VLEN: e mbështesim Arkin Jahijin në rrethin e dytë në Bërvenicë

    Koalicioni VLEN ka riafirmuar mbështetjen për kandidatin e AKI-së, Arkin Jahiji, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës, duke theksuar se respekton vullnetin e qytetarëve të shprehur në votimet e 18 tetorit. Megjithatë, nga ky koalicion kanë adresuar kritika ndaj retorikës së opozitës, të cilën e cilësojnë si përçarëse dhe të dëmshme për bashkimin e votuesve shqiptarë, përcjell Nistori.

    Në reagimin e VLEN-it thuhet se kandidati i tyre, Jakup Huseini, së bashku me shtabin lokal, e ka uruar Arkin Jahijin menjëherë pas përfundimit të votimit, duke i ofruar mbështetje për garën e radhës.

    “Banorët e Bërvenicës folën më 18 tetor dhe ne e respektojmë këtë vendim. Që në përmbyllje të votimit, kandidati ynë Jakup Huseini, bashkë me shtabin lokal, ia uruan fitoren Arkin Jahijit dhe i ofruan mbështetje për rrethin e dytë”, thuhet në reagim.

    Nga VLEN-i vlerësojnë se përgjegjësia për mobilizimin e elektoratit në rrethin e dytë tashmë i takon Jahijit dhe koalicionit që e mbështet. Njëkohësisht, shprehin shqetësimin se deklaratat e ditëve të fundit nga opozita mund të ndikojnë negativisht në bashkimin e votuesve.

    “Konsiderojmë se vokabulari i opozitës këto ditë nuk i shërben unifikimit. Fjalori nxitës dhe përçarës, sulmet ndaj kandidatit tonë përkundër konstruktivitetit të tij, ka për qëllim të arrijë efektin e kundërt”, theksohet në reagim.

    Koalicioni VLEN paralajmëron se nuk do të përfshihet në atë që e quan lojëra politike në dëm të qytetarëve të Bërvenicës, ndërsa insiston se votuesit e tij janë orientuar drejt mbështetjes së kandidatit shqiptar në rrethin e dytë.

    “Nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë e lojërave të pista në kurriz të banorëve të Bërvenicës”, thuhet në reagim.

    Në fund, VLEN-i drejton akuza ndaj BDI-së, duke paralajmëruar se çdo marrëveshje eventuale politike që do të cenonte vullnetin e votuesve do të konsiderohej tradhti.

    “Çdo përfshirje e Bërvenicës në pazare politike, siç e ka dëshmuar BDI-ja në të kaluarën, do të jetë tradhëti ndaj votuesve të tyre dhe çdo qytetari të Bërvenicës”, përfundon reagimi i VLEN-it.

    Lajmi Paraprak

    BE-ja i përgjigjet Rusisë: e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë