KRIZA GODET BIZNESET | Pa rroga mbesin 32 mijë punëtorë

    Në muajin shkurt afër 12.500 punëtorë kanë mbetur pa paga, ndërsa në muajin mars kjo shifër është rritur në 32 mijë punëtorë që nuk kanë fituar pagat e tyre. Apo me fjalë të tjera në muajt shkurt dhe mars mbi 45 mijë punëtorë nuk kanë realizuar të ardhurat e tyre mujore.

    Nga Drejtoria për të Ardhura Publike, thonë se janë ndërmarrë të gjitha masat për pagat e shkurtit, ndërsa tani po rrjedhin edhe afatet e caktuara për paga e muajit mars, duke shtuar se presin që të zvogëlohet numri i atyre kompanive që nuk kanë plotësuar obligimet e tyre. Nga DAP, thonë se nuk ekzistojnë analiza se a bëhet fjalë për të njëjtat firma që në të dy muajt nuk kanë paguar pagat, mirëpo vlerësojnë se gjasat janë të mëdha që të ketë një përputhje të caktuar. Sipas ligjit, kompanitë që nuk plotësojnë obligimet së pari paralajmërohen, ndërsa në pas ballafaqohen me bllokadë.

    Disa nga punëdhënësit kanë dorëzuar formularët për llogaritjen e pagës që nuk e kanë paguar, ndërsa të tjerë nuk kanë dorëzuar fare dokumentet përkatëse për llogaritjen e pagës në DAP.

    Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se nuk bëhet fjalë për kompani të mëdha, por për kompani të vogla ku disa prej tyre kanë më pak se tre vite që punojnë dhe kanë probleme financiare në funksionimin e tyre. “Punonjësit nuk duhet të presin me muaj që kjo të ndodhë, por nevojitet që menjëherë pas skadimit të 3 muajve të nisin procedurat e falimentimit për të mbrojtur kërkesat e tyre, sepse në raste të tilla kur kompania nuk ka mundur të paguajë rroga për 3 muaj resht, ajo kompani vështirë se mund të mbijetojë në treg”, thotë Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.

    Sipas tij, bizneseve të vogla ju mungojnë mjete qarkulluese dhe ndodh që nuk kanë mundësi të paguajnë pagat, andaj duhet të rritet edhe tavani për hapjen e një firme nga 5000 euro që është në kundër vlerë të denarit. Duhet të shqyrtohen edhe mundësia që vetë të punësuarit të ngrenë çështjen e procedurës falimentuese pas tre pagave të papaguara me çka do të mbrohen punëtorët dhe borxhlinjtë.

    Edhe në vitet e kaluara si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, krizës energjetike dhe asaj nga pandemia, uljes së qarkullimit etj, punëtorët kishin mbetur pa paga në periudha të caktuara. Vetëm në muajin prill të vitit 2022, afër 90 mijë punëtorë nuk kishin marrë pagat e tyre. Bizneset ankohen se në kohë paqartësie por edhe të rritjes së pagës minimale, të rritjes së kostos së punës, e kanë të rënduar tejmase punën e tyre të përditshme.

    Sipas të dhënave të DAP, në muajin mars 2022 mbi 4000 kompani nuk kishin dorëzuar fare përllogaritje pagash , ndërsa mbi 3000 kompani I kishin kanë dorëzuar ato por nuk kishin paguar pagën në afatin e caktuar. Në prill 2022, shifrat u rritën ku mbi 6000 kompani ishin pa përllogaritje dhe 16000 kompani nuk e përmbushën afatin e pagesës së pagave. DAP intervenoi me bllokimin e llogarive të një pjese të kompanive, që edhe pas paralajmërimit nuk I paguan pagat.

    Njëherësh në vitin e kaluar më shumë kompani i kanë paguar pagat edhe pas datës 15 të muajit aktual si obligim ligjor, apo pas paralajmërimit nga DAP.

    Nga ana tjetër, shoqata “ Punëtori i zëshëm i tekstilit” pretendon se zhvillimet dhe rritja e pagës minimale nuk janë arsyeja e mos pagesës së pagave. Sipas tyre, ky problem vazhdon prej vitesh dhe duhet zgjidhur.

    “Sistemi i pagimit të pagave nuk funksionon prej vitesh dhe nuk respektohet afati ligjor për pagesën e tyre. Jo se paga minimale e rritur e bën këtë. Ky është një problem që vazhdon prej vitesh. Në fund, pas mos pagesës së pagave edhe pas disa muajsh, siç kemi raste, vetëm punëtori mbetet i dëmtuar dhe mund t’i kërkojë ato në një proces gjyqësor, por i njëjti jo gjithmonë është efektiv, nëse kompania është e bllokuar dhe mbyllet”, thonë nga shoqata “ Punëtori i zëshëm i tekstilit”. Bile shtojnë se ekzistojnë më shumë raste kur po gjenden mënyra dhe forma të ndryshme vetëm që të mos paguhen pagat. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Veterineri Selmani: Tash për tash qentë endacakë në Tetovë janë një rrezik potencial – nuk janë të vaksinuar edhe trajtuar

    Lajmi i rradhës

    Ivanovska flet hapur: Gjykatësi që ka ruajtur lëndën “Target-Fortesa” ka marrë para dhe i ka ndarë, ndërsa ata që i kanë marrë paratë e kanë propozuar të avancohet në Gjykatën Supreme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë