Informohu me detajet e fundit rreth procesit zgjedhor

    Sot në vend po mbahen Zgjedhjet për kryetarë komunash dhe këshilltarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Lista e Votuesve përfshin 1,832,415 votues të cilët pritet të votojnë në 3,474 qendra votimi në vend për 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista kandidatësh. Nistori më poshtë do t’iu informojë për çdo gjë rreth procesit të votimit.

    Mickoski: kemi fitore që në raundin e parë në mbi 30 komuna, përfshi dhe Strumicën

    Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski shpalli fitoren në mbi 30 komuna, përfshi edhe atë të Strumicës. Për fitoren në këtë komunë që njihej si bastion i LSDM-së, Mickoski tha se kemi pritur gati 20 vjet.

    LSDM: jemi në epërsi dhe presim fitore në shtatë komuna

    “Jemi në epërsi në Qendër, Kriva Pallankë, Probishtip, Çuçer Sandevo, Çeshinovë dhe Obleshevë, Krivogashtanë dhe Bogdancë. Një garë e ngushtë zgjedhore po zhvillohet në NEgotinë, Vallandovë, Makedonska Kamenicë, Rankovcë dhe Lozovë. Në Dojran gjithashtu jemi në epërsi, por me shumë gjasë do të ketë edhe rreth të dytë”, deklaroi Dimitrijeviq.

    “Nuk arrita t’i bind qytetarët e zhgënjyer”

    Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, doli para mediave pas publikimit të rezultateve zgjedhore, duke deklaruar se nuk arriti të fitojë besimin e mjaftueshëm të qytetarëve për të sjellë ndryshimin e dëshiruar.

    VMRO shpalli fitore në 18 komuna

    Vllado Misajlovski i VMRO-DPMNE-së shpalli fitore në Kisella Vodë, Ohër, Radovish, Berovë, Gjorçe Petrov, Gazi Babë, Pehçevë, Dellçevë, Prilep, Manastir, Gjevgjeli, Sopisht, Shtip, Veles, Butel, Aerodrom, Jegunovcë, Vevçan. Ai theksoi se Orce Gjorgjievski është në prag të fitores në Shkup.

    Bilall Kasami prin në Tetovë

    Jo-zyrtarishtë kandidati i VLEN-it për Tetovën, Bilall Kasami po prin kundrejt kandidatit të AKI-së Bajram Rexhepi, me 2 mijë vota në epërsi ndaj AKI.

    Tetovë, VLEN me dy mijë vota në epërsi ndaj AKI

    Mexhiti shpalli fitoren në Çair

    Në Çair fituan të gjithë shqiptarët. Sot dua të them me zë të qartë se fituan të gjithë shqiptarët. Urime pensionimin kundërshtarëve politikë. Fitorja jonë nuk është fitore personale, por është fitore e një klase politike që sjell ndryshim. Faleminderit shqiptarë. Lkjo është fitore e dinjitetit qytetar, e shpresës që qytetarët e kanë fituar me votë të lirë. Falënderojmë institucionet që garantuan një proces të qetë dhe demokratikë”, deklaroi Izet Mexhiti, VLEN. 

    Tri komuna nuk plotësojnë censusin për kryetar, Centar Zhupa, Mavrovë-Rostusha dhe Vrapçishti

    Kjo nënkupton se qytetarët e këtyre tre komunave do të duhet të dalin sërish në votime për të realizuar të drejtën e tyre demokratike.

    Mbyllen të gjitha vendvotimet, dalja deri në 18:30 ishte 46.65 për qind

    Në orën 19:00, janë mbyllur të gjitha vendvotimet për zgjedhjet lokale të vitit 2025.
    Mbi 803 mijë qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës.
    Pas pak, pritet të dalin rezultatet e para të numërimit të votave.

    Votimi në Saraj ishte i qetë dhe pa asnjë incident

    “Po i japim fund një dite mjaftëtë gjatë. Në komunëne Sarajit gjithçka ishte në rregull, ishte një proces shumë i qetë. Para pak çastesh edhe votuesit e fundit e shfrytëzuan të drejtëne tyre të votës, në ora 19 u mbyllën vendvotimet ën shkollën Dituria. Gjatë ditës dhe deri në fund janë vërejtur dhe forca të policisë…Edhe në Saraj interesimi i qytetarëve ishte tepër i madh, sidomos në orët e pasditës”. 

    Pak para mbylljes së vendvotimeve, ndalohet edhe një person në Çair

    “Interesi i qytetarëve paradite ka qenë i ulët, ndërsa në orët e pasdites është vërejtur një fluks më i madh i qytetarëve. Ka pasur dhe ndërrim të kutive pasi ata janë mbushur me fleta të votimit. Në Çair janë ndaluar dy persona për të cilët u tha se janë prezantuar rrejshëm si vëzhgues të procesit zgjedhor. Para 20 minutave është ndaluar edhe një person tjetër i cili për momentin po meret në pyetje nga zyrtarët policorë” /Alsat/

    Deri në orën 17:00 dalja në votime është 39,87%

    Rasti i ndalimit të dy personave në Çair / U prezantuan rrejshëm si vëzhgues zgjedhor

    Bëhet fjalë për personat F.E. (35) dhe N.E. (44), të cilët nuk kanë qenë të përfshirë zyrtarisht në procesin zgjedhor, por janë paraqitur si vëzhgues në hapësirën e shkollës dhe kanë refuzuar të identifikohen kur janë ndalur nga autoritetet.
    Të dy janë shoqëruar në polici dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masa për sqarimin e plotë të rastit.

    Ndërpritet votimi me aparatin biometrik në Karposh, procesi vazhdon me metodën tradicionale

    Në vendvotimin numër 2607 në komunën e Karposhit është ndërprerë përdorimi i aparatit biometrik për identifikimin e votuesve, për shkak të një problemi teknik të lidhur me kartelën SIM të pajisjes.
    Për pasojë, votimi po vazhdon përmes metodës tradicionale – me llambë UV dhe sprej, ashtu siç është vepruar në zgjedhjet e kaluara në raste të ngjashme.

    15:00 – Dalja deri në orën 15:00 është 31,16%

    Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor kumtuan se deri në ora 15:00 të drejtën e votës në të gjithë territorin e vendit e kanë shfrytëzuar 515.069 votues.
    Zëdhënësi Admir Shabani tha se jehona e votuesve është 31,16%, që paraqet përqindje përafërsisht të njëjtë me zgjedhjet e vitit 2021.

    13:00 – Prokuroria po shqyrton raste të ryshfetit zgjedhor në disa ngjarje të ditës së djeshme

    Prokuroria nëpërmjet komunikate njofton se procesi zgjedhor në përgjithësi po kalon qetë dhe pa shkelje të rënda. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme ka pasur disa indikacione për shkelje eventuale të procesit zgjedhor. Në katër prokurori të vendit ka indikacione për ryshfet gjatë zgjedhjeve, ndaj të cilave po punojnë prokurorët.

    12:30 – Dalja në Tetovë është 6.3%, Dauti: nuk janë regjistruar parregullsi

    6,37 për qind e qytetarëve të Tetovë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 11:00. Nazmi Dauti nga KKZ tha se nuk kanë hasur në ndonjë parregullsi, ndërkohë që presin që numri i votuesve të rritet në orët në vijim.

    11:30- KShZ: Pjesëmarrja e votuesve deri në ora 11:15 është 9.3%

    Në konferencën e dytë për shtyp sot, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) informoi se pjesëmarrja deri në orën 11:15 në territorin e vendit, sipas të dhënave nga 3,139 vendvotime, është 9.3%.

    09:45 – Toshkovski: Në terren janë mbi 90 përqind e forcave që posedon MPB

    “Sot është Dita e Demokracisë, sot qytetarët do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në kuadër të zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshilltarët e tyre”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai shtoi se mbi 90 përqind e forcave në dispozicion të Ministrisë së Brendshme janë aktivizuar dhe janë të përqendruara në zhvillimin e një procesi zgjedhor paqësor.

    09:00 – Dalja në votime deri në ora 09:00 është 3%

    KSHZ-ja ka publikuar të dhënat e para për daljen e votuesve deri në orën 9. Sipas këtyre të dhënave, deri në orën 9 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 3 për qind e votuesve.

    08:00 – Për herë të parë do të përdoret edhe dron, MPB: kemi marrë të gjitha masat për zgjedhje të qeta

    Ministria për Punë të Brendshme (MPB) gjatë zgjedhjeve ndërmerr vazhdimisht masa dhe aktivitete brenda kompetencave të saj me qëllim sigurimin e një zbatimi të qetë dhe të sigurt të procesit zgjedhor.

    07:30 – KSHZ: Të gjitha vendvotimet u hapën me kohë, votimi po zhvillohet pa probleme

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi këtë mëngjes se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë dhe procesi i votimit për Zgjedhjet Lokale po zhvillohet pa probleme.

    Votimi filloi në orën 7 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.

    07:00 – Maqedonia e Veriut sot voton, qytetarët për të tetën herë zgjedhin pushtetin lokal

    Votimi filloi në orën 7 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.

    Votimi po zhvillohet në 3,474 qendra votimi, ku 1,832,415 qytetarë mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës deri në orën 19:00.

    Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, ka gjithsej 309 kandidatë për kryetar bashkie dhe 576 lista për anëtarë të këshillave komunale me gjithsej 10,490 kandidatë.

    Dje, një ditë para zgjedhjeve, votuan të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, personat e sëmurë dhe të pafuqishëm dhe personat në azile pleqsh.

    KShZ njoftoi se do të shpallë vëzhgimet e para mbi rrjedhën e votimit dhe pjesëmarrjen në një konferencë për shtyp në orën 9:30 të mëngjesit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut sot voton, qytetarët për të tetën herë zgjedhin pushtetin lokal

    Lajmi i rradhës

    Për herë të parë do të përdoret edhe dron, MPB: kemi marrë të gjitha masat për zgjedhje të qeta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë