KUR BËHET PAZAR ME JETËN | Afera në Onkologji zbeh besimin në shëndetësinë publike

    Filiz Ndoci, në të 40-tat, u diagnostikua me kancer të gjirit dhjetorin e vitit të kaluar. Për më shumë se dy dekada ajo është punonjëse shëndetësore në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” në Shkup. Por, pasi kishte dëgjuar nga kolegët e saj se në Klinikën e Onkologjisë po vidheshin e po shiteshin terapitë e të sëmurëve me kancer, ajo vendosi që të trajtohej në Turqi e jo në qendrën ku punon.

    “Që 21 vjet punoj në sistemin shëndetësor. Kam kontribuar për pacientët dhe në fund të mos kesh besim të mjekohesh në shtetin tënd, për mua kjo ndiejnë ishte tmerr”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Në Klinikën e Onkologjisë në Shkup ka dyshime se janë keqpërdorur terapitë e pacientëve me kancer. Për këtë, institucionet e zbatimit të ligjit dhe Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut thanë se po punojnë për të mbledhur dëshmitë.

    “Nga kolegët e mi më kishte rënë në vesh se po bëhej manipulim me terapinë atje [në Klinikën e Onkologjisë], por unë nuk kisha dëshmi që t’i nxirrja jashtë këto informacione. Sëmundja ime nuk priste që të merrja mendime plotësuese, andaj vendosa të trajtohem jashtë shtetit”, thotë Ndoci.

    Shkas i hetimeve të institucioneve të drejtësisë lidhur me keqpërdorimet në Onkologji u bënë disa shkrime të javores maqedonase, “Fokus”, që në maj raportoi për mungesë të terapisë imune të citostatikëve, nga të cilat varet jeta e të sëmurëve me kancer.

    Prokuroria Publike ka urdhëruar kryerjen e bastisjeve në Klinikën e Onkologjisë, ku janë konfiskuar kompjuterë, të dhënat kompjuterike dhe material tjetër për ekspertizë të mëtejmë.

    “Kur doli në pah kjo aferë, edhe pse mund të tingëllojë keq, por u ndjeva e lehtësuar, pasi për mjekimin tim në Turqi, në aspektin financiar, u përkujdes familja. Tani edhe para tyre ndihem disi rehat pasi që vendimi për t’u kuruar jashtë nuk ishte çështje luksi, por çështje jete”, thotë Ndoci.

    Ndoci ka nisur me vonesë procesin e shërimit, pasi prillin e vitit të kaluar kishte bërë një mamografi pas shfaqjes së gjëndrave në gji, por ajo u diagnostikua me kancer në dhjetor, kur sëmundja kishte arritur në fazën e dytë.

    Prokuroria kërkon nga qytetarët të denoncojnë keqpërdorimet në Onkologji

    Më 4 shtator, Prokuroria Themelore Publike në Maqedoni të Veriut inkurajoi qytetarët që mund të ketë ndonjë njohuri për keqpërdorimet e dyshuara në Onkologji, t’i denoncojnë në organet e drejtësisë.

    “Pretendimet e fundit do të kontrollohen në detaje dhe publiku do të njoftohet menjëherë për të gjitha rezultatet e veprimeve të ndërmarra”, u tha në njoftim e Prokurorisë.

    Në maj, javorja “Fokus” raportoi se në Klinikën e Onkologjisë kishte mungesë të terapisë me citostatikë, nga e cila varet jeta e të sëmurëve me kancer.

    Sipas raportimeve të kësaj media, “në disa raste punonjësit e Onkologjisë ishin zënë duke vjedhur terapinë mjekësore dhe të cilën më pas e kishin shitur në tregun e zi, sipas një skeme të hartuar me përfshirjen e më shumë të punësuarve në klinikë”.

    Prokuroria tha se janë lëshuar urdhëresa për analizimin e kompjuterëve dhe të dhënave kompjuterike të pajisjeve të konfiskuara gjatë kontrolleve. Po ashtu, të gjithë personat që kanë informacione për veprime të paligjshme do të merren në pyetje.

    “Prokuroria Themelore Publike Shkup do të formojë një ekip ekspertësh të cilët do të analizojnë dokumentacionin mjekësor për menaxhimin e pacientit dhe administrimin e terapisë. Ministria e Punëve të Brendshme, si organ për zbulimin e autorëve të krimeve, do të ndërmarrë veprime të tjera që për momentin nuk mund të ndahen me publikun, por me synim të drejtpërdrejtë: arritjen e së vërtetës dhe përgjegjësisë së mundshme penale”, u tha në njoftimin për media.

    Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, është zotuar se do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë në mënyrë që të zbardhet sa më shpejt rasti në Klinikën e Onkologjisë.

    “Ky rast duhet të zgjidhet në afat sa më të shkurtër. Si ministër do të bëj çmos për të zgjidhur këtë çështje. Ministria do të bashkëpunoj me organet e hetuesisë për të ardhur deri te zbardhja e plotë e këtij rasti”, tha ai.

    Ndryshe, sipas të dhënave të shoqatës “Hema”, që ka në fokus të prekurit me kancer, nga viti 2012 deri më 2021, në baza vjetore janë diagnostikuar me kacer afër 7.000 persona dhe prej tyre gjysma kanë humbur jetën.

    Terapia për trajtimin e një të sëmuri me kancer arrin deri në 6.000 euro, varësisht prej gjendjes shëndetësore të pacientit dhe ajo kryesisht mbulohet nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

    Oda e Mjekëve në Maqedoninë e Veriut ka shprehur shqetësim për dyshimet për keqpërdorim të terapisë nga pacientët dhe i ka mbështetur institucionet në zbardhjen e rastit. Ndërkaq, partitë opozitare kanë akuzuar Qeverinë për përfshirje në këtë rast, duke mos mbajtur premtimin për “kujdes shëndetësor të avancuar për të gjithë qytetarët”.

    Teksa rasti i Klinikës së Onkologjisë ka rritur zemërimin e publikuar dhe janë paralajmëruar protesta, Filiz Ndoci, thotë se ajo do të ngrehë zërin për këtë rast, pasi si punonjëse e sektorit të shëndetësisë e di se sa është e rëndësishme është që për mjekim të suksesshëm “terapia të merret në kohë dhe me dozën e duhur”.

    Lajmi Paraprak

    Erdogan: Turqia është kundër propozimeve alternative për marrëveshjen për drithërat

    Lajmi i rradhës

    Kosovë, digjitalizimi i ndihmave shtetërore thellon pabarazitë në shoqëri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë