KRIZA NË BUJQËSI | “Korrëm grurin, por jo edhe problemet!”

    As rendimenti i këtij viti nuk do të plotësojë nevojat e brendshme për grurë andaj dallimi do të kompensohet nga importi. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, janë korrur 267 mijë tonë grurë, ndërsa nevojat në vend në nivel vjetor janë rreth 320 mijë ton. Por ajo që po i shqetëson bujqit edhe më shumë është çmimi i ulët i blerjes së grurit, për shkak të të cilit, siç thonë ata, kultivojnë gjithmonë e më pak nga kjo kulturë edhe pse është strategjike. Nga ana tjetër, çmimi i grurit është rritur për 30 përqind në mbarë botën.

    Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se deri më tani janë korrur 267 mijë tonë grurë. Nga aty sqarojnë se marrin të dhëna për sipërfaqen e korrur në baza ditore, kështu që rezultatet përfundimtare do të ishin shumë më të mëdha. Ata theksojnë se për shkak të sulmit të hakerëve në sistemin e Ministrisë, ditët në vazhdim do të ketë infomacione të detajuara për grurin.

    Memet Sinani, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Federatës Kombëtare të Fermerëve, ka thënë për mediat se gruri aktualisht blihet 17-19 denarë për kilogram, çmim që sipas tij, është shumë i ulët duke pasur parasysh rritjen e çmimeve dhe krizën ekonomike.

    “Çmimi real për një kilogram grurë që fermerët të kenë fitim, të mbjellin dhe korrin, duhet të jetë 27-28 denarë. Për të arritur në produktin përfundimtar – kërkohet pleh, i cili është më i shtrenjtë, si dhe nafta për korrje. Kërkojmë që shteti të paguajë diferencën në çmim, plus 25 për qind që të ketë fitime për fermerin, nëse çmimi i shitjes është më i ulët se çmimi i prodhimit, por ai rregull ligjor nuk zbatohet. Kemi kërkuar që shteti të blejë grurë nga ne për rezerva dhe jo nga importi. Po kërkojmë edhe krijimin e një Fondi të Ndërhyrjes”, thotë Sinani.

    Sipas tij, kjo është një fatkeqësi për fermerët dhe do të reflektohet vitin e ardhshëm kur do të ketë shumë më pak grurë të mbjellë. Sinani informon se sivjet, sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë janë shumë më të vogla se vitin e kaluar.

    “Çdo qeveri e vendit ka bërë strategji afatgjate, megjithatë rezultate nuk ka pasur. Nëse vazhdon kështu, vendi do të humbasë edhe grurin si produkt strategjik”, përfundon Sinani.

    Ndryshe, ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikolovski në mars tha se 100.000 hektarë tokë të punueshme në vend janë të pashfrytëzuara, që është rreth 20 për qind e tokës së punueshme në Maqedoni, kështu që çdo tokë bujqësore do të vihet në shfrytëzim për të rritur prodhimin vendor të drithërave. Sipas tij, tashmë është përgatitur një plan me masa afatmesme dhe afatgjata për rritjen e prodhimit vendor. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka rritje të pagave para vitit të ri në RMV

    Lajmi i rradhës

    Kërcënimet e Putinit rrisin vigjilencën e institucioneve në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë