Kundërspin: kur fajtorë për zjarret bëhen delet dhe lopët

    Në prag të rritjes së rrezikut nga zjarret pyjore gjatë muajve të verës, ne nuk kemi mjaft avionë për shuarjen e zjarreve, pilotë, as staf tjetër teknik të kualifikuar; mungojnë zjarrfikësit, automjetet dhe pajisjet kundër zjarrit janë të vjetruara, por më e rëndësishmja, kemi gjetur fajtorin për zjarret – lopët dhe delet! Dhe, kjo nuk është shaka, pikërisht kryeministri, “krejtësisht serioz”, në një paraqitje në televizionin kombëtar shpjegoi se nëpër male nuk ka bagëti që të kullotin barin, prandaj po ndodhin zjarret, shkruan Vërtetmatësi

    Kryeministri Hristijan Mickoski, këto ditë gjatë një paraqitjeje në MRTV, duke folur për gjendjen në bujqësi, blegtorinë, sistemin e subvencioneve dhe mbështetjes, ndër të tjera tha se si shtet do të jemi të varur nga importi i ushqimit në një formë të caktuar – veçanërisht në pjesën e mishit. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe zjarret dhe ndërkohë e shtrembëroi të vërtetën.

    Spin: Për fat të keq, kjo është një nga arsyet pse po na ndodhin zjarret – sepse nuk kemi bagëti në male që të kullosin barin, dhe për këtë arsye bari është i dendur. Tani do të thahet, është ngrohtë, dhe do të fillojë sezoni i zjarreve… Ndryshe ka qenë më herët – shumë bagëti në male, mijëra, dhjetëra, qindra mijëra krerë kullosnin barin dhe rreziku për zjarre ishte më i vogël… Tani vegjetacion i dendur, mot i nxehtë, thahet, mjafton një shkëndijë dhe shpërthen zjarri… Këtu duhet punuar pak, por për fat të keq ka gjithnjë e më pak njerëz që merren me blegtori, më pak barinj… Edhe pse është një profesion shumë i paguar – mbi dy mijë euro në muaj është kompensimi për barinjtë. Megjithatë, gjithnjë e më pak njerëz merren me këtë punë. Prandaj, unë e ndjek personalisht – jo se jam ndonjë që i di të gjitha… por është logjike që si kryeministër duhet të kesh vizion dhe të ndërtosh strategji… Por, në pjesën e blegtorisë, për fat të keq, edhe për një kohë të gjatë do të duhet të mbetemi importues të mishit.

    [BurimiMRTV (nga minuta 1:16:41 deri në minutën 1:18:00 të videos ); Youtube– Qeveria e RMV-së (nga minuta 1:17: 42 deri në minutën 1:19:00 të videos Data: 25.06.2025] 

    Kundërspin: Në këtë deklaratë të kryeministrit Mickoski, ku ai thotë se zjarret ndodhin sepse në male nuk ka mjaftueshëm bagëti që të kullosin barin, dallohet qartë një shtrembërim i së vërtetës (spin), dhe kjo tingëllon disi e çuditshme, madje edhe qesharake. Mickoski, siç thotë vetë, nuk është “i gjithanshëm”(!) (pra, nuk i di të gjitha, nuk kupton gjithçka), por megjithatë, në intervistën me rastin e “Një viti Qeveri”, na shpjegoi se:

    Një nga arsyet pse po na ndodhin zjarret është sepse nuk kemi bagëti në male që ta kullosin barin, prandaj bari është i dendur, e tani do të thahet është ngrohtë dhe do të fillojnë zjarret… Ndryshe ka qenë më parë, kishte shumë bagëti në male  mijëra, dhjetëra, qindra mijëra krerë kullosnin barin dhe rreziku për zjarre ishte më i vogël… Tani kemi vegjetacion të dendur, mot të nxehtë, thahet, mjafton një shkëndijë dhe shpërthen zjarri…

    Pra, kryeministri fajtorin për zjarret e gjeti te bagëtia – lopët dhe delet!

    Por, përkundër këtij përceptimi të tij, shkaku më i shpeshtë i zjarreve pyjore është faktori njerëzor – ndezja e zjarreve, hedhja e shkreptimave në hapësira të hapura, mosrespektimi i ndalimit të lëvizjes në pyje,  ndezja e qëllimshme e zjarreve… Pastaj, ndikim të rëndësishëm në zjarre kanë edhe ndryshimet klimatike – periudhat e thatësisë, temperaturat shumë të larta, erërat e forta që janë të pazakonshme për disa rajone…

    Nga ana tjetër, një çështje shumë e rëndësishme është si do t’i shuajmë zjarret që përfshijnë çdo verë, dhe edhe këtë vit me shumë gjasa nuk do të na shpëtojnë. Është mjaft shqetësuese se si do të përballohet kjo katastrofë natyrore kur në njësitë territoriale kundër zjarrit nuk ka mjaft zjarrfikës, kemi automjete dhe pajisje të vjetruara dhe të amortizuara… Nuk kemi as aeroplanë të mjaftueshëm, as pilotë aktivë, e as qendër trajnimi dhe interes nga pilotët e rinj për këtë profesion…

    Kur Maqedonia e Veriut digjej vitin e kaluar, na ndihmuan me “air traktorët” dhe helikopterët nga Çekia, Sllovenia, Serbia, Hungaria, Bullgaria, Turqia, Kroacia, si dhe nga Suedia dhe Gjermania, ndërsa na ndihmuan edhe zjarrfikës nga jashtë me automjete speciale terreni. Gjithashtu, situata ishte e ngjashme edhe në vitet paraprake.

    Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), pjesë e programit Copernicus, vitin e kaluar në Maqedoni në 126 zjarre pyjore u dogjën mbi 94,000 hektarë. Me përqindje, u dogjën 3.6% e territorit të përgjithshëm të shtetit. EFFIS publikoi të dhëna alarmante, sipas të cilave vitin e kaluar u dogj pyll po aq sa në dhjetë vitet e kaluara së bashku, kur në mbi 400 zjarre pyjore u dogjën rreth 100,000 hektarë. Viti më i rëndë më parë ishte 2019, kur në 135 zjarre pyjore u dogjën 29,807 hektarë. Një nga zjarret më të mëdha pyjore vitin e kaluar ishte ai në Mariovë, ku u dogjën 11,000 hektarë, dhe u vënë nën kontroll pas tetë ditësh nga shpërthimi. EFFIS gjithashtu raportoi se për shkak të shumë zjarreve pyjore në gusht të vitit të kaluar, Qeveria kërkoi ndihmë urgjente dhe u aktivizua Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së. Si përgjigje, dhjetë ekipe ajrore kundër zjarrit nga gjashtë vende anëtare të BE-së u dislokuan në Maqedoni për të ndihmuar vendin në luftën kundër zjarreve.

    Së fundmi, Stojançe Angelov, pasi mori detyrën e drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS) – i cili erdhi nga pozita e drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), njoftoi se asnjë nga tre avionët kundër zjarrit “air traktori” nuk është në funksion, sepse janë në servisim.

    Në këtë moment, në vend nuk ka asnjë “air traktor” funksional, por unë jam optimist se së shpejti do t’i kemi të tre “air traktorat” bashkë me ekuipazhet, përkatësisht pilotët. Ata aktualisht janë në servisim, ekzistojnë disa – do të thoja – probleme, por besoj se shpejt do të tejkalohen dhe të njëjtët do të kthehen në shtet me kohë, për t’u përballur me zjarret që na presin, deklaroi Angelov më 27 maj.

    Angelov u ankua se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS) po përballet me sfida serioze, përfshirë mungesën e pilotëve, probleme me servisimin e “air traktorëve” dhe mungesën e marrëveshjeve me ekipet e reagimit të shpejtë, veçanërisht ato për shuarjen e zjarreve në hapësira të hapura. Përveç kësaj, disa anëtarë të këtyre ekipeve nuk kanë pajisje të përshtatshme, trajnim adekuat dhe përgatitje fizike.

    Inspektimi i mbrojtjes kundër zjarrit është në gjendje të keqe, me mungesë të inspektorëve të kualifikuar dhe dyshime për vlefshmërinë e lejeve të lëshuara. Po ashtu, në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS) punojnë vetëm disa specialistë për trajtimin e mjeteve shpërthyese të pashpërthyera, të cilat ruhen në mënyrë të papërshtatshme, thotë Angelov.

    Në fillim të qershorit, nga riparimi i rregullt është kthyer vetëm një avion, këtë e ka bërë të ditur Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim përmes një postimi në Facebook.

    Kështu që, në prag të rritjes së rrezikut nga zjarret pyjore gjatë muajve të verës, ne nuk kemi mjaftueshëm aeroplanë kundër zjarrit, pilotë, staf tjetër teknik të kualifikuar; mungojnë zjarrfikësit – por më e rëndësishmja është se kemi gjetur fajtorin për zjarret: lopët dhe delet! Dhe kjo nuk është shaka – pikërisht kryeministri, “krejtësisht serioz”, në një paraqitje në televizionin kombëtar shpjegoi se në male nuk ka bagëti që të kullosin barin, prandaj po ndodhin zjarret.

    Lajmi Paraprak

    ‘Unë pa ty s’rrojë, vij’ e të kërkojë’

    Lajmi i rradhës

    Përplasja për eurointegrimet: Filipçe kërkon vazhdim të procesit, Mickoski kundër “maqedonasve modern”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë