Nëpër autostradën e Malit të Zi të ndërtuar me kredi nga Kina

    U deshën tetë vjet për ta ndërtuar, me vonesa dhe polemika, por Maria Kovijaniq, e cila drejton një dyqan të vogël përgjatë një pjese të autostradës së re 1 miliard dollarëshe të financuar nga Kina, është gati të korrë përfitimet e premtuara të projektit.

    E vlerësuar si një nga rrugët më të shtrenjta në botë, 41 kilometrat e para që u hapën në korrik të vitit 2022, përshkojnë malet e larta të Malit të Zi dhe grykat e tij të thella. Rreth 60 për qind e autostradës përbëhet vetëm nga tunele dhe ura.

    Për një pagesë prej 3.50 eurosh, një udhëtim që më parë ishte i mundimshëm, tani është shndërruar në një udhëtim afërsisht 25-minutësh përgjatë asfaltit të saposhtruar, ku një pjesë e rrugës kalon nëpër Mateshevë, fshati ku Kovijaniq ka dyqanin e saj.

    Kjo rrugë e re dhe moderne, thotë ajo, ua ka ndryshuar jetën banorëve të kësaj zone dhe atyre që kanë biznese përgjatë autostradës, edhe me shkurtimin e kohës së udhëtimit, dhe ofron një alternativë ndaj rrugëve malore të mbipopulluara në vendin e vogël ballkanik me 620.000 banorë.

    “Njerëzit këtu e pëlqejnë [autostradën], sepse është një rrugë më e shkurtër për në Podgoricë. Më parë ne kalonim rrugën e gjatë nëpër kanionin e Moraçës”, thotë Kovijaniq. “Shumë njerëz vdiqën në atë rrugë, kështu që ne jemi shumë të kënaqur me këtë autostradë”.

    Një shtëpi nën një pjesë të ngritur të autostradës së re malazeze, afër Mateshevës.
    Një shtëpi nën një pjesë të ngritur të autostradës së re malazeze, afër Mateshevës.

    Sipas planit origjinal fillestar të nënshkruar në vitin 2014, parashihej që 41 kilometrat e para – që u financuan nga një kredi nga Banka e Eksport-Importit të Kinës dhe u ndërtuan nga Korporata e Rrugëve dhe Urave të Kinës (CRBC) – do të ishin pjesë e një autostrade 163 kilometërshe që do të lidhte qytetin port malazez të Tivarit me Serbinë fqinje.

    Projekti u tha që do të transformonte vendin në një qendër transporti për rajonin dhe do të forconte aktivitetin ekonomik.

    Por, autostrada e gjeti veten të njollosur në skandal dhe ende përballet me pyetje të vazhdueshme nëse 122 kilometrat e mbetura të rrugës do të përfundojnë ndonjëherë.

    Ky projekt ka sjellë, gjithashtu, rrezik ekonomik afatgjatë duke e ngarkuar Malin e Zi me borxhe ndaj Kinës, që kapin më shumë se një të tretën e buxhetit vjetor të shtetit.

    Pavarësisht kësaj, sondazhet kanë treguar se vetëm një pakicë në Mal të Zi e sheh Kinën ose rrezikun financiar nga financimi i autostradës si shqetësim, me shumë njerëz që shpresojnë se kjo do t’i japë nxitje ekonomike vendit.

    “[Autostrada] është e shtrenjtë, po, mirëpo neve na duhej kjo rrugë”, tha Kovijaniq. “Nëse ata [janë në gjendje ta] lidhin këtë autostradë me Serbinë, [ajo] do të jetë më e mira”.

    Një kamion kalon nëpër një nga tunelet në autostradën e re.
    Një kamion kalon nëpër një nga tunelet në autostradën e re.

    Dyshimet për autostradën

    Ky projekt nisi në vitin 2013 nga udhëheqësi kinez, Xi Jinping, dhe kredia u mor nga qeveria e mëparshme e udhëhequr nga presidenti aktual, Milo Gjukanoviq.

    Për shkak se Podgorica nuk u mbrojt nga luhatjet e monedhës dhe nuk arriti të kthehet në planin e saj origjinal, kostoja e projektit vazhdoi të rritej gjatë viteve, duke çuar në problemin aktual të borxhit prej 1 miliard dollarësh.

    Projekti ishte, gjithashtu, i diskutueshëm që në fillim midis grupeve lokale të shoqërisë civile dhe opozitës së vendit.

    Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Jo-qeveritar (MANS), një organizatë mbikëqyrëse e Ballkanit, ka ngritur shqetësime për korrupsionin dhe transparencën mbi mënyrën se si u shpërndanë kontratat e ndërtimit te kinezët dhe kompanitë lokale.

    Një hyrje në një kamp ndërtimi nga kompania kineze, pranë njërës prej urave të autostradës.
    Një hyrje në një kamp ndërtimi nga kompania kineze, pranë njërës prej urave të autostradës.

    Pyetjet rreth kostos totale dhe se si projekti do të gjeneronte të ardhura, e kanë shoqëruar gjithashtu projektin për autostradën që nga konceptimi i saj. Nën një qeveri të re në vitin 2021, Ministria e Investimeve Kapitale e Malit të Zi publikoi dy studime ndërkombëtare të fizibilitetit, më parë konfidenciale, të cilat sugjerojnë se kostoja e vlerësuar e fazës së parë të autostradës ishte shumë e ekzagjeruar. Njëri nga këto studime, i përpiluar nga kompania britanike, Scott Wilson Group, tha se ndërtimi do të kushtonte 570 milionë dollarë, pak më shumë se gjysma e kostos aktuale.

    Ky borxh i lindur nga autostrada e solli gjithashtu Podgoricën buzë kolapsit.

    Shqetësimet mjedisore pasuan, po ashtu, ndërtimin e autostradës. Kompania kineze u akuzua për dëmtimin e pjesëve të bregut të lumit Tara, i mbrojtur nga UNESCO. Agjencia e Mbrojtjes së Natyrës dhe Mjedisit e Malit të Zi (NEPA) tha se ky shqetësim i tyre ishte shpërfillur nga ndërtuesit.

    Kjo listë e shqetësimeve duket se do ta ndjekë autostradën edhe tani që është e hapur.

    Derisa shumë vendas përgjatë rrugës thonë se autostrada ishte e ngarkuar gjatë verës, gati gjashtë muaj pas trafiku duket të jetë i paktë. Shumë tabela nëpër këtë autostradë që reklamojnë dyqane e biznese, thonë se kërkesa është më e ulët se sa pritej.

    Ky vend pushimi afër Podgoricës ishte plotësisht i zbrazët rreth orës 17:00, të enjten në mbrëmje në fund të nëntorit.
    Ky vend pushimi afër Podgoricës ishte plotësisht i zbrazët rreth orës 17:00, të enjten në mbrëmje në fund të nëntorit.

    Megjithatë, shumë malazezë besojnë se autostrada mund të përmirësojë jetën e tyre.

    Milan Kaleziq, i cili drejton një kompani për shëtitjen me automjete të turistëve në Podgoricë, thotë se shtrirja e rrugës do të jetë një nxitje për biznesin e tij duke lejuar qasje më të lehtë dhe më të drejtpërdrejtë në vendpushimet e skive dhe lidhje më të mira me fshatrat më të vogla në male, gjë që mund të çojë në më shumë turizëm me bazë komunitare në vend.

    “Tani me autostradën e re, ndonjëherë i dërgoj mysafirët [në fshatrat që lidhen nga autostrada] vetëm për ushqim”, tha ai. “Ndonjëherë shkoj vetë [ose] me familjen time vetëm për të ngrënë darkë”.

    Poshtë rrugës

    Pavarësisht të gjithave, pyetja e madhe për autostradën është nëse ajo mund të përfundojë ashtu siç ishte konceptuar fillimisht.

    Në ceremoninë e hapjes në korrik 2022, ku morën pjesë përfaqësues nga CRBC-ja dhe Ambasada kineze në Podgoricë, kryeministri Dritan Abazoviq foli shumë për potencialin e projektit.

    “Ky investim padyshim do të hapë drejtime të reja zhvillimi dhe do t’i japë shtysën më të fortë ekonomisë vendase”, tha ai. “Autostrada është fillimi i lidhjes së përhershme të Malit të Zi me botën”.

    Një urë e autostradës në veri të Podgoricës.
    Një urë e autostradës në veri të Podgoricës.

    Vetë autostrada është e ndarë në tri seksione dhe Qeveria aktuale ka thënë se shpreson ta përfundojë ndërtimin e gjatësisë së plotë të autostradës dhe thuhet se po eksploron opsionet e financimit me huadhënësit evropianë.

    Një vlerësim i vitit të kaluar nga Ministria e Investimeve Kapitale tha se seksioni i dytë i rrugës me gjatësi 23.5 kilometra, i cili do të shkonte nga Matesheva në Andrijevica në lindje të Malit të Zi, do të kushtonte rreth 590 milionë dollarë.

    Vladimir Shopov, një ekspert për rolin e Kinës në Ballkan në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se si Podgorica, ashtu edhe Kina, do të kërkojnë të mbajnë një distancë nga njëra-tjetra në të ardhmen e afërt pas viteve të skandalit.

    Shumë pyetje mbeten ende nga kjo periudhë. Marrëveshja për hua e vitit 2014 me Bankën e Eksport-Importit të Kinës, është bërë publike, por pothuajse të gjitha dokumentet e tjera në lidhje me autostradën janë klasifikuar si sekrete nga Podgorica, gjë që shumë ekspertë besojnë se është për shkak të klauzolave detyruese në kontratat kineze.

    “Këtu ka një kurth transparence”, tha Shopov. “Shumë pak njerëz dinë gjithçka që ekziston në kontrata”.

    Një pjesë e zbrazët e autostradës gjatë perëndim të diellit
    Një pjesë e zbrazët e autostradës gjatë perëndim të diellit

    Ndërsa kjo ngre implikime të mëtejshme potencialisht shqetësuese për Malin e Zi nëse do të përballet sërish me tendosje ekonomike në të ardhmen, Shopov thotë se ai nuk përjashton infrastrukturën e re ose investimet nga Kina në Mal të Zi.

    “Me gjithë lajmet e këqija, kinezët nuk tërhiqen”, tha ai. “Mali i Zi gjithashtu ka pak alternativa”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania “shqyrton” kërkesën e Kosovës për pasaporta të skaduara

    Lajmi i rradhës

    Ku fillon korrupsioni? Pikëpyetjet në rastin e ministrit Lindner

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë