”Situata me korrupsionin në Maqedoni është shumë serioze”

    Kryetarja e Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK), Biljana Ivanovska, sot në konferencën për shtyp kushtuar asaj që është bërë në vitet 2019-2020, theksoi se situata me korrupsionin është shumë serioze.

    Ajo theksoi se ende ka rreziqe të korrupsionit që tashmë janë shënuar në Strategjinë kombëtare për parandalim të korrupsionit dhe konflikt të interesit, të cilat vihen në pah në raportet e institucioneve ndërkombëtare.

    Ndikimi i theksuar politik, sundimi gjegjësisht mos sundimi i ligjit, mungesa e dënimit, integriteti si personal ashtu dhe institucional, transparenca e pamjaftueshme, si dhe paqartësitë në legjislacion janë rreziqe për korrupsion.

    “Më së shumti raportohen për punësime të paligjshme, lëshim të lejeve të ndryshme, vendime për ndërtim, koncesione, ekzistenca e konfliktit të interesit edhe gjatë vendimeve gjyqësore. Problemi më i ngutshëm është në pjesën e punësimit; shumica e raporteve, më shumë se 30 përqind, i referohen procesit të punësimit, abuzimit me të drejtën diskrecionale të menaxhuesit. Për menaxhuesit, faktori vendimtar në përzgjedhjen e kandidatëve dhe intervista nuk janë gjithmonë suksesi dhe pikët e fituara, aq më shumë që as me ligj as me akte tjera nënligjore nuk është rregulluar mënyrën e realizimit të intervistës përmes pyetjeve të strukturuara dhe evolucionit të saj”, tha Ivanovska.

    Sektorët që perceptohen me rrezikun më të lartë të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe mundësinë e konfliktit të interesit janë gjyqësori, pushteti ekzekutiv, institucionet që vendosin në sferën e planifikimit urban dhe komunat.

    Lidhur me rastet aktuale, KSHPK ka hapur një lëndë për kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov për blerjen shkallës për brigadën e zjarrfikësve që do të shqyrtohet sikurse të gjitha lëndët. Sipas Ivanovskës, nuk është në rregull që ai të ngrejë akuza për veten e tij për dyshim  për korrupsion, sepse kjo nuk korrespondon me dispozitat e ligjit tonë.

    KSHPK ka hapur lëndë edhe për kryetaren e Këshillit gjyqësor, Pavlina Crvenkovska, ndërsa është zgjeruar hetimi ndaj Dragi Rashkovskit.

    Komisioni është afër fundit lidhur me lëndën për blerjen e vaksinave për kovid-19. Anëtari i KSHPK-së, Goran Trpenoski informoi se Antikorrupsioni ka pranuar nga Banka Popullore dokument për pagesa të realizuar prej shtatë milionë e 800 mijë dollarë për import të mallrave, gjegjësisht  Ministria e Shëndetësisë i ka paguar më 15 Shkurt, ndërsa Banka Popullore i ka realizuar atë në favor të “Stabri International” nga Hong Kong.

    “Qeveria, në koordinim me qeverinë e Kinës, përmes Ambasadës Kineze në Maqedoni, pas bisedimeve ka vendosur të ndërpret aktivitetet dhe ka kërkuar kthimin e mjeteve, gjë që është realizuar me kthimin e fondeve. Qeveria për të bërë operacional vendimin e saj, më 16 mars e ka ngarkuar  Ministrinë e shëndetësisë të pezullojë të gjitha aktivitetet për realizim të konkluzioneve të seancës 8-të, gjegjësisht paratë që u transferuan te “Stabri” janë kthyer dhe nuk është bërë asnjë pagesë. Qeveria pastaj ka nënshkruar marrëveshje të drejtpërdrejt me prodhuesin “Sinofarm”, tha Trpenoski. /Meta/

    Lajmi Paraprak

    Ambasadorja Bërns me porosi deri te liderët e qeverisë

    Lajmi i rradhës

    Në Shkup arrestohet një i kërkuar për vrasje të kryer në Turqi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë