Gjithnjë e më shumë përdorues të rrjeteve sociale ankohen se u keqpërdoren të dhënat personale. Keqpërdoruesit gjithnjë ndryshojnë metodat për të arriturat tek të dhënat bankare të përdoruesve të rrjeteve sociale që të arrijnë të përfitojnë shuma të mëdha të parave.
Ka të tillë që arrijnë të detektojnë në kohë se bëhet fjalë për mashtrim, por ka prej tyre që bien pre e mashtruesve dhe më pas shantazhohen. Këtyre mashtrimeve online, nuk kanë mundur t`u ikin as përdoruesit e rajonit të Pollogut. Prandaj, policia njofton se kohëve të fundit një numër i madh i qytetarëve kanë denoncuar në polici për keqpërdorim të të dhënave personale.
Policia punon në zbardhjen e rastit, ndërkohë që apelon deri tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm. Kryesisht bëhet fjalë për linqe që dërgohen nga adresat e shoqërisë në rrjetet sociale dhe kërkohen të dhëna bankare. Më pas, hakerat vazhdojnë që të hakojnë profile tjera me qëllim përfitimi.
“Kohëve të fundit ka një rritje të ndjeshme të numrit të qytetarëve që denoncojnë ankesë apo keqpërdorim të të dhënave personale në SPB-Tetovë, në mënyrë të tillë që përmes rrjeteve sociale si Facebook dhe Instagram pranojnë një link ku shfaqen profilet e miqve e tyre në këto në rrjetet sociale dhe kërkohet që të klikojnë në adresën e linkut dhe t’i votojnë për arsye të ndryshme fiktive apo oferta për përfitime nëpërmjet kriptomonedhave dhe bitcoin, njësoj si rastet përmes mesazheve SMS për shërbimet postare. Në këtë mënyrë, të dhënat e tyre vidhen dhe fjalëkalimi i profilit ndryshohet shpejt dhe pronarit i mohohet qasja në profilin e tij, shpesh kërkohen të dhënat personale dhe të dhënat e transaksioneve bankare dhe një sërë mënyrash të tjera të paligjshme dhe përmes shantazhit për të përfituar përfitime financiare”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelon qytetarët që të mos iu nënshtrohen gabimeve të tilla, pa u konfirmuar më parë personalisht se çfarë kërkon miku prej tyre, në të kundërtën të raportojnë menjëherë profilet e tilla si spam, për të shmangur dëme më të mëdha financiare, sepse në këtë mënyrë dëmi bëhet si rrjet dhe nëpërmjet profilit tuaj mund të dëmtohen miqtë ose të familjarë tuaj më të afërt. /Koha/