Kur opinioni i gjykon të akuzuarit! | RMV-së i kërkohet të respektojë plotësisht prezumimin e pafajësisë

    Praktika e shkeljes së parimit të prezumimit të pafajësisë po vazhdon. Akoma më tragjikisht, rrjetet sociale janë bërë arena kryesore në të cilën kjo e drejtë e garantuar me kushtetutë e njeriut shkelet në mënyrë të pahijshme, duke i akuzuar padrejtësisht individët përpara se të dëshmohet ndonjë faj. Këtë më së miri e dëshmoi arrestimi policor i të dyshuarit për kërcënime me bombë në shkollat ​​e mesme të Shkupit, i cili u lirua pas marrjes në pyetje prej dhjetë orësh nga policia, me konstatimin se nuk kishte dëshmi se ai qëndron pas këtyre kërcënimeve.

    Ndërkohë në rrjetet sociale u publikua identiteti i plotë i të arrestuarit, pasuar me breshëri sulmesh, dënimesh, publikime fotosh me fytyrën e të tij, pra me një fjalë linçim publik i një personi për të cilin nuk u vërtetua asnjë faj dhe i cili më vonë u lirua. Megjithatë, dëmi është bërë dhe pyetja kryesore tani është se si t’i jepet fund shkeljes së parimit të garantuar me Kushtetutë dhe nëse duhet të ketë përgjegjësi serioze për ata që e bëjnë këtë në mënyrë të përsëritur dhe mbeten të pandëshkuar.

    E gjithë kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend, veçanërisht nga SHBA, të cilët kanë kërkuar nga Maqedonia e Veriut të respektojë plotësisht prezumimin e pafajësisë dhe të ndalojë praktikën e publikimit të identiteteve si nga institucionet ashtu edhe nga mediat. Nëse vendi dëshiron të përparojë në negociatat me BE-në, atëherë në fushën e sundimit të ligjit do t’i duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mbrojtjes së prezumimit të pafajësisë, përfshirë edhe rrjetet sociale.

    Ndryshe, prezumimi i pafajësisë është një nga bazat ligjore sipas të cilit çdo i dyshuar apo i akuzuar për një krim konsiderohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë. Një nga parimet themelore mbi të cilat bazohet Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut është garantimi dhe mbrojtja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit. Nëse kjo praktikë kushtetuese do të ndiqej, atëherë qindra njerëz do të ishin kursyer nga dënimi publik të cilit i ishin nënshtruar thjesht sepse rastësisht ishin të dyshuar për ndonjë krim dhe më pas thjesht u shpallën të pafajshëm.

    Profesori universitar, Bashkim Selmani, beson se prezumimi i pafajësisë do të mbetet një “emër imagjinar” për ne, pasi nuk ka sanksionim të atyre që zbulojnë identitetin e të dyshuarit.

    “Dalja e të dhënave personale në publik, pra në fazën para hetimore, është shkelje institucionale e të drejtave të qytetarëve. Është verdikti gjyqësor ai i cili e shpall personin fajtor apo jo, pjesa tjetër është faza hetimore e cila nuk lejon të publikohet identiteti dhe shkelja e tij konsiderohet vepër penale. Më e keqja është kur  ndodh që në publik të akuzohet personi, mirëpo aktgjykimit të fajësisë apo pafajësisë nuk i kushtohet rëndësi”, deklaroi për KOHA, Bashkim Selmani.

    Sipas tij, shteti nuk i trajton me shumë seriozitet shkeljet e të drejtave të njeriut as nëpër rrjetet sociale, aty ku praktika e shkeljes së prezumimit të pafajësisë është kulminante.

    “Në rrjetet sociale kemi shumë përplasje, shteti duhet të krijojë një kodeks etik për cënimin e identitetit. Kemi shumë individ të cilëve u dëmtohet imazhi publik dhe edhe nëse ka padi, gjyqësori nuk i trajton si serioze”, përfundoi Selmani. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Komunat në Maqedoninë e Veriut kërkojnë më shumë kompetenca

    Lajmi i rradhës

    Punëtorët në Maqedoni nuk janë të motivuar dhe nuk angazhohen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë