Kovaçevski: Radevi të merret me reformat në Bullgari

    Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev tha se “Shkupi duhet ta mësojë leksionin” dhe se Maqedonia e Veriut po kthehet në të njëjtën rrugë përpara kornizës negociuese – duke lobuar në kryeqytetet dhe institucionet evropiane për të mbuluar shkeljet e të drejtave të njeriut, mungesën e reformave dhe gatishmërinë për fillimin e negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “Aktualisht, lobimi është intensifikuar sërish, por Bullgaria do të vazhdojë të punojë me të gjitha institucionet evropiane, me partnerët tanë evropianë, në mënyrë që zgjidhjet për Republikën e Maqedonisë së Veriut të mos bazohen në lobim, gjë që fsheh mungesën e reformave, e cila fsheh shkeljen e thellë të të drejtave të njeriut”, tha Radev.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski, të cilit iu kërkua të komentojër këtë deklaratë të Radevit, sot theksoi se ende nuk e ka parë deklaratën dhe se nuk ka çfarë të komentojë.

    “Unë nuk e kam parë deklaratën dhe nuk do të kisha asgjë për të komentuar. Maqedonia e Veriut ka qëndrime shumë të qarta jo vetëm brenda BE-së, por edhe brenda NATO-s. Ne jemi një vend që e kemi harmonizuar 100 për qind politikën e tij të jashtme me BE-në, një vend që vendimet në NATO i merr në baza të barabarta me vendet e tjera, përfshirë së bashku me Bullgarinë. Ne, vërtet, çdo vit kemi raporte evropiane për progresin e reformave, mendoj se presidenti i shtetit fqinj duhet të merret më shumë me reformat në vendin e tij”, theksoi Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

    Deklaratat e presidentit bullgar, me gjasë kanë ardhur pas sulm ndaj bashkëkryetarit të shoqatës së bullgarëve në Maqedoni “Shemeto”, Bekir Kadrieski, banor i fshatit Llabunishtë,më 13 qershor.

    Në lidhje me sulmin  në fjalë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, e cila bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga kualifikimet e parakohshme deri në zbardhjen e plotë të rastit.

    Në janar të këtij viti pati sulm të ngjashëm kur u sulmua shtetasi i RMV-së në Ohër, Hristijan Pendikov. Ai poashtu ishte shtetas i Maqedonisë, i cili deklarohet si bullgar dhe është sekretar i klubit bullgar “Car Boris Treti” në Ohër.

    Lidhur me incidentin MPJ bullgare dërgoi notë proteste përmes ambasadores së Maqedonisë së Veriut, Agnesa Rusi Popovska, ndërsa më pas u mbajtën protesta para ndërtesës së Komisionit Evropian (KE) në Sofje për të mbrojtur të drejtat e bullgarëve në vend. Demonstruesit, të mbështetur nga partitë nacionaliste Prerodba dhe VMRO, kërkuan që BE të ndalojë menjëherë negociatat me Shkupin.

    Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

    Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

    Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

    Lajmi Paraprak

    Shumë të pastrehë në Maqedoni – pa dokumente personale

    Lajmi i rradhës

    Ramiz Merko në listën e zezë amerikane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë