Kriteret për rektorin e ri të UT-së janë diskriminuese dhe të kundërligjshme

    Zgjedhjen e rektorit të ri në Universitetin e Tetovës e shoqërojnë një sërë shkeljesh potenciale të ligjit për Arsim të Lartë dhe Statutit të këtij institucioni. Kriteret që duhet t’i plotësojë kandidati për rektor janë diskriminuese dhe të “dizajnuara” në mënyrë të kundërligjshme si për t’i shkuar për shtati ndonjë kandidati specifik apo për të pamundësuar kandidaturën potenciale të ndonjë profesori të interesuar, edhe atë:

    Kriteret e domosdoshme për të kandiduar rektor në Universitetin e Tetovës

    • Të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut
    • Të jetë nga radhët e profesorëve të rregullt (ordinar), me së paku 15 vjet përvojë pune si kuadër mësimor
    • Kompetenca për kryerjen e funksionit rektor, edhe atë: Menaxhimi i proceseve në arsimin e lartë, gjë që konfirmohet edhe nga mosdhënia e dorëheqjes nga ndonjë pozicion drejtues të bartur brenda njësive të Universitetit.

    Por përkundër kësaj, as në Ligjin për Arsim të Lartë e as në Statutin e Universitetit të Tetovës nuk ka asnjë nen i cili lejon vendosjen e kritereve shtesë. Madje sipas dokumentit më të lartë të UT-së, Statutit, thuhet se “rektori zgjidhet sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin për Arsim të Lartë”,  ndërsa kriteri i vetëm në ligj është që kandidati të jetë nga radhët e profesorëve të rregullt.

    Nga Universiteti i Tetovës thonë se kriteret shtesë i kanë vendosur nga ana e Senatit të universitetit, pa treguar se cila dispozitë ligjore ua mundëson këtë.

    “Në të vërtetë, kandidati për rektor duhet të jetë shtetas i RMV-së dhe të jetë nga radhët e profesorëve ordinarë, që korrespondon me kohëzgjatje prej më së paku 15 vjet, që nevojiten për secilën thirrje mësimore-shkencore dhe të bashkëpunëtorit, që i paraprijnë zgjedhjes në thirrjen mësimore-shkencore profesor ordinar. Kompetencat të cilat duhet t’i posedojë një kandidat për rektor, po ashtu, janë të vendosura nga ana e Senatit të Universitetit, si organ më i lartë i Universitetit, me të drejtë autonome për të vendosur në bazë të kompetencave autonome universitare në vendimmarrjen e pavarur”, thonë nga Universiteti i Tetovës.

    Me këtë Senat, i cili sipas UT-së është “i pavarur” aktualisht udhëheq ish-rektori i këtij universiteti, Vullnet Ahmeti. Mësojmë se Inspektorati i Arsimit po heton në qoftë se konkursi për rektor dhe çdo vendim tjetër i ndërmarrë nga Senati aktual i këtij universiteti dhe dy ushtruesve paraprak të detyrës së rektorit, Vullnet Ahmeti dhe Kushtrim Ahmeti është i ligjshëm pasi që kontestuese është edhe zgjedhja e tyre në këto detyra, duke shkelur çdo afat ligjor dhe nen tjetër të Statutit për mënyrën e zgjedhjes.  Meqë në disa prej ankesave që kanë arritur deri te Inspektorati ka elemente të kryerjes së veprës penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, kërkuam përgjigje nga Prokuroria Publike nëse kanë hapur lëndë ose jo, deri në këtë moment nuk kemi marrë përgjigje.

    Ndërkohë sipas ligjit, ministri i Arsimit dhe Shkencës, në këtë rast Jeton Shaqiri, nëse konstaton shkelje ka të drejtë të ndërpresë konkursin për rektor të UT-së dhe vendimin ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Nga MASH për Alsat thanë se janë në pritje të rezultateve të Inspektoratit të Arsimit.

    “Në rrjedh është mbikëqyrja e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në UT në lidhje me konkursin për përzgjedhjen e Rektorit. Pasi të përgatitet raport do të ndahen më tepër informacione për opinionin”, thanë nga Ministria e Arsimit.

    Konkursi për rektor të Universitetit të Tetovës është shpallur më 18 maj, ndërsa do të mbyllet më 29 maj. Rektori i ri detyrën duhet ta marrë vitin e ardhshëm akademik, përkatësisht më 15 shtator. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Vendimi për dëmshpërblimin e “branitellave” shkakton reagimin e veteranëve të UÇK-së

    Lajmi i rradhës

    “PUÇ” NË BFI? | Shaqir Fetahu të dielën pas mesnate ka shkarkuar pesë anëtarë të Rijasetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë