Legjendat dhe të vërtetat për sheqerin

    Ka shumë njerëz që besojnë që çokollata është ilaçi më i mirë.

    Disa prej jush mund të mendojnë se varësia ndaj ëmbëlsirave është e barazvlefshme me varësinë ndaj drogës.

    Shumë të tjerë kanë kërkuar në dyqane për sheqerin e kaftë si zëvëndësues për sheqerin e bardhë.

    Çfarë është sheqeri?

    Duke lënë mënjanë faktet shkencore, sheqeri është një nga çështjet më të nxehta të ushqyerjes që shkakton mjaft debate në shoqëri.

    Disa njerëz besojnë që sheqeri duhet shmangur në çdo mënyrë të mundshme.

    Disa të tjerë kërkojnë alternativa të tjera të sheqerit, duke qenë se e kanë të pamundur t’i qëndrojnë larg ëmbëlsirave.

    Miti i parë: Sheqeri krijon varësi

    Sa prej jush mendojnë që varësia ndaj sheqerit është po aq e vërtetë sa varësia ndaj drogës? Më vjen keq t’ju them por jeni të gabuar.

    Varësia ndaj drogës ka efekte psikologjike dhe gjithmonë rezulton në intoksikimin e organizmit.

    Kënaqësia që ne marrim nga ngrënia e ëmbëlsirave nuk mund të krahasohet me drogën.

    Shkenca na thotë që ne kërkojmë gjërat e ëmbla thjesht sepse nivelet në rritje të insulinës duhen barazpeshuar.

    Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke marrë një dozë glukoze.

    Nëse përpiqesh të heqësh dorë nga sheqeri me çdo kusht, atëherë sigurohu që në dietën tënde të përfshish shumë karbohidrate të shëndetshme, si fruta të freskëta, fruta të thata, drithëra, arra, kos dhe fasule.

    Miti i dytë: Sheqeri i kaftë është më i shëndetshëm se sheqeri i bardhë

    Gjatë procesit të rafinimit të kallamit të sheqerit, kristalet e përpunuara lëshojnë disa mbetje në formë shurupi që mbajnë emrin molase.

    Sheqeri i kaftë është kryesisht sheqer i bardhë me elementë të molases.

    Ky produkt përmban element të paktë të mineraleve dhe vitaminave si potasiumi dhe magneziumi.

    Megjithatë, masa e tyre nuk mjafton për të bërë një ndryshim rrënjësor në aspektin shëndetësor.

    Sheqeri i kaftë ka një shije dhe aromë paksa të ndryshme nga sheqeri i bardhë dhe ndoshta kjo është arsyeja përse preferohet në disa receta gatimi.

    Miti i Tretë: Fruktoza është një zëvëndësues natyral dhe i shëndetshëm i sheqerit

    Fruktoza është pjesë e monosaharideve, e cila kryesisht gjendet tek frutat, mjalti apo ëmbëlsues të tjerë natyralë.

    Disa janë të mendimit që fruktoza është më e shëndetshme se sheqeri, duke qenë se insulina nuk bën pjesë në procesin e metabolizmit.

    Për fat të keq, fruktoza mund të jetë e dëmshme për trupin tënd, për shkak të ndikimit që ka në mëlçi.

    Nën produkti i metabolizmit të fruktozës është yndyra e pastër, ndaj një dietë e bazuar në fruktozë në të vërtetë nuk është aspak një dietë e mirëfilltë.

    Miti i Katërt: Ëmbëlsuesit janë të mirë për diabetikët, si rrjedhojë mund të jenë të mirë edhe për njerëzit e shëndetshëm

    Ëmbëlsuesit natyralë, që u përmendën më lart, rrisin nivelet e glukozës në mënyrë më të ngadaltë në krahasim me sheqerin e thjeshtë.

    Ëmbëlsuesit artificialë, siç është aspartami (një substancë e ëmbël që përdoret si ëmbëlsues artificial në pije), nuk kanë asnjë impakt në nivelin e glukozës.

    Të dy këto lloje ëmbëlsuesish mund të përdoren nga diabetikët, por me një ndryshim: ëmbëlsuesit natyralë kanë zakonisht shumë kalori.

    Sidoqoftë, ëmbëlsuesit artificialë janë lidhur shpesh me sëmundje të shumta dhe shkaktojnë një sërë efektesh anësore, nëse përdoren nga personat që nuk vuajnë nga diabeti.

    Aktualisht, ëmbëlsuesit aspartami dhe sukraloza konsiderohen si më të sigurtët, kur përdoren me limit.

    Ekstrakti i stevias që kohët e fundit është kthyer në një trend dhe përshkruhet si një alternativë natyrale ndaj ëmbëlsuesve artificialë, kërkon më shumë kohë për t’u testuar.

    Miti i Pestë: Nëse në kuti shkruhet “Nuk ka sheqer”, nuk ka vërtet

    Po të shohësh nëpër raftet e supermarketeve, vëren shumë produkte që pretendojnë të mos kenë sheqer në përmbajtjen e tyre: duke nisur nga çamçakëzi tek çokollata.

    Mos u gënje nga etiketa! Industria e ushqimit e maskon shumë mirë sheqerin.

    Ja cilët janë disa nga produktet e përdorura: dekstroza, fruktoza, koncentratët e lëngjeve të frutave, glukoza, saharoza, maltoza, ëmbëlsues misri, shurup misri me nivel të lartë fruktoze, laktozë, sheqer të papërpunuar, kristale kallami, sukrozë, shurup sheqeri, kallam sheqeri, fruktozë të kristalizuar, lëng kallam sheqeri të vaporizuar, copëza shurup misri, shurup prej malti dhe të tjerë.

    Kur vjen puna tek sheqeri, gjithçka duhet të jetë në moderim, si me çdo ushqim tjetër.

    Këshilla e AgroWeb është të reduktoni konsumin e sheqerit të përpunuar dhe sheqerit shtesë të panevojshëm, por kjo nuk do të thotë që herë pas here të mos shijoni ballkavanë e bërë në shtëpi, biskotat me çokollatë apo çdo kënaqësi tjetër të ëmbël që sjell dritë në ditët tuaja më të errëta. Kalofshi një ditë të ëmbël!

    Lajmi Paraprak

    Komuna e Tetovës ende pa veprim konkret për mbeturinat në Lumin Shkumbin

    Lajmi i rradhës

    Carovska: Mësimi me prezencë fizike në kohë pandemie një sfidë e madhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë