200 pajisjet e para për identifikimin e votuesve nëpërmjet shenjave të gishtave u shkarkuan në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Gjatë periudhës së ardhshme, pajisjet do të mbushen më të dhëna fiktive dhe do të testohen. Me to do të trajnohen trupat zgjedhor. Gjatë gjithë procesit, inxhinierët e kompanisë prodhuese gjermane do të jenë në ndihmë të teknikëve të KSHZ-së.
Përskaj pajisjeve, ne blemë edhe shërbimin. Ata (nga Dermalog) do të jenë këtu dhe do ta përfundojnë procesin deri në fund sepse inxhinierët tanë nuk i njohin këto pajisje. Kjo është hera e parë dhe hera e parë ështe gjithmonë më e vështira. Ne jemi vendi i vetëm që s’kemi bërë program pilot. Gjithçka që do të ndodhë, do të ndodhë atëherë (në ditën e votimit) dhe do ta shohim si do të kalojmë”, tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.
Gjithsej KSHZ-ja duhet të pranoje 4 mijë pajisje të këtilla. Kreu i këtij institucioni, Dashtevski, është i bindur se procesi do të zhvillohet në kohë.
Kjo dinamikë qëndron në marrëveshje dhe do te zbatohet në mënyre shumë precize me 1 ose 2 ditë përjashtim për shkak të vonesave, problemeve me dokumentacionin, etj., megjithatë gjithçka do të zbatohet ashtu siç u tha. Presim që në 1 tetor të vijë dërgesa e fundit. Mund të vonojë vetëm 2-3 ditë, gjë që nuk do të thotë asgjë për procesin në përgjithësi”, pohoi Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.
Për herë të parë në zgjedhjet lokale të tetorit, identifikimi i zgjedhësve do të jetë biometrik. Pajisjet e reja në vendvotime do të identifikojnë votuesit nëpërmjet shenjave të gishtave. Ata nuk do të jenë të kyçura në internet por do të punojnë me softuer të integruar të të dhënave, kështu që institucionet besojnë se nuk mund të hakohen ose manipulohen. Mënyra e këtillë e votimit nuk praktikohet në vendet me demokraci të zhvilluar por vetëm në vendet me zhvillim më të ulët, ku manipulimi zgjedhor ka paraqitur problem, si: Armeni, Brazil, Kolumbi, Kosta Rikë, Nigeri, Filipine, Tanzani dhe Zimbabve.
Ky ndryshim në mënyrën e votimit ishte kusht i opozitës i cili u pranua edhe nga pushteti. Votimi biometrik pritet të shmangë rastet e votimit të dyfishtë ose votimit në emër të dikujt tjetër. Me mënyrën klasike ose atë të regjistrimit dhe kontrollimit të votuesve në mënyrë manuale do të votohet vetëm më 16 tetor, në ditën kur do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit dhe të burgosurit./Alsat/