Kovaçevski në KB: Maqedonia e Veriut krijoi model për demokraci multietnike me zakone të mira diplomatike dhe marrëdhënie të mira fqinjësore

      Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Shtetet e Bashkuara, mori pjesë në panelin e organizuar me rastin e 30 vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara. Kovaçevski foli për temën e Diplomacisë parandaluese, ndërmjetësimit dhe politikës së miqësisë së Maqedonisë së Veriut që nga fillimi i viteve 1990 e deri tani, njofton AIM, përcjell Nistori.

       “Mendoj se mund të bëjmë më mirë se kaq, por nëse shikojmë tre dekada mbrapa, mund të them se kemi arritur shumë dhe e kemi arritur këtë së bashku. Këtu kemi edhe gjeneralë nga ushtria e OKB-së që kanë qenë me ne që nga dita e parë, kemi ambasadorë që shërbyen në Shkup, në Beograd, të cilët gjithashtu mbështetën rrugën tonë drejt Republikës moderne të Maqedonisë së Veriut, anëtare e NATO-s dhe anëtare të ardhshme të BE-së. Prandaj, dua t ‘ju falënderoj të gjithëve, në emër të Qeverisë, në emrin tim dhe në emër të qytetarëve, për gjithçka që keni bërë për vendin dhe qytetarët e tij në të kaluarën dhe çfarë do të bëni në të ardhmen. Këtu në tryezë janë miqtë e shtetit tonë”, tha Kovaçevski.

      Ai shton se pranimi në Kombet e Bashkuara 30 vjet më parë, është përmbushja e ëndrrës së gjeneratave – të jetojnë në një shtet të lirë, sovran dhe të pavarur, të ankoruar fortë në familjen botërore të kombeve. Maqedonia e Veriut, thekson Kovaçevski, padyshim do të vazhdojë të forcojë pozicionin e saj dhe të bëhet faktor më aktiv paqeruajtës në qendrat e politikave ndërkombëtare, siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara.

      “Parimet mbi të cilat Maqedonia e Veriut zbaton politikën e saj të jashtme janë shprehje e politikës së brendshme të vendit për të ndërtuar dhe ruajtur një demokraci multikulturore dhe përfshirje të vazhdueshme të diversitetit në proceset demokratike, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e bashkësive të ndryshme etnike dhe grupeve të rrezikuara. Kultura e dialogut dhe kompromisit, njëherësh duke insistuar në parandalimin në zgjidhjen e të gjitha kontesteve, shkon paralelisht me angazhimin tonë për multilateralizëm aktiv dhe efektiv”, ishte decid Kovaçevski.

      Kujdesemi dhe kontribuojmë në forcimin e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, në nivel kombëtar, rajonal dhe global, duke e përcaktuar veten si partner të dukshëm dhe aktiv në OKB. Në këtë rrugë, theksoi ai, gjatë tre dekadave të fundit, ne krijuam partneritete me shumë vende që mendojnë njësoj si ne.

      “U bëmë anëtare e NATO-s. Përfundimi i integrimit drejt BE-së, drejt të cilit po bëjmë përpjekje të përkushtuar, do të paraqesë fundin e rrugës së gjatë që filloi me referendumin e pavarësisë në vitin 1991 dhe pranimin e mëvonshëm të vendit tonë në KB, 30 vjet më parë. Kjo rrugë nuk ishte e lehtë fare. Ishte një rrugë plot vetëpërmbajtje, këmbëngulje në mbështetjen e parimeve dhe politikave të paqes, bashkëpunimit dhe miqësisë, si dhe vendosmërisë për t ‘iu përmbajtur atyre madje edhe në kohët më të vështira.

      Duke iu referuar atyre ditëve historike, kur ka qenë 18 vjeç,  ai mes tjerash kujton, se ai është larguar nga vendi me dinarë jugosllavë, ndërsa kur është kthyer, shprehet ai, dollarët e fundit që i fitova në SHBA i shkëmbeva për denarë maqedonas.

      “Kështu unë personalisht i kujtoj 30 vitet e fundit. Megjithatë, të gjithë ne së shpejti u bëmë të vetëdijshëm se fitimi paqësor i pavarësisë është vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe të parrafshtë për vendin tonë, sepse asnjë tjetër në rajon, e unë do të thosha në Evropë, nuk duhej të merrte vendime të vështira, të bënte përzgjedhje të vështira, e të gjithë ato të jenë të drejta për të ardhmen e vendit. Aq më tepër: vetë fakti që, ndryshe nga republikat e tjera në ish-Jugosllavi, ne arritëm të arrijmë deri te pavarësia jonë në mënyrë paqësore, gjë që konsiderohej si mrekulli! Me një distancë prej 30 vjetësh, mendoj se mund të flasim nëse jo për mrekulli, atëherë me siguri për një lloj recete origjinale maqedonase për paqe. Përbërësit kryesorë të kësaj recete për paqe ishin tejet të thjeshtë; disa prej tyre janë pjesë e titullit të këtij paneli: diplomacia, e përgjithshme, por edhe parandaluese, ndërmjetësimi dhe fqinjësia e mirë. Shtojini kësaj urtësinë politike, tolerancën, kulturën e dialogut dhe gatishmërinë për kompromis, dhe ja ku është historia e suksesshme maqedonase”, tha Kovaçevski në fjalimin e tij.

      Sigurisht, shprehet ai, është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.

      “Kishte tundime të panumërta për të devijuar: në disa pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, përpjekjet për t ‘u shkëputur shkaktuan valë serioze nacionaliste që çuan në dhunë ekstreme, krime masive dhe spastrim etnik. Rruga maqedonase ishte krejtësisht e ndryshme. Kiro Gligorov, presidenti ynë i parë, me mençuri dhe shkathtësi udhëhoqi vendin, së bashku me ekipin e tij, përmes të gjitha sfidave dhe vështirësive, duke kombinuar vullnetin për pavarësinë e popullit, të shprehur qartë në referendumin e 8 shtatorit 1991, me durim, mençuri dhe vendosmëri për të shmangur të gjitha kurthet për të hyrë në rrethin vicioz të konfrontimeve dhe konflikteve”, shprehet kryeministri.

      Këtu, vendimi për të ftuar dhe për të qenë nikoqir i misionit të parë dhe të vetëm parandalues të OKB-së, theksoi Kovaçevski, ishte vendimtar. Misioni i UNPREDEP, një veprim i urtë dhe i kujdesshëm për të parandaluar derdhjen eventuale të luftërave të tërbuara rreth nesh, ishte akti i parë dhe i suksesshëm i diplomacisë parandaluese që është bërë ndonjëherë! Duke i shprehur merita të plota Presidentit të ndjerë Gligorov, Kovaçevski ka potencuar se ishte i nderuar që ishte njëri nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë, i pari dhe më pas ministër i Punëve të Jashtme, Prof. Denko Maleski.  
       
      Me hyrjen në OKB më 8 prill të vitit 1993, theksoi Kovaçevski u vendos një precedent në OKB, për të pasur një vend të pranuar në Organizatë nën referencë të përkohshme e cila më pas u përdor për shtetin për 27 vitet e ardhshme.

      “Nën patronazhin e KB-ve dhe me emërimin e dy ndërmjetësuesve të Sekretarit të Përgjithshëm, Sajrus Vens dhe Metju Nimic, për të cilin më vjen mirë që arriti të na bashkohet sot dhe të marre pjesë në këtë panel, filluan bisedimet ndërmjet Greqisë dhe vendit tonë për dallimet mbi emrin, ndërsa përfundimisht mbaruan përmes ndërmjetësimit, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës në qershor të vitit 2018. Për ne ky ishte një kompromis i vështirë dhe i dhimbshëm. Megjithatë, me këtë, vendi ynë dëshmoi se përmes përdorimit të diplomacisë dhe dialogut, mirëkuptimit dhe tolerancës, si dhe kompromisit, mund të zgjidhen madje edhe çështjet më të vështira, e në këtë mënyrë, të hapen perspektiva të reja për miqësi dhe bashkëpunim. Në drejtim të njëjtë, gjatë tridhjetë viteve të anëtarësimit në KB, Maqedonia e Veriut gradualisht ka zgjidhur çështjet e hapura me fqinjët e saj përmes përdorimit të një politike të fuqishme dhe të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë”, tha kryeministri.

      Ai shtoi se duhet të përmend edhe të gjithë liderët e vendit tonë që kanë marrë këto vendime të vështira.

      “Unë jam i fundit në mesin e tyre, i cili në këtë moment ka nderin dhe përgjegjësinë për të udhëhequr Qeverinë, dhe duke qenë pjesë e bisedimeve vitin e kaluar për të filluar bisedimet e aderimit dhe procesin e skriningut me BE-në, mund të them se marrja e vendimeve kundër të cilave janë 80% e opinionit publik, të krijuar nga histeria e atyre që nuk duan ta shohin vendin të integruar në NATO dhe BE, mund të them se ky  nuk është një vendim i lehtë”, theksoi kryeministri Kovaçevski. 

      Ai para të gjithë të pranishmëve u ka shprehur respekt të gjithë liderëve të vendit tonë, Kiro Gligorovin, presidentit Trajkovski që udhëhoqi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, kryeministrat që udhëhoqën proceset e tranzicionit të vendit tonë në të kaluarën, ish-kryeministrin Zoran Zaev që mori atë që, siç tha, ishte vendim i guximshëm sepse nuk ishte një vendim i lehtë.

       “Për ne, kjo, siç e thashë, ishte një kompromis i vështirë. Por me këtë, vendi dëshmoi se përmes përdorimit të diplomacisë dhe dialogut, mirëkuptimit dhe tolerancës, si dhe përmes kompromisit, mund të zgjidhen madje edhe çështjet më të vështira dhe mund të hapen perspektiva të reja për bashkëpunim dhe miqësi. Në të njëjtën mënyrë, gjatë këtyre 30 viteve të anëtarësimit në KB, Maqedonia e Veriut gradualisht ka zgjidhur çështjet me fqinjët e saj duke përdorur një politikë të vendosur dhe të përhershme të fqinjësisë së mirë”, tha Kovaçevski.

      Diskutimi u mbajt në selinë e KB-ve në Nju-Jork, në të cilin morën pjesë edhe Lubomir Fërçkovski, përfaqësues i përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në KB, Metju Nimic, diplomati amerikan dhe i dërguari i posaçëm i OKB-së për kontestin e emrit, Xhon Bagot, kolonel në pension, komandant i batalionit amerikan në UNPREDEP, Miroslav Jença, ndihmës sekretari i përgjithshëm për çështje politike i OKB-së dhe Denko Maleski, ministri i parë i Punëve të Jashtme të shtetit tonë.

      Lajmi Paraprak

      Sot është ditëlindja e Gjergj Kastriot – Skënderbeut

      Lajmi i rradhës

      Çfarë ndikimi kanë video-lojërat te zhvillimi i fëmijëve?

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë