KRIZA RRIT SHPENZIMET NË RMV | Buxheti i vitit 2023 do të jetë 5.3 miliardë euro

    Buxheti i ri për vitin e ardhshëm do të jetë 5.3 miliardë euro dhe është rritur për 2.1 miliardë euro karshi 3.4 miliardë euro sa ishte në vitin 2018. Pandemia, kriza energjetike, si dhe pasojat e sublimit rus ndaj Ukrainës kanë tronditur ekonomitë në tërë botën, dhe kanë rritur edhe shpenzimet e qeverive për të mbuluar kërkesat në rritje të shtetit. Është parashikuar që investimet kapitale të jenë 795 milionë euro, apo 200 milionë euro më shumë se sivjet, deficiti do të jetë mbi 700 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 do të nevojiten edhe 1.5 miliardë euro për mbulimin e deficitit dhe kthimin e borxheve të vjetra.

    Janë parashikuar edhe mbi 250 milionë euro për tejkalimin e sfidave në raport me krizën globale ekonomike dhe krizën energjetike. Për pagesën e pensioneve janë parashikuar 75 miliardë denarë apo afër 1.2 miliardë euro, ose rreth 10 për qind më shumë në krahasim me këtë vit. Ministri i Financave, Fatmir Besimi thotë se me propozim buxhetin për vitin e ardhshëm synohet që të mbahet rritja ekonomike, të kryhen në mënyrë të rregullt të gjitha obligimet e shtetit si dhe të mbështeten reformat dhe proceset euro integruese.

    Duke shtuar se mbeten angazhimet për konsolidim gradual fiskal apo mbajtjen nën kontroll të borxhit të shtetit, mbajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Për më tepër, me buxhetin e vitit 2023, është parashikuar edhe rritja e pagës minimale e cila do të vijojë në përputhje me metodologjinë e vendosur, nuk do të ketë ulje të pagave në administratën publike, mirëpo po përgatitet metodologji e re për harmonizimin e të gjitha pagave me pagën minimale për të cilën duhet të përfundojnë bisedimet dhe të realizohen ndryshimet ligjore.

    Njëherësh ky buxhet bazohet edhe në vendosjen të treguesve për matjen e suksesit të politikave, avancimin e decentralizimi fiskal, avancimin e mëtejshëm të transparencës fiskale dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike në pesë për qind në vit.

    “Për buxhetin e vitit 2023, e një rëndësie të veçantë është se bazohet në ‘rregullin e artë’, në ekonomi. Kjo nënkupton të marrësh hua vetëm për të financuar investime, projekte kapitale, projekte që do t’i shtojnë vlerë ekonomisë, do të përshpejtojnë rritjen dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Ky buxhet do të menaxhohet sipas parimit të vlerës për paranë, ndërkohë që do të kujdeset që paratë e qytetarëve të përdoren aty ku japin efektet më të mëdha në arritjen e objektivave për një cilësi më të lartë të jetës”, theksoi Besimi.

    Ekspertët ekonomik thonë se mbetet të shohim se sa ky buxhet do të jetë zhvillimor duke shfrytëzuar maksimalisht realizimin e investimeve kapitale që në vitet e kaluara nuk janë realizuar sipas parashikimeve dhe sa ai do të nxjerrë vendin nga kriza apo do të ngadalësojë ekonominë.

    “Buxheti i këtij viti është përgatitur në kohë të sfidave të mëdha për të gjitha ekonomitë në botë me rritje të madhe të shpenzimeve qeveritare. Por edhe shtrenjtimin e jetesës për popullatën ku shporta konsumatore ka arritur në afër 41 mijë denarë apo rreth 700 euro nga njëra anë, dhe pagës mesatare që ka arritur afër 520 euro, mirëpo dihet se një pjesë e madhe e punëtorëve në vend as që i afrohen kësaj mesatareje dhe nuk kemi rritje sa duhet të pagave në sektorin privat dhe atë publik. Tani si në çdo amvisëri edhe për arkën e shtetit shtrohet çështja e nikoqirllëkut se sa shteti harxhon sipas mundësive dhe jo sipas nevojave siç po ndodh shpesh tek ne, që sjell me vete edhe borxhe të reja”, thotë eksperti ekonomik Neritan Turkeshi.

    Tani në kohë të një krize të paparë pas luftës së dytë botërore, që e tejkalon edhe atë të krizës financiare të shkaktuar nga fryrja e tregut të patundshmërivë në SHBA, ne si ekonomi po na vijnë edhe faturat e mos zvogëlimit gradual për një apo dy për qind të ekonomisë informale për çdo vit, apo uljes nën 20 për qind për një periudhë prej dhjetë vitesh të ekonomisë së zezë që në të holla është dy miliardë euro apo sa tre deficite buxhetore prej 700 milionë euro në vitin 2023. Tani po vijnë edhe faturat se me dekada nuk kemi investuar në kapacitete për prodhimin e rrymës, nuk kemi reformuar mjaftueshëm administratën publike që të jetë më efikase dhe të ndihmojë më shumë zhvillimin ekonomik. Ose nëse doni, tani nuk kemi më shumë qarkullim në ekonomi që sjell më shumë të ardhura në arkën e shtetit, ku vetëm po të kishim ndërtuar deri tani autostradën prej Shkupi deri në Ohër dhe Strugë, për disa herë do të ishte rritur numri i turistëve të huaj dhe vendor, që do të zgjaste edhe sezonin turistik në rivierën e liqenit të Ohrit nga 2 në 4 muaj, thekson Turkeshi.

    Sipas tij, temë për diskutime mbeten edhe reformat që lënë për të dëshiruar në gjyqësor, arsim, shëndetësi, e kështu me radhë, që nënkuptojnë edhe një mbështetje goxha të madhe për rritjen më të madhe ekonomike të vendit, por që tani po mungon.

    Nga ana tjetër, për vitin e ardhshëm është parashikuar rritje ekonomike prej 2.9 për qind, ndërsa borxhi publik nuk pritet të tejkalojë 60 për qind. Parashikohen edhe 567 milionë euro për pagesën e pagave të administratës publike, si dhe 250 milionë euro ndihmë për biznesin dhe qytetarët për tu ballafaquar me krizën ekonomike dhe energjetike.

    Nga Ministria e Financave thonë se pritet normalizimi i lëvizjeve globale, stabilizimi i zinxhirëve të furnizimit global dhe rritja e aktivitetit ekonomik tek partnerët tanë kryesorë tregtarë. Politikat dhe masat ekonomike të përkthyera në Planin për Qëndrueshmëri Fiskale dhe Mbështetje për Rritjen Ekonomike, Planin për Investime Publike dhe Planin për Rritje të Përshpejtuar Ekonomike do të ofrojnë një bazë solide për dyfishimin e rritjes ekonomike krahasuar me mesataren e dekadës së fundit. Parashikohet rritja mesatare e aktivitetit ekonomik në periudhën 2023-2027 të arrijë në 4.6 për qind, ndërsa nga viti 2025 rritja të arrijë në 5 për qind.

    Në projeksionet afatmesme, pritet që investimet të kenë një rritje mesatare vjetore prej rreth 8 për qind. Në periudhën 2024-2027, rritja e punësimit do të përshpejtohet në një rritje mesatare vjetore prej 3.2 për qind. Kjo do të kontribuojë në uljen e shkallës së papunësisë në 9.4 për qind në vitin 2027. Paga mesatare neto në këtë periudhë pritet të rritet nominalisht me 6.1 për qind në vit. Norma e inflacionit do të stabilizohet gradualisht dhe parashikohet në 7.1 për qind në vitin 2023 dhe 2.5 për qind në vitin 2024, ndërsa në periudhën afatmesme do të ulet në 2 për qind. Të hyrat në Propozim-buxhetin për vitin 2023 janë planifikuar në nivelin prej 282 miliardë denarë dhe janë 14.8 për qind më të larta se në vitin 2022, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 324.8 miliardë denarë ose 12.6 për qind më të larta në krahasim me vitin 2022. Do të vazhdojë edhe konsolidimi gradual fiskal me një deficit buxhetor, më të ulët se një vit më parë, në nivelin 4.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm të planifikuar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rruga e UÇK-së në Reçicë të Vogël kërkon projekt afatgjatë

    Lajmi i rradhës

    Kultivuesit e duhanit në RMV kërkojnë të vlerësohet mundi i tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë