Kudo “mbijnë” pallate, vetëm kopshte jo

    Për kushte më të mira, programe të larmishme, por edhe në pamundësi për t’u regjistruar në kopshte publike, vitet e fundit numri i kopshteve private dhe institucioneve të ngjashme të kujdesit për fëmijët është rritur. Bashkë me to edhe numri i fëmijëve që i frekuentojnë. Me mbi gjysmë milionë banorë popullsi, aq sa rezulton në regjistrimin e fundit, Shkupi mbetet vendbanimi më i populluar, por edhe me mungesë të theksuar të institucioneve parashkollore – çerdhe e kopshte. Listat e pritjeve janë të gjata, sidomos në disa lagje të Shkupit, ku vazhdimisht ndërtohen blloqe objektesh të reja banimi. Ndërkohë që prindërit janë të detyruar t’i kthehen alternativave të tjera për kujdesin e fëmijëve.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar numri i kopshteve private ka arritur në 26, nga 21 që ishte 2019- 2020, ndërsa numri i fëmijëve është dyfishuar (rreth 1100 fëmijë). Krahas tyre, është shtuar edhe numri i kopshteve që funksionojnë në kuadër të shkollave private, nga 100 një vit më parë në 162 vitin e kaluar, por edhe qendrave për zhvillimin e hershëm të fëmijëve.

    Ministria e Punës dhe Politikës Sociale planifikon hapjen e 15 objekteve të reja deri në fund të këtij viti, ndërsa deri në fund të vitit 2023 do të hapen edhe 13 objekte të reja, duke bërë që kapacitetet për pranimin e fëmijëve të rriten me 3300 vende të reja. Kështu deklaroi pak ditë më parë kreu i MPPS, Jovana Trençevska.

    “Për vite me radhë nuk është ndërtuar, nuk është investuar në mbrojtjen e fëmijëve, edhe kështu kemi ardhur deri tek ky problem”, ka sqaruar Tërnçevska.

    Gjatë një interpelance në Parlament ministrja pati fajësuar edhe vetë komunat që paratë i shpenzojnë për punësime partiake në ndërmarrjet publike dhe nuk punësojnë kuadrin e nevojshëm në çerdhe.

    “Ka probleme në kopshtet ku ka arbitraritet të kryetarëve aktualë që nuk respektojnë ligjin dhe ministrin, por problemet zgjidhen në përputhje me ligjin. Në vend që të shpenzojnë para për punësime partiake në ndërmarrjet publike, kryetarët e komunave punësojnë përkohësisht njerëz në kopshte”, pati deklaruar ministrja.

    Sipas të dhënave zyrtare vitin e kaluar numri i fëmijëve të regjistruar në kopshte dhe qendra të zhvillimit të hershëm është rritur me rreth 18 për qind (mbi 31 fëmijë). Prej tyre, 70 janë kopshte publike ku janë regjistruar mbi 29 mijë fëmijë në total. Prej tyre 137 grupe janë në gjuhën shqipe me një numër prej 2 459 fëmijësh. Në total numri i të punësuarve në çerdhe dhe kopshte është 5.216, mes të cilëve si staf pedagogjik numërohen 1319 edukatorë, ndërsa kujdestare 2021.

    Komuna me më shumë probleme për momentin është Karposhi, e cila për shkak të ngarkesës dhe listës së pritjes me mbi 300 fëmijë vendosi të çregjistrojë fëmijët që nuk ishin banorë të komunës. Aerodromi është po ashtu një komunë ku presin të regjistrohen rreth një mijë fëmijë.

    Në Çair, një prej komunave ku numri i kopshteve nuk i përmbush nevojat e banorëve, gjendja me numrin e fëmijëve në grupe tregon se në çdo moment, në çdo objekt dhe në çdo grup, vazhdimisht kërkohet më shumë hapësirë. Për momentin në listën e pritjes janë 103 fëmijë, ndërsa vazhdon ndërtimi i kopshtit “Bambi” ( në vendin ku ishte objekti i vjetër) me një kapacitet për 350 fëmijë. Nga Komuna e Sarajit nuk kanë probleme me pritjet. Janë dy çerdhe që i plotësojnë nevojat, thonë nga komuna. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Lajçak: E ardhmja e Europës është me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të BE-së

    Lajmi i rradhës

    Kovaçevski: Qytetarët në Maqedoni kanë pritshmëri për standard më të mirë jetese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë