Ku fillon korrupsioni? Pikëpyetjet në rastin e ministrit Lindner

    A i është dhënë kredia private disa milionëshe ministrit gjerman të Financave, Christian Lindnerit, sepse duke qenë në këtë post ka bërë reklama për bankën? Nëse po, kjo do të ishte korrupsion dhe e dënueshme.

    Në listën e institucioneve më të mëdha financiare të Gjermanisë, banka BBBank zë vendin e 56-të dhe banka, emri i plotë të së cilës është Banka e zyrtarëve të Badenit, nuk ka qenë deri tani shumë e njohur. E krijuar dikur nga zyrtarët e shtetit, për të cilët nuk flitej të kishin shumë para në qarkullim, kjo bankë është tani e hapur për të gjitha llojet e profesioneve. Edhe ministri gjerman i Financave Christian Lindner është klient i BBBank. Ai ka marrë atje një kredi të madhe, me të cilën ka financuar në vitin 2021 blerjen e vilës së tij të Berlinit. 

    Megjithëse kishte marrëdhënie private biznesi me bankën, Lindner iu përgjigj në pranverë të vitit 2022 kërkesës së bankës për të mbajtur si ministër Financash një fjalim përshëndetës në përvjetorin e njëqindë të bankës. Në videon që u tregua në një mbledhje të madhe të përfaqësuesve të bankës në Karlsruhe, ministri tha ndër të tjera: “BBBank ka qenë për mua gjithnjë simpatike”.   

    Për vite me radhë si “ambasador” reklamash 

    Në momentin kur ka mbajtur fjalimin, Christian Lindner kishte marrë ndërkohë një kredi prej 2,35 milionë eurosh. Disa javë mbas fjalës përshëndetëse, banka e rriti kredinë e Lindnerit në 2,8 milionë euro. Një shumë e konsiderueshme, sepse çmimi i shitjes së vilës ishte 1,65 milionë euro dhe pasuria e patundshme shërbente si sigurim. Çfarë e bëri bankën që të aprovonte kredinë me një milionë euro më shumë?  

    Lindner njihet prej vitesh me këtë bankë. Në vitin 2014, ai ka dalë si dëshmitar për  BBBank, duke u bërë ambasador reklamash. Herë për revistën e klientëve të bankës, herë me një klip videoje, kryetari i Partisë së Liberal Demokratëve, FDP, dhe deputet i parlamentit, llomotit tri minuta me radhë për banesën e tij të parë dhe rëndësinë e pavarësisë edhe nga pikëpamja financiare.  

    Agjencia e reklamave, e cila vazhdon të prezantojë në faqen e saj të internetit videon e ministrit shkruan: “Në temën kryesore, BBBank i kushtohet një situate, që njihet nga shumë prej nesh: I kushtohet të rinjve që largohen nga shtëpia e prindërve gjithnjë e më vonë. Një histori personale na jep Christian Lindner.” 

    Deutschland, Berlin | Christian Lindner nach der Landtagswahl in Niedersachsen

    Rrogat më të larta në parlament 

    Paralelisht me këtë Lindneri ka mbajtur fjalime në “mbrëmjet me aktivitete” të bankës. Mes të tjerave në Karlsruhe, Dyseldorf, Hamburg, Hajdelberg dhe Drezden. Honoraret janë listuar në faqen e Lindnerit si deputet, në arkivin e parlamentit: Në vitin 2019, Lindneri është paguar tri herë me gradën e dytë, duke marrë maksimalisht 7 mijë euro për fjalim, kurse dy herë me gradën e tretë, me deri 15 mijë euro për fjalim. 

    Politikanët nuk e kanë të ndaluar të bëjnë reklama, dhe deri para ashpërsimit të ligjit të deputetit në vjeshtë të vitit 2021, parlamentarët janë lejuar pa kufizim të mbajnë fjalime me pagesë. Sipas një studimi të fondacionit Otto-Brenner, më shumë se një e treta e deputetëve kanë marrë gjatë legjislaturës së 19-të, (2017- 2021), të ardhura dytësore që kanë arritur gjithsej në 53 milionë euro. 

    A e dinte ministria për kredinë? 

    Problem mund të përbëjë për Lindnerin videoja me fjalën përshëndetëse të majit 2022. Kur ministri i Financave gjen fjalë miqësore për një institut financiar, që i jep një kredi zemërgjerë, atëherë lindin pyetje të tjera. Pyetje të paktën për afërsinë kohore midis fjalës përshëndetëse të mbajtur, që lidhet me postin, dhe kredisë së marrë privatisht. 

    Një zëdhënëse e ministrisë së Financave theksoi, se fjalimet përshëndetëse janë “të zakonshme”. Por pyetjet, a ka qenë Lindner që më parë transparent për marrëdhëniet e biznesit me bankën dhe a ka treguar në ministri për kredinë e tij, presin të marrin përgjigje. 

    Hetimet mendohet të fillojnë 

    Pikërisht për këto pyetje interesohet sektori special për luftimin e korrupsionit në Prokurorinë e Përgjithshme të Berlinit. Nëse banka i ka bërë Lindnerit favore duke i dhënë kredi më të madhe, gjë që nuk e bën zakonisht me klientët e tjerë, atëherë kjo do të ishte e dënueshme. Drejtësia është duke parë tani a do të fillojë hetimet zyrtarisht. Për ta bërë këtë duhet bërë kërkesa në presidiumin e parlamentit për t’i hequr Lindnerit imunitetin e deputetit. Opozita në parlament është duke kërkuar dorëheqjen e ministrit. Ka shenja që tregojnë, se Lindner “ka mundësi që të mos ndajë qartë” punën e tij si ministër dhe interesat e tij private, tha nënkryetari i partisë “E Majta”, Lorenz Gösta Beutin, duke folur për revistën Spiegel. “Nëse dyshimet shtohen dhe do ketë proces dënimi, atëherë dorëheqja e ministrit të Financave është e pashmangshme.” 

    Ku fillon korrupsioni? 

    Lindneri vetë i hedh poshtë akuzat dhe bën të ditur nëpërmjet avokatit të tij, se financimi privat i pasurisë së patundshme ka filluar kohë para marrjes së postit të ministrit dhe të gjitha kushtet kanë qenë “vazhdimisht sipas tregut”. 

    Fjala korrupsion nuk gjendet në Kodin Penal gjerman. Në vend të saj, bëhet dallimi midis pranimit të përfitimeve dhe pranimit të bakshisheve. Pranimi i përfitimeve, sipas paragrafit 331 të Kodit Penal, ndodh kur një person që mban postin kërkon përfitime për ushtrimin zyrtar të postit, jep premtime ose merr premtime. Marrje bakshishi, sipas paragrafit 332, ndodh kur një përfitim i tillë bëhet me një shërbim konkret në post, duke shkelur detyrimet e postit. E dënueshme është madje shprehja e gatishmërisë për këtë gjë. 

    BBBank e krijuar dikur nga zyrtarët e shtetit, për të cilët nuk flitej të kishin shumë para në qarkullim, kjo bankë është tani e hapur për të gjitha llojet e profesioneve.

    BBBank e krijuar dikur nga zyrtarët e shtetit, për të cilët nuk flitej të kishin shumë para në qarkullim, kjo bankë është tani e hapur për të gjitha llojet e profesioneve.

    Gjermania në vendin e 10 të indeksit të korrupsionit 

    Organizata anti-korrupsion, Transparency International, ka përshëndetur hetimet e drejtësisë së Berlinit. “Shteti i së drejtës duhet të shohë në mënyrë kritike edhe një ministër, për më tepër një ministër”, tha juristi i Transparency, Wolfgang Jäckle për grupin mediatik, Funke. 

    Në indeksin e perceptimit të korrupsionit, një vlerësim klasifikues për 180 shtetet e botës, që bëhet nga Transparency International që nga viti 1995, Gjermania ndodhet në vendin e dhjetë. Vendet me vlerësim më të mirë në listimin aktual janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re. Me vlerësimin më të keq janë Somalia, Siria dhe Sudani Jugor. Vendi i dhjetë nuk është vlerësim i keq, por ky vlerësim ka vite që nuk është përmirësuar. 

    Boshllëqe në ligjin kundër korrupsionit 

    Kjo ka mbase të bëjë me faktin se ligji kundër korrupsionit, ka pasur boshllëqe deri para pak kohësh. Për mbajtësit e posteve dhe zyrtarët rregullat ka kohë që kanë qenë të forta. Duke filluar që nga Presidenti federal, Kryetari i Bashkisë e deri tek polici, dhuratat ose përfitimet nuk duhet ta kapërcejnë kufirin e 10 eurove.  

    Një copë keku gatuar vetë, ose gjysmë kilogrami kafe për rajonin e policisë të lagjes me rastin e Krishtlindjeve, nuk përbëjnë problem. Policët, që gjatë kontrollit të qarkullimit në Hamburg, morën si dhuratë një shportë me rrush nga shoferi i një kamioni, u dënuan në vitin 2006, për pranim përfitimi. 

    Deutschland Bundespräsident | Christian Wulff

    Ish-presidenti Christian Wulff pranoi ftesën e një shoku producent filmash për të bërë pushimet bashkë. Procesi gjyqësor nuk e dënoi Wulffin, por karriera e tij politike mori fund

    Kur në vitin 2012 doli se ish-presidenti i atëhershëm, Christian Wulff, kishte pranuar ftesën e një shoku producent filmash për të bërë pushimet bashkë, Prokuroria e vlerësoi këtë si pranim përfitimi dhe filloi hetimet që çuan në proces gjyqësor. Procesi gjyqësor nuk e dënoi Wulffin, por karriera e tij politike mori fund. Ai dha dorëheqjen për shkak të akuzave. 

    Rregullat që vlejnë për zyrtarët e shtetit vlejnë edhe për parlamentarët. Për ta Kodi Penal ka një paragaf më vehte, paragrafin 108e. Tek ky paragraf u bazuan hetuesit për të bërë në vitin 2020 hetimet e parlamentit, në të ashtuquajturën afera e maskave.  

    Një sipërmarrës kishte blerë gjatë pandemisë së Coronës, maska në Azi me synimin që t’ia shiste ato zyrtarëve duke nxjerrë përfitime. Për këtë ai kishte bërë për vete deputetin Georg Nüßlein dhe deputetin e parlamentit të landit, Alfred Sauter (të dy nga partia Kristiansociale), të cilët ndërmjetësuan për biznesin. Të dy ata kishin marrë përqindje nga sipërmarrësi nga dhjetë milionë euro. Në fund fare ata nuk u dënuan për këtë gjë. 

    Në korrik të 2022, Gjykata Federale vendosi në instancën e fundit, se nuk mund të dëshmohej se ata kishin marrë ose kishin dhënë bakshish, por kishin shpërdorur faktikisht postin. Kjo gjë njihet si korrupsion në dy marrëveshje të OKB-së, të nënshkruara nga Gjermania, por nuk ka kaluar deri tani në të drejtën gjermane. Komenti i dhënë nga gjykatësi ishte që: Është çështje e ligjvënësit, të njohë boshllëqet penale dhe t’i plotësojë ato. 

    Pikërisht këtë gjë premtuan anëtarët e koalicionit mbas gjykimit të dhënë nga Gjykata Federale. Diskutimet për këtë janë duke vazhduar. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Nëpër autostradën e Malit të Zi të ndërtuar me kredi nga Kina

    Lajmi i rradhës

    Spanjë, kompanitë e duhanit duhet të paguajnë për pastrimin e bishtave të cigareve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë