KUR PASTRUESI PAGUHET MË SHUMË SE MJEKU NË RMV!

    Anomalitë në tregun e punës së Maqedonisë nuk kanë të ndalur. Ngjashëm me trendet vitet e kaluara, po vazhdojnë të publikohen shpallje me paga më të ulëta edhe se ajo minimale për profesione që jashtë paguhen dhjetë herë më shumë.

    Shpalljet më të reja shpalosin paga prej 20.175 denarë për mjek të përgjithshëm. Ofrohen edhe vende pune për dentist sa paga minimale. Për trendin që nuk ka ndryshuar së paku sipas shpalljeve që publikohen përmes Agjencisë së Punësimit, flasin edhe të dhënat se edhe para katër vitesh për një mjek janë ofruar paga shumë të ulëta. Në muajin korrik të vitit 2019 në ueb faqen e këtij dikasteri janë ofruar paga prej 12 mijë denarë për mjek stomatolog.

    Nga ana tjetër, aktualisht, pagë e njëjtë sa ajo minimale, ofrohet edhe për arkitekt gjithashtu me arsim të lartë, ndërsa pak më e lartë me 25 mijë denarë është paga që ofrohet për inxhinier të makinerisë. Bile këto paga janë edhe më të ulëta apo edhe të ngjashme me pagat që ofrohen për pastruesit me 25 mijë denarë. Mirëpo nuk ofrojnë vetëm kompanitë vendore paga të ulëta dhe nënçmuese për qytetarët me arsim të lartë për profesione teknike apo medicinale. Kompania amerikano-turke “Bechtel dhe Enka” ofron pagë prej 22.900 denarë në kohëzgjatje prej gjashtë muaj për inxhinier të ndërtimtarisë.

    Pagë e ulët dhe atë minimale ofrohet edhe për një zanat të vështirë dhe për një angazhman pune që zgjat tërë natën, si ai i bukëpjekësit, ngjashëm me atë një punë të vështirë dhe me përgjegjësi si ajo e vozitësit të kamionit.

    Në vitet e fundit në top profesionet më të paguara, renditen edhe ato të programuesve, mirëpo jo të gjithë profesionistët e kësaj lëmie paguhen me paga të larta. Në shpalljet ofrohen paga prej 30 mijë denarë por edhe 36 mijë për programues. Paga që janë të njëjta me atë minimale mund të gjenden edhe për një shef kuzhine që është jo vetëm një kuzhinier i thjeshtë , por ka përgjegjësi edhe për punëtorët e tjerë në kuzhinën e një restoranti si dhe për mbarëvajtjen e tërë procesit të punës.

    Bankat me vite janë ndër bizneset më fitimprurëse në Maqedoni, mirëpo shpesh edhe ato nuk ofrojnë vende mirë të paguara të punës. Në shpalljet mund të rastisen edhe oferta prej 30 mijë denarë për inxhinier të teknologjisë informatike. Kompanitë e sigurimit së bashku me bankat janë ndër bizneset që realizojnë fitime më të mëdha. Përkundër kësaj , disa prej tyre ofrojnë vende pune me pagë prej 20 mijë denarë për një post të rëndësishëm si ai i përgjegjësit për financa në një nga zyrat në Maqedoni.

    Ndryshe, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e dytë të vitit 2023, apo në fund të qershorit në vend ishin 8059 vende të lira të punës. Më shumë punëtorë kërkoheshin në fabrika – 2057, pasuar nga tregtia me 1845, shërbimet administrative – 588, transport dhe magazinim – 763, ndërtimtari – 718, të mbrojtjes shëndetësore-238, etj. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kasami: shqiptarët e RMV meritojnë përfaqësim autentik

    Lajmi i rradhës

    Aziri: nuk guxojmë ta mbajmë peng Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë