Politikani hungarez Peter Magyar deklaroi se ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i dënuar për vepra penale, nuk duhet të qëndrojë në Hungari, informon BGNES, përcjell Nistori.
Ai shtoi se vendet e tjera evropiane duhet të ekstradojnë çdo kriminel politik hungarez që përpiqet të largohet jashtë vendit, në frymën e bashkëpunimit evropian.
Magyar i bëri këto komente pas fitores dërrmuese të partisë së tij, Tisza, ndaj Viktor Orbán dhe partisë së tij Fidesz, sipas raportimeve të BGNES.
Ai kritikoi ashpër vendimin e qeverisë së Orbánit për t’u dhënë azil politikanëve polakë Zbigniew Ziobro dhe Marcin Romanowski, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Sipas tij, ky është një precedent i rrezikshëm dhe bëri një paralele të drejtpërdrejtë me rastin e Gruevskit, i cili gjithashtu mori azil në Hungari gjatë qeverisjes së Orbánit.
Magyar theksoi se Hungaria nuk duhet të shndërrohet në strehë për kriminelë ndërkombëtarë dhe se kjo vlen jo vetëm për politikanët polakë, por edhe për Gruevskin, të cilin e cilësoi si të dënuar penal.
Në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, Fidesz pësoi humbje të thellë. Në parlamentin e ri me 199 vende, partia e Magyarit do të ketë 138 vende, Fidesz 55, ndërsa partia pro-ruse Mi Hazánk gjashtë mandate.
Nikolla Gruevski, i cili shërbeu si kryeministër nga gushti 2006 deri në janar 2016, u dënua në shtator 2018 me dy vjet burg. Disa ditë para arrestimit, më 12 nëntor 2018, ai u largua ilegalisht nga Maqedonia e Veriut me ndihmën e strukturave hungareze, duke kaluar nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Në të njëjtin muaj, qeveria e Viktor Orbán i dha azil përmes një procedure të përshpejtuar.
Gruevski dhe ish-presidenti Gjorgje Ivanov konsiderohen si figurat kryesore pas projektit të ashtuquajtur të “antikizimit”, i cili ndikoi në izolimin ndërkombëtar të vendit dhe ngadalësoi rrugën e tij euroatlantike. Ai gjithashtu kishte rol në promovimin e lidershipit aktual të VMRO-DPMNE-së.






