Pacientët me kancer në RMV përballen me mungesë të barnave dhe terapi të parregullt

    Në vendin tonë, rreth 6000 njerëz mesatarisht diagnostikohen me sëmundjen e kancerit e cila është sëmundja e dytë me e zakonshme në Maqedoni. Mungesa e barnave, terapia e parregullt, listat e gjata të pritjes për termin, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen pacientët me sëmundje malinje në vend. Milica Kuzmanovska nga Shoqata për ndihmë dhe përkrahje të pacientëve me sëmundje hematologjike “Hema”, thotë se problemet fillojnë që në momentin kur duhet të caktohet termin për ekzaminim tek specialisti.

    “Ndonjëherë disponueshmëria e një takimi për ekzaminimin specialist është e mundur vetëm pas një muaji, dhe ndonjëherë kërkon më shumë kohë dhe ata pacientë që kanë mundësi financiare e kërkojnë zgjidhjen në spitalet private, por duke folur për sistemin tonë shëndetësor, kjo nuk është zgjidhje”, thotë Kuzmanovska.

    Një problem tjetër i hidhur për pacientët është disponueshmëria e terapisë. Për dallim nga vendet evropiane, Maqedonia është vonë në blerjen dhe sigurimin e barnave të reja moderne për sëmundjet malinje.

    “Në vendin tonë pacientët me kancer trajtohen më së shumti me kimioterapi. Kur udhëtojmë jashtë vendit për kongrese dhe edukim, aty përdoren terapi shumë më moderne, duke përfshirë imunoterapitë, të cilat ne e dimë se janë vërtet të shtrenjta, por shteti duhet të sigurojë fonde për këto barna, sepse duke i përdorur për trajtimin e këtyre sëmundjeve, shumë jetë do të shpëtoheshin sepse në vendin tonë, për fat të keq, pacientët ende vdesin nga kanceri, gjë që nuk ndodh në vendet e tjera moderne dhe të avancuara”, shton Kuzmanovska.

    Mjekja Vjosa Reçica nga ISHP  thotë se më së shpeshti diagnostikohet kanceri i gjirit, më pas kanceri i lëkurës, pastaj kanceri i mushkërive.

    “Mesatarisht, në Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2012-2021 ka 6908 raste të reja në vit. Kjo është mesatarja për 10 vjet. Domethënë ka mesatarisht 333 persona të sëmurë me kancer për 100 mijë banorë. Në të njëjtën kohë, 54,2 për qind e rasteve janë meshkuj dhe 45,8 për qind femra. Shkaku i parë i vdekjes tek meshkujt është kanceri i mushkërive, kurse tek femrat kanceri i gjirit”, thotë mjekja Reçica.

    Ndërkohë, Klinika e Onkologjisë është ende në një auditim shtetëror të funksionimit të saj, pasi në opinion dolën dyshime për rishitjen e mundshme të citostatikëve në këtë klinikë.

    Ministri i Shëndetësisë në largim, Bekim Sali, e kishte dërguar auditimin dhe kishte kërkuar dorëheqjen e drejtorit. Ai ka përmendur si arsye borxhin prej 12 milionë eurosh të klinikës, që e vendos atë në top 5 debitorët në vend. Auditimi është ende në vazhdim dhe pas përfundimit të tij, raporti do të jetë në dispozicion të publikut, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, ende po zhvillohet debati në Parlament për rikonstruimin e Qeverisë dhe aktualisht nuk ka ministër të Shëndetësisë.

    Por problemi i mungesës së barnave për pacientët me kancer mbetet i njejtë. Për njerëzit, jeta e të cilëve varet nga mjekimi, terapitë vonohen vazhdimisht. Ministria e Shëndetësisë pohon se po punohet për tejkalimin e problemeve me procedurat e tenderit.

    “Për këtë qëllim tashmë është formuar një këshill mjekësor onkologjik, përmes të cilit përfshihen pacientë me indikacion të përshtatshëm për këtë lloj terapie. Këshilli mblidhet, sipas nevojave, të paktën një herë në javë, si një nga mënyrat për avancim në këtë segment dhe mbulim më të mirë të pacientëve me terapi. Po ashtu, protokollet onkologjike për mjekim janë duke u përditësuar, sipas mjekësisë së bazuar në dëshmi dhe mundësive aktuale brenda buxhetit të Klinikës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    DIABETIKËT NË TETOVË TRE JAVË PA INSULINË

    Për javën e tretë, në farmacitë spitalore në vend nuk ka dy lloje insuline. Gjithashtu nuk ka shirita, me të cilët pacientët monitorojnë gjendjen e sheqerit në gjak. Nga Shoqata e qytetarëve me diabet thonë se shumë pacientë janë të prekur nga kjo situatë. Dushko Ignevski, kryetar i Shoqatës së qytetarëve me diabet në Tetovë, thotë se problemi nuk është i ri, se pothuajse çdo muaj ka vonesë, por në muajin aktual ai personalisht nuk ka marrë terapi fare.

    “Unë duhet ta marr me datë 6 të çdo muaji, dy herë nuk kam marrë, madje as nuk ka njoftime se do të marrim. Mundohemi të huazojmë insulinë nga ata që kanë dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Në krahasim me vitet tjera, mendoj se ky është viti më i vështirë”, tha Ignevski.

    Nga Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve, kërkojnë nga autoritetet ndryshimin e procedurave burokratike, për të marrë në kohë insulinën që do të thotë jetë për ta. Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë megjithatë, thonë se pacientët me terapi të insulinës janë të mbuluar.

    “Bëhet fjalë vetëm për një lloj të insulinës, që tani një kohë janë harxhuar sasitë, për të njëjtën ka analog të asaj, kështu që pacientët me insulinë janë të mbuluar. Gjithashtu tashmë është shpallur thirrje publike për sigurimin e sasive të reja të insulinës”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Sipas të dhënave të fundit, në RMV ka 44.500 persona me terapi të insulinës. Ndërsa 600 janë fëmijë deri 18 vjeç.  /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kritikat e VMRO-së ndaj BDI-së janë për të elektrizuar maqedonasit

    Lajmi i rradhës

    DËNIMET GJATË PANDEMISË | A do të falen shkelësit e masave?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë