Kumanovë, më mirë paguan dëmshpërblim sesa ta zgjidh problemin!

    Qentë endacakë janë një problem serioz për qytetarët e Kumanovës, sidomos për ata që dalin në mëngjes herët dhe për ata që kthehen vonë në shtëpi. Qytetarët që përballen me këtë situatë janë të ekspozuar ndaj rrezikut nga sulmet e qenve të braktisur që enden nëpër rrugë.

    Ky fenomen ka shkaktuar shqetësime të mëdha, pasi shumë herë – qytetarët janë viktimë të kafshimeve nga qentë endacak duke rrezikuar sigurinë personale. Rreziku është veçanërisht i lartë për ata që janë të detyruar të lëvizin jashtë në orët e para të mëngjesit ose vonë gjatë natës. Ky është një problem që vazhdon të ndikojë seriozisht në jetën e përditshme të qytetarëve të Kumanovës dhe ende nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete për këtë.

    E si duket për Komunën e Kumanovës, më lehtë është të paguhen personat që kafshohen nga qentë, se sa të merren masa. Komuna vitin e kaluar ka paguar 47 mijë euro dëmshpërblim për qytetarët që janë kafshuar nga qentë endacak, mirëpo nuk kanë dhënë statistika se sa qytetarëve u është paguar dëmshpërblimi.

    “Nuk mund të jepen të dhëna të sakta se sa qytetarëve u është paguar dëmshpërblim për shkak se çështjet janë në Gjykatën e Apelit në Shkup, për të cilat po pritet një përgjigje përfundimtare. Procedurat për dëmshpërblim dhe dëmtim zhvillohen në Gjykatën Themelore të Kumanovës, e cila është përgjegjëse për vlerësimin e provave të paraqitura dhe papërgjegjshmërinë e kërkesës për padinë dhe vendosjen për dëmshpërblim”, thuhet në përgjigjen e shërbimeve komunale. Nga Komuna e Kumanovës informojnë se shuma më e vogël e paguar për personat e kafshuar nga qentë endacak vitin e kaluar ishte 40.000 denarë, ndërsa shuma më e madhe ishte 65.000 denarë. Në vitin 2022, komuna u ka paguar qytetarëve nga buxheti i saj një total prej 1.290.685 denarë ose 21.000 euro, ndërsa në vitin 2021, kjo shumë ishte 845.204 denarë ose rreth 14.000 euro.

    Nga ana tjetër, qytetarët mendojnë se me paratë që paguhen si dëmshpërblim, mund të gjendet një zgjidhje më humane për problemin e madh të kafshëve të braktisura që enden në rrugë, të uritur dhe të sëmurë. Një qytetar i Kumanovës, Elez Zeqiri, që vitin e kaluar u kafshua nga një qen endacak, ka shprehur revoltën e tij për mosmarrjen e masave të duhura nga autoritetet.

    “Si prind i dy fëmijëve në shkollë fillore, nuk mund t’i lë ata të dalin vetëm, për shkak të frikës se mund të kafshohen nga ndonjë qen. Shtëpia është afër shkollës, por frika që kur ata dalin të vetëm – është e madhe. Vitin e kaluar edhe unë u kafshova nga tre qen, por zgjidhje nuk shohim te dëmshpërblimet, por te masat. Pavarësisht premtimeve dhe angazhimeve të bëra nga autoritetet, asnjë hap konkret nuk është marrë për të parandaluar këto incidente dhe për të siguruar një mjedis më të sigurt”, theksoi ai.

    Ndryshe, në raportin ditor të Sektorit të Punëve të Brendshme të Kumanovës, pothuajse çdo ditë ka raporte për kafshime nga qentë. Ndërkaq që në Kumanovë nuk ka stacion për strehimin e kafshëve të braktisura, përpos që disa aktivistë dhe dashamirës të kafshëve që i strehojnë dhe trajtojnë qentë vullnetarisht me ndihma dhe donacione. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Nëse VLEN shndërrohet në një parti, Taravari nuk do të jetë pjesë e saj

    Lajmi i rradhës

    Marzhi i kufizuar nuk i liroi produktet në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë