Kovaçevski: Propozimi francez është brenda vijave tona të kuqe

    Procesi i konsultimeve të gjera vazhdon, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas takimit me partnerët e koalicionit në Qeveri. Kryeministri tha se të gjithë kryetarët e partive politike nga koalicioni kanë pasur qëndrim burrështetas për çështjen e propozimit francez, përcjell Nistori.

    “Diskutimi në takim ishte konstruktiv, të gjitha diskutimet ishin politike. Për gjithçka që kishim përpara si detyrim për të mbrojtur dhe siguruar të ardhmen e vendit, të gjithë presidentët shprehën qëndrimin e tyre. Të gjithë kanë pasur qëndrim burrështetas, mund të them lirisht. Procesi vazhdon edhe pas kësaj konference për shtyp. Me takime me presidentin e shtetit, pasuar me koordinim me kryetarin e Kuvendit që procesi të vazhdojë atje.” – tha Kovaçevski dhe shtoi se do të ketë një takim tjetër ku do të ndërtohet një qëndrim i përbashkët.

    Ai konfirmoi se propozimi francez, në përputhje me interesat strategjike të vendit për anëtarësim në BE, duhet të pranohet, pra të votohet në Kuvend.

    “Nuk mund të komentoj autenticitetin e asaj që shkruhet në mediat bullgare, disa thonë se ka, disa thonë se nuk ka dallime. Por duhet të dini se parlamenti bullgar miratoi një rezolutë të re në krahasim me atë të mëparshme, e cila ishte kufizuese dhe që lejon heqjen e vetos. Ky është një propozim që do të shkojë në Kuvend sipas rregullimit tonë kushtetues.” – u përgjigj Kovaçevski para medias.

    Për zëvendëskryeministrin për integrime evropiane, Bojan Mariçiq, korniza e negociatave nuk do të rëndohet me çështje historike rreth mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

    Kovaçevski ka thënë për media se qëndrimi sot është shumë më i favorshëm për ne dhe se vijat e kuqe të Maqedonisë janë ruajtur.

    “Procesi është transparent dhe ne do të ndajmë detaje publike. Pas këtij takimi, i gjithë propozimi do të publikohet në faqen e internetit. Vendimi për të ardhmen tonë do të merret nga ne mbi parimin e qëndrimeve të përbashkëta dhe bazës meritore, sipas pozicionit strategjik të vendit.” – siguroi kryeministri.

    Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një kumtese përshëndeti siç theksuan, rolin konstruktiv të presidencës franceze për gjetjen e  zgjidhjes së pranueshme në kontestin e vendit tonë me Bullgarinë fqinje dhe vlerëson që propozimi i dhënë në formën e ideve për zgjidhje është bazë e mirë për të përmbyllur kontestin dhe për të zhbllokuar rrugën tonë evropiane.

    Paraprakisht, Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE në konferencë për shtyp, theksoi se propozimi në thelb është i njëjtë dhe se është i pafavaroshëm për shtetin dhe nuk i zgjidh kontestet me Bullgarinë. Ai kërkoi nga Qeveria që të publikohet propozimi.

    Kovaçevski paraprakisht bëri thirrje për përgjegjësi nga të gjithë aktorët relevant të shoqërisë, pasi spekulimet për çështje të rëndësishme shtetërore dhe nacionale nuk janë për të mirën e askujt.

    “Prej këtu, u bëj thirrje të gjithë aktorëve politik dhe mediave të mbështeten në informacionet zyrtare nga institucionet. Kërkoj konstruktivitet dhe mbështetje nga të gjitha palët, për të sjellë vendim të menduar mirë në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në statusin në Facebook profilin e kryeministrit Kovaçevski.

    Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

    Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

    Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    I kujt është qyteti?

    Lajmi i rradhës

    Sulmohen punonjësit e NP “Parkingu i Qytetit” në Tetovë, sulmuesi raportohet në polici

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë