Kritikat e VMRO-së ndaj BDI-së janë për të elektrizuar maqedonasit

    VMRO-DPMNE-ja ka vazhduar akuzat ndaj zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi duke pretenduar në dyshime për hapjen e bizneseve familjare me vlera milionëshe falë shfrytëzimit të ndikimit politik. Deputeti Mile Lefkov akuzoi vëllain e Grubit për blerjen e hapësirës afariste rreth gjysmë milioni euro, duke ngritur dyshimet nëse për blerjen e objektit në rrugë e njohur “Maqedonia” Grubi ka shfrytëzuar autoritetin e tij politik. Ndërkaq, edhe BDI-ja ka ashpërsuar gjuhën kundër ish partnerit disa vjeçar në Qeveri, VMRO-DPMNE-së pas akuzave të kësaj të fundit drejtuar zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe funksionarëve të tjerë integristë mbi dyshime për përfshirje në afera korruptive.

    Në reagimin e BDI-së thuhet se VMRO-DPMNE-ja është organizatë kriminale e vërtetuar sipas tyre me aktvendim gjyqësor.

    “Organizata kriminale e konfirmuar nga gjykata, VMRO DPMNE e Hristijan Mickoskit u shndërrua në nxitës të një narrativi antishqiptar në shoqërinë tonë dhe po garon me Të Majtën e Apasievit për sulme raciste. VMRO DPMNE e Mickoskit është partia e vetme në vend të cilës gjykata i ka ngrirë të gjitha pasuritë për shkak të konfirmimit se është organizatë kriminale. Kryetarët e komunave të kësaj VMRO DPMNE të Mickoskit potencojnë se kanë udhëzime nga Mickoski, i njohur si ‘shpicen komandant’, që të mos lëshojnë vërtetime për legalizimin e shtëpive të shqiptarëve në komunat e tyre në përputhje me ligjin dhe nën asnjë kusht të mos angazhojnë kompani të shqiptarëve në komunat e tyre, si dhe të mos lëshojnë leje ndërtimi për shkak të politikave demografike raciste”, thonë nga BDI.

    Njohësit e proceseve politike thonë se kritikat e fundit të VMRO-së ndaj Grubit, i bëjnë shërbim këtij të fundit sepse tërheqë vëmendjen nga lufta brendapartiake të cilin e ka me “Grupin e Zjarrit”.

    “Në fakt kritikat e VMRO-DPMNE i bëjnë shërbim edhe vetë asaj, por edhe Artan Grubit. VMRO-DPMNE po ashpërson retorikën kundër shqiptarëve duke përdorur BDI në mënyrë indirekte për këtë qëllim, ndërkaq për Grubin kjo është më se e mirëpritur sepse tërheq vëmendjen nga lufta e brendshme të cilën e ka me Grupin e Zjarrit. Sa i përket opozitës shqiptare, Lëvizjes BESA dhe Alternativa, ato për momentin kalkulojnë se në cilën drejtim do të vendosin zhvillojnë politikat e tyre, prandaj edhe qëndrojnë indiferente”, ka deklaruar për KOHA, Sefer Selimi, analist.

    Tradicionalisht në Maqedoninë e Veriut, nëse pushteti gjithnjë ka qenë në koalicion ndëretnik në mes partive shqiptare dhe maqedonase, opozitarizmi ka qenë i ndarë, gjegjësisht partitë maqedonase e kanë kritikuar vetëm pjesën maqedonase të pushtetit, ndërsa partitë shqiptare e kanë kritikuar vetëm pjesën shqiptare të pushtetit, thotë Rilind Dauti, opinionist.

    Sipas tij, arsyeja përse ka qenë kështu është fakti se partitë e njërës apo tjetrës etni nuk kanë hyrë në terrenin elektoral të tjetrës, kështu që nuk e kanë parë të dobishme të bëjnë opozitarizëm të tillë.

    “Situata ndryshoi kur nën parullën ‘Një Shoqëri për të Gjithë’ LSDM e Zaevit pati apetite edhe për votat e shqiptarëve, ashtu që nisi ta sulmojë BDI-në përderisa kjo ishte në qeveri me DPMNE-në, pastaj edhe gjatë zgjedhjeve kur edhe vet LSDM ishte në qeveri me BDI-në. Sa i përket VMRO-DPMNE-së sulmet ndaj BDI-së nuk vijnë nga motivi i tërheqjes drejt vetes së votuesve të BDI-së (sepse e dinë që asnjë shqiptar që e ka qoftë dhe vetëm një pikë dinjiteti asnjëherë nuk do të votonte për DPMNE-në apo Të Majtën) por e sulmojnë BDI-në për shkak se duan ta prekin në tel elektoratin maqedonas që shiheni sa pushtet kanë marrë shqiptarët përderisa kryeministër ka qenë Zaevi dhe Kovaçevski, ndërsa përmes akuzave për korrupsion të zyrtarëve të BDI-së, ata sërish përpiqen të luajnë në kartën etnike, sepse e dinë që një pjese të madhe të elektoratit që shtetin e konsiderojnë vetëm të maqedonasve, në veçanti iu dhemb nëse privilegjet shtetërore i keqpërdorin edhe shqiptarët”, shprehet Rilind Dauti, opinionist.

    Ndryshe, VMRO-DPMNE-ja ka reaguar ndaj qëndrimit të BDI-së duke i kujtuar Artan Grubit se dyshimet për afera korruptive nuk kanë të bëjnë asgjë me qasjen e VMRO-së kundër shqiptarëve, por sipas tyre me krimet e Grubit në dëm të qytetarëve. VMRO madje kujton Grubin për kohën e kaluar në selinë e tyre. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mbi 31 mijë shqiptarë kërkuan azil në Europë në 2022, shifër rekord që nga 2015-a!

    Lajmi i rradhës

    Pacientët me kancer në RMV përballen me mungesë të barnave dhe terapi të parregullt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë