KShZ: komunat ta respektojnë Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren për pagesën e kompensimeve

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) shpreh shqetësim serioz në lidhje me vonesën dhe pagesën jo të plotë të kompensimeve për anëtarët e organeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 nga ana e disa komunave të Shkupit dhe u bën apel kryetarëve të komunave dhe Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) për respektim konsekuent të dispozitave ligjore gjatë realizimit të këtyre pagesave.

    “Edhe pse mijëra qytetarë i kanë kryer detyrat e tyre në mënyrë profesionale, me përgjegjësi dhe në përputhje me standardet më të larta, është e papranueshme që ata ende të përballen me detyrime të parregulluara ose me përpjekje për të ulur në mënyrë të paligjshme shumat e parapra. Në këtë drejtim, KSHZ-ja deklaron qartë se çdo vendim me të cilin në mënyrë të pavarur revidohet lartësia e kompensimeve është juridikisht i pabazuar dhe i pavlefshëm”, thanë nga KSHZ.

    Organi i vetëm kompetent për miratim të Rregullores për kompensime është Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në përputhje me nenin 31 të Kodit Zgjedhor. Ky akt është i detyrueshëm për të gjitha subjektet dhe zbatimi i tij selektiv përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe rrënon dinjitetin e administratës zgjedhore.

    “Edhe pse pjesa më e madhe e komunave në vend i kanë përmbushur tashmë detyrimet e tyre ligjore, është shqetësuese fakti që një pjesë nga komunat e Shkupit ende po e vonojnë këtë procedurë, pavarësisht udhëzimeve në kohë për planifikimin e këtyre fondeve në buxhetet komunale që nga korriku i vitit të kaluar. Për më tepër, ju kujtojmë se në përputhje me nenin 88, paragrafi 4 i Kodit Zgjedhor, fondet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale sigurohen nga buxhetet e komunave”, thonë nga KSHZ.

    Me qëllim mbrojtjen e të drejtave të administratës zgjedhore, që është thelbësore për integritetin e çdo procesi zgjedhor, si dhe për të parandaluar shpenzimet shtesë në barrë të buxheteve komunale për shkak të padive tashmë të paralajmëruara nga anëtarët e organeve zgjedhore, KSHZ-ja inicon një takim urgjent koordinues me drejtuesit e BNJVL-së  dhe kryetarët e komunave të prekura, i cili pritet të mbahet gjatë kësaj jave me qëllim tejkalimin e problemeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë për këtë çështje.

    Lajmi Paraprak

    Milanoviqi i mbylli derën Vuçiqit dhe i dëmtoi të gjithë

    Lajmi i rradhës

    Mendi Qyra emëroi drejtor pa arsim të përshtatshëm, MPB ngre kallëzim penal

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë