Kultivuesit e duhanit në RMV kërkojnë të vlerësohet mundi i tyre

    Ekzekutivi ka paralajmëruar se me kombinatet e duhanit është arritur marrëveshje që çmimi i duhanit në të ardhmen, apo për mbjelljet e këtij viti që do të blihen në vitin 2023, që do të kontraktohen sivjet, do të jetë 300 denarë apo për 20 për qind më shumë se në grumbullimin e mëparshëm.

    “Së bashku konstatuam se çmimet e këtij viti të duhanit të jenë 300 denarë për klasën e parë, 240 për të dytën, 180 për të tretën dhe 100 denarë për klasën e katërt”, theksoi në tribunën e fundit ë Prilep, kryeministri Dimitar Kovaçevski.

    Mirëpo kultivuesit e duhanit thonë se nevojitet në mënyrë më reale të vlerësohet mundi i tyre në kultivimin e duhanit. Ato frikësohen se çmimi mesatar grumbullues do të jetë afër 220 denarë, ndërsa shtojnë se nuk mund të pritet çmim i mirë grumbullues duhanit, përderisa nuk ka çmim mbrojtës për shitblerjen e duhanit që nuk duhet të jetë nën 250 denarë. Një pjesë e shoqatave të prodhuesve të duhanit vlerësojnë se edhe valuta e dollarit si zyrtare për tregtinë e duhanit në botë, po luhatet me të madhe, andaj edhe çmimi i duhanit pritet të mbetet i njëjtë.

    “Çmimi mesatar i shitblerjes në vitin e kaluar prej 200 denarë i konvertuar në dollarë ka qenë 3.75 dollarë për kilogram, sipas vlerës së dollarit në atë kohë prej 54 denarë. Kursi aktual i dollarit është me vlerë 62 denarë, që nëse shumëzohet me çmimin mesatar të vitit të kaluar prej 3.75 USD (200 denarë), do të fitojmë një mesatare prej 233 deri në 235 denarë, që sipas çmimeve që i keni shpallur është edhe e pritshme. Kjo konfirmon se çmimi është i njëjtë dhe mbetet i pandryshuar në raport me vitin e kaluar”, thotë koordinatori i shoqatës së kultivuesve të duhanit, Igor Mirçevski.

    Sipas tij, nëse kësaj i shtohet edhe fakti se çmimi mesatar i prodhimit për këtë korrje ka arritur në 239.7 denarë, kjo vetëm na konfirmon se çmimi i blerjes do të jetë më i ulët se çmimi i prodhimit.

    Edhe përfaqësuesit e tjerë të prodhuesve të duhanit thonë se nevojitet që të ketë një çmim më të pranueshëm dhe të kënaqshëm, me qëllim që kjo kulturë bujqësore të mos ketë rënie të prodhimtarisë.

    “Një rritje shtesë prej 40 denarë nuk kënaq interesat tona, për shkak se harxhimet e prodhimit janë të mëdha, puna jonë është tepër e mundimshme. Edhe pse në tre vitet e fundit kemi arritur të ndryshojmë rregulloret, ndërsa tani edhe të rrisim çmimet. Megjithatë edhe këto çmime jo se janë rritur kush e di sa, dhe se po shpaguhet tërësisht puna jonë, mirëpo sërish do të zbusin pak harxhimet tona dhe do të mbulojmë një pjesë të tyre”, thotë Mende Stomnaroski, kryetar i Shoqatave të prodhuesve të duhanit.

    Nga ana tjetër, vjet në mesatare, çmimi grumbullues ka qenë ndërmjet afër 200 denarë për 19 mijë ton duhan. Sipas klasave çmimet kanë qenë për të parën-280 denarë, për të dytën 200 denarë, për të tretën-155 denarë dhe për të katërtën 90 denarë. Nga prodhimtaria e duhanit jetojnë gati 30 mijë familje, ndërsa duhani më së shumti mbillet në rajonin e Prilepit, Krushevës, Dollnenit dhe Pellagonisë.

    Nga viti 2017, subvencionet për duhanin janë në 80 denarë për klasën e parë, në 70 denarë për klasën e dytë, dhe 60 denarë për klasën e tretë.

    Në ndërkohë, përkundër ndarjes së madhe të subvencioneve nuk po shënon rritje prodhimtaria e duhanit në vend. Përkundrazi të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2014 janë prodhuar 27.578 mijë ton duhan, ndërsa gjashtë vite më vonë kjo prodhimtari është ulur në 26.112 mijë ton në vitin 2020. Edhe analizat e tjera tregojnë se në 15-16 vitet e fundit në vend në mesatare po prodhohet afër 25 mijë ton duhan në vit. Gati gjysma e grumbulluesve, prej 10 firmave kanë konfirmuar çmimet e reja grumbulluese në fushatën që nis në 15 nëntor, ndërsa afati ligjor është 15 dhjetori. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KRIZA RRIT SHPENZIMET NË RMV | Buxheti i vitit 2023 do të jetë 5.3 miliardë euro

    Lajmi i rradhës

    Nuk ka asnjë lëvizje konkrete sa i përket riciklimit të mbeturinave inerte në rajonin e Pollogut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë