Sveti Nikolle kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski.

    “Nuk mendoj se janë në kohë dhe nuk mendoj se do ta përmirësojnë situatën në mënyrë dramatike. Përkundrazi, në mënyrë shtesë shkakton frustrim te populli dhe sot askush nuk beson në kapacitetin e kësaj Qeverie“, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Edhe këtë fundjavë kryeministri Dimitar Kovaçevski mbajti fjalim para mediave, pa lejuar pyetje nga gazetarët. Ai thotë se Qeveria e re në 50 ditët e fundit ka treguar se di t’i përballojë sfidat.

    “I subvencionojmë qytetarët për energjinë elektrike, e zgjidhëm problemin me ngrohjen në Shkup, u dhamë mbështetje financiare kategorive në rrezik për rrymë dhe blerje të produkteve bazë, kurse përmes një sërë masash i mbajmë stabile çmimet e produkteve bazë. Me pakon e re prej 26 masash, 400 milionë euro nga buxheti janë të orientuara për mbështetje të qytetarëve dhe kompanive”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Por, oponenti i tij nuk pajtohet me këtë. Ai thotë se ka dy botë paralele.

    “Këto janë dy botë paralele. Njëra ku jeton shumica e qytetarëve të Maqedonisë, e ajo është bota ku njerëzit mezi ia dalin dhe mezi e kalojnë muajin. Dhe bota ku shumë pak shërbyes të Zaevizmit ku tani i pari është Kovaçevski, jetojnë dhe përfitojnë në kurrizin e qytetarëve. Njëra botë është reale, e tjetra është ajo paralele në të cilën qytetarët jetojnë në Zaevizëm, kurse i udhëheq Kovaçevski“, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Nga LSDM-ja thotë se po ballafaqohen me sfidat, duke e theksuar masën për rritje të pagës minimale në 18.000 denarë dhe masën, për siç thonë, “rritjen rekorde të pensioneve”.

    “Me masat e hoqëm TVSh-në për produktet bazë ushqimore, do të jetë 0%. Në këtë masë janë përfshirë: buka, mielli, vaji, qumështi, sheqeri, mishi, vezët dhe orizi. Në mënyrë shtesë i heqim edhe detyrimet doganore për import të produkteve bazë ushqimore. E ngrijmë marzhën për produktet bazë me qëllim që të mos ketë përfitim tejet të madh mbi kurrizin e qytetarëve. Me këto masa e zbusim goditjen e çmimeve për produktet kryesore ushqimore“, tha Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së. /tv21/

    Lajmi Paraprak

    Filloi 37 vjet më parë, por ende nuk ka përfunduar spitali në Kërçovë

    Lajmi i rradhës

    Rrëfimi i një nëne shqiptare nga Maqedonia dhe “rrëmbimi” i fëmijës nga Suedia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë