Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim të plotë për rastin e dy të rinjve të moshës 21 dhe 23 vjeç, të cilët, sipas deklaratave të tyre, u keqtrajtuan brutalisht nga policia. Sipas informacionit, raporti i brendshëm i policisë pohon se të rinjtë ia morën armën një zyrtaru policie, ndërsa, sipas deklaratave të tyre, arma përfundoi në automjetin e tyre pasi policia ua theu xhamin. Ata gjithashtu deklarojnë se policia qëlloi me armë, preu gomat e automjetit të tyre dhe më pas i keqtrajtoi, pasi ua lidhi duart dhe i detyroi të shtriheshin përtokë, përcjell Nistori.
Nga BDI kërkojnë hetim të menjëhershëm për të hedhur dritë të plotë mbi ngjarjen, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga zartarët e policisë, dhe kërkojnë dorëheqjen e zëvendësministrit të Brendshëm, Astrit Iseni.
“Kërkojmë hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga ana e zyrtarëve policorë. Heshtja dhe mungesa e përgjegjësisë nuk janë opsion! BDI kërkon dorëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale për këtë rast. Të drejtat e qytetarëve dhe dinjiteti i tyre nuk mund të shkelen nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë”, thuhet në reagim.
Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me pretendimet e BDI-së për të rinjtë e rrahur: Po konstatohen faktet dhe përgjegjësia e mundshme e zyrtarëve policorë.




