Publikohet historia e panjohur e familjes Pipa me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës ku të parët pasi ishin diplomuar në universitetet më të njohura të perandorisë osmane dhe shërbyen për disa vjet në Stamboll në profesionet e tyre, në 1912-ën u kthyen në Shqipëri, duke i’u përgjigjur thirrjes së kryeministrit Ismail Qemali, për të ardhur dhe kontribuar në atdheun e tyre për formimin e konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Historia e rrallë dhe tragjike e një prej pinjollëve të saj, Myzafer Pipës, i cili pasi mbaroi gjimnazin klasik në qytetin e Shkodrës ku ishte vendosur familja e tyre pas kthimit nga Turqia, fitoi një të drejtë studimi dhe u diplomua për Jurisprudencë në Universitetin e Padovës në Itali, në prillin e ’39-ës, ai u arrestua dhe u internua për disa vjet në ishullin e Ventotenës. Kthimi i Myzaferit në Shqipëri në vitin 1943 dhe emërimi i tij si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së parë të Tuzit nga ku ai u largua shpejt duke dhënë dorëheqjen dhe u kthye në Shkodër e më pas në Tiranë ku hapi studjon e tij avokatore duke marrë në mbrojtje shumë të rinj antifashiste. Arrestimi i tij nga gjermanët pas një shkrimi që bëri në revistën ‘Fryma’ që ai drejtonte së bashku me të vëllanë, Arshiun dhe internimi në Kampin e Prishtinës nga ku ai mundi të lirohet në shtatorin e ’44-ës dhe kthimi në Tiranë ku ai pas mbarimit të Luftës hapi përsëri zyrën e tij si avokat dhe në Gjyqin Special, ai morri në mbrojtje Tahsim Bishqemin, Abedin Xhikun, Andon Kozmaçin e Manush Peshkëpinë, duke debatuar ashpër me kryetarin e gjyqit, gjeneral-leitnant, Koci Xoxen. Arrestimi i tij në ’46-ën duke u akuzuar si pjesmarrës në Kryengritjen e Postribës dhe eleminimi fizik në hetuesinë e Shkodrës, pas torturave ç’njerzore që i’u bënë nga edhe nga vetë kryetari i Degës Brendshme, kolonel Zoi Themeli.
“Myzaferi ishte një patriot dhe demokrat i vendosur me ide shumë përparimtare për kohën. Ai ishte kundra çdo lloj dhune në planin qytetar dhe politik. Në bindjet e pikpamjet social-politike, Myzaferi ishte dhe predikonte për një shtet me republikë parlamentare dhe demokraci të vërtetë, ku t’i jepej prioritet politikës sociale në favor të shtresave të gjera. Ndonëse Myzaferi ishte një demokrat e antifashist i vendosur, asnjëherë nuk mori pjesë dhe nuk u organizua në asnjë forcë apo grupim politik që doli gjatë asaj kohe, sepse sipas tij, ai dëshironte një pavarsi të plotë në veprim, dhe kërkonte po kështu atë pavarsi në mendimin e lirë. Pas kulturës së gjerë juridike dhe social-politike, ai kishte dhe njohuri të thella në fushën letrare e artistike. Ai njihte e ndjente si muzikën popullore e të kultivuar shkodrane, ashtu dhe atë klasike për të cilën kishte njohuri të thella e interpretonte dhe vetë herë pas here si amator. Myzaferi gjithashtu ishte një tip shumë i dashur dhe i shoqërueshëm me një rreth të gjerë miqsh e shokësh, jo vetëm në Shkodër, por dhe në Tiranë e ngado. Ai ishte tip vital e me humor, që dinte t’a harmonizonte hokatarin me seriozitetin në punë e jetën shoqërore qytetare. Muzaferi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe shumë i dhënë pas librave, ku biblioteka e shtëpisë tyre ka qenë një nga më të njohurat në qytetin e Shkodrës. Myzaferi vishej me shije të hollë dhe kishte sensin e masës në çdo hap të jetës”.LEXO EDHE:Eurovision: Këta janë shtetet që u kualifikuan në Gjysmë-Finalen e Parë 2021
Kështu e kujtonte avokatin dhe publicistin e njohur, Myzafer Pipa, kunati i tij (burri i motrës), Uran Kalakulla, ish-i burgosur politik për 21 vjet në regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili na tregonte të gjithë historinë e familjes Pipa, për të cilin bën fjalë ky shkrim të cilin e kemi ndërtuar sipas dëshmive të tij.
Familja Pipa nga Libohova e Gjirokastrës, të diplomuar në Stamboll
Familja Pipa është me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës e sipas dokumenteve qe ndodhen në arkivat e Stambollit, njëri nga të parët e kësaj familje i quajtur Rashit, ka qenë Guvernator i Rumelisë. Rashiti kishte dhe dy vëllezër të tjerë, Arshiun e Tafilin, të cilët ishin diplomuar në Drejtësi dhe ushtronin profesionin e gjykatësit. Tre breza pas tyre njihet Mustafa Pipa, i cili ishte shkolluar e diplomuar në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane për Jurisprudencë, e së bashku me dy vëllezërit e tjerë, punonin në administratën shtetërore. Mustafai ishte babai i Myzaferit, i cili lindi në Turqi në vitin 1914-të. Familja Pipa, duke ju përgjigjur thirrjes së Ismail Qemalit që bëri pas shpalljes së pavarsisë, për kthimin në Shqipëri të gjithë intelektualëve e patriotëve që donin të kontribonin në ngritjen e forcimin e shtetit të ri shqiptar, u kthye në atdhe nga fundi i vitit 1914.
Nga Turqia në qytetin e Shkodrës
Familja e Mustafa Pipës u vendos në qytetin e Shkodrës ku dhe Myzaferi mori mësimet e para e mbaroi gjimnazin e famshëm klasik të atij qyteti në vitin 1936. Myzaferi ishte fëmija i parë nga dy djem e katër vajza që kishte Mustafai nga dy martesat e tija. Gjatë gjithë periudhës së gjimnazit, Myzaferi dallonte shumë nga bashkë moshatarët e tij si nga sjellja, ashtu dhe nga rezultatet mësimore. Po kështu ai shquhej dhe në pregatitjen fizike dhe bënte pjesë në ekipin e futbollit “Vllaznia” të qytetit të Shkodrës, ku luante së bashku me Riza Lushtën e Naim Kryeziun, dy futbollistët e famshëm që luajtën e shkëlqyen më pas në ekipet italiane. Në vitin 1936, kur ai ishte ende në mature, shënoi golin e fitores me ekipin e Elbasanit, në një ndeshje deçizive që është kujtuar gjatë nga tifozët shkodranë.
Student për Jurisprudencë në Padova
Pas mbarimit të gjimnazit, babai tij duke dashur që dhe i biri, Myzaferi, të ndiqte traditën familjare, vendosi që ta dërgonte për studime në Itali në degën e Jurisprudencës. Kjo gjë nuk qe e vështirë të realizohej, falë dhe diplomës së shkëlqyer të Myzaferit, i cili plotësoi të gjitha kriteret për të studjuar në Universitetin e Padovas në Itali në degën e Jurisprudencës. Kështu në shtatorin e vitit 1936, ai la Shkodrën e udhëtoi drejt Italisë së bashku me shumë shokë të tjerë që kishin fituar bursat apo të drejtat e sudimit nga qeveria mbretërore. Pak vite përpara tij, kishte fituar një të drejtë studimi dhe kishte shkuar për t’u shkolluar në Itali edhe i vëllai, Arshi Pipa, i cili u dipllomua në fakultetin e Filozofisë në Firence në vitin 1941. Në atë fakultet në Padova së bashku me Myzaferin kishin studjuar e ishin dipllomuar edhe Abaz Ermenji, (kreu i mëvonshëm i “Ballit Kombëtar”) Jakov Milaj, (studjuesi i njohur) Nikolla Shurbani etj. Në vitin 1940, gjatë kohës kur Myzaferi ishte ende student në vitin e fundit të fakultetit, duke qenë me bindje të thella antifashiste, u arrestua nga autoritetet italiane në një nga lokalet e atij qyteti ku mblidheshin zakonisht studentët shqiptarë. Shkak për arrestimin e tij u bë protesta që ai bëri ndaj agresionit fashist kundër Shqipërisë në 7 prillin e ’39-ës. Në atë lokal Myzaferi së bashku me disa shokë të tjerë këndoi me zë të lartë këngën “Vlora Vlora / bjeri më të lumtë dora”, që ishte kënga që këndohej shpesh nga studentët shqiptarë për t`ju kujtuar italianëve Vlorën e 1920-ës kur u hodhën në det. Pas arrestimit ai doli në gjygj dhe u dënua me burg, duke u dërguar për t’a vuajtur dënimin në kampin e famshëm të Ventotenes. Në këtë kamp asokohe ishin të internuar dhe shumë shqiptarë të tjerë, si profesorët e gjimnazit të Korçës, Abaz Ermenji, Safet Butka, Selman Riza, Faslli Frashëri, Abdurrahman Kreshpani, si dhe Zef Mala, Emin Duraku, Masar Shehu, Abdyl Këllezi etj., që përfaqsonin rrymën e majtë të asaj kohë në Shqipëri. Në kampin e Ventotenes në atë kohë ishin të internuar si antifashistë dhe disa nga personalitetet e të majtës italiane, si Sandro Pertini, (President i mëvonshëm i Italisë) Skoçimaro, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Italiane, Pietro Neni etj. Aty nga fundi i 1940-ës, mbas një viti internimi, Myzaferi lirohet dhe kthehet në fakultetin e Padovas, ku merr dhe dipllomën me rezultate të larta.
Avokat në Shkodër, mbron antifashistët
Mbas diplomimit në Universitetin e Padovas, Myzaferi u kthye pranë familjes në qytetin e Shkodrës dhe po atë vit, nga ana e qeverisë shqiptare ai u emërua për të punuar si gjykatës në Gjykatën e Shkallës së parë të Tuzit, që ishte brenda kufijëve politikë të Shqipërisë së asaj kohe, të njohura dhe nga Italia fashiste e Benito Musolinit. Në atë gjykatë Myzaferi nuk punoi as tre muaj dhe dha dorheqjen. Arsyet e dorheqjes ai i shpjegoi duke thënë:” Unë nuk kam mbaruar shkollën për të dënuar njerzit, por për t’i mbrojtur ata, aq më shumë kur dënohen politikisht”. Pas kësaj ai u kthye dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, duke punuar si avokat në studjon e babait tij Mustafait. Përveçse në qytetin e Shkodrës, Myzaferi asokohe ushtronte profesionin e tij si avokat dhe në Tiranë, nga ku më vonë në tetorin e vitin 1943, u vendosën të gjithë familjarisht. Që nga viti 1940 e deri në tetorin e 1943- it, periudhë që ai punoi si avokat, mori pjesë në shumë gjygje politike, duke marrë përsipër me kurajo mbrojtjen e shumë personave, kryesisht të rinj që akuzoheshin si antifashistë. Një nga ato “klientë” që asokohe u morr në mbrojtje nga ana e avokat Muzafer Pipës dhe ai mundi t’a lironte nga burgu, ka qenë dhe e reja antifashiste, Vitore Kalakulla, e cila u kap nga policia fashiste italiane, duke ngjitur trakte. Falë mbrojtjes te kualifikuar që i bëri asaj Myzaferi, mundi ta shpëtojë nga internimi i sigurtë në ishujt e Italisë.
Dëshmia e Uran Kalakullës për familjen Pipa
Lidhur me Myzaferin dhe gjithë familjen Pipa, kunati i tij (burri i motrës), Uran Kalakulla, tregonte: “Ajo ishte një familje e intelektuale e me kulturë të gjerë, duke filluar që nga babai Mustafai, vëllai Arshiu, e katër motrat e tyre. Ata ishin të gjithë të shkolluar e kishin bindje të thella antifashiste. Myzaferi ishte gjithashtu një patriot dhe demokrat i vendosur me ide shumë përparimtare për kohën. Ai ishte kundra çdo lloj dhune në planin qytetar dhe politik. Në bindjet e pikpamjet social-politike, Myzaferi ishte dhe predikonte për një shtet me republikë parlamentare dhe demokraci të vërtetë, ku t’i jepej prioritet politikës sociale në favor të shtresave të gjera. Ndonëse Myzaferi ishte një demokrat e antifashist i vendosur, asnjëherë nuk mori pjesë dhe nuk u organizua në asnjë forcë apo grupim politik që doli gjatë asaj kohe, sepse sipas tij, ai dëshironte një pavarsi të plotë në veprim, dhe kërkonte po kështu atë pavarsi në mendimin e lirë. Pas kulturës së gjerë juridike dhe social-politike, ai kishte dhe njohuri të thella në fushën letrare e artistike. Ai njihte e ndjente si muzikën popullore e të kultivuar shkodrane, ashtu dhe atë klasike për të cilën kishte njohuri të thella e interpretonte dhe vetë herë pas here si amator. Myzaferi gjithashtu ishte një tip shumë i dashur dhe i shoqërueshëm me një rreth të gjerë miqsh e shokësh, jo vetëm në Shkodër, por dhe në Tiranë e ngado. Ai ishte tip vital e me humor, që dinte t’a harmonizonte hokatarin me seriozitetin në punë e jetën shoqërore qytetare. Muzaferi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe shumë i dhënë pas librave, ku biblioteka e shtëpisë tyre ka qenë një nga më të njohurat në qytetin e Shkodrës. Myzaferi vishej me shije të hollë dhe kishte sensin e masës në çdo hap të jetës”, përfundon përcaktimin e ‘portretit’ tij, Uran Kalakulla.
Kryeredaktor i revistës “Fryma” në vitin 1944
Myzaferi me Arshiun ishin jo vetëm vëllezër, por dhe shokë të një ideali dhe mendimi. Ata mirkuptoheshin për çdo gjë duke bashkpunuar në disa drejtime. Kështu aty nga viti 1944, ata të dy pregatitën dhe nxorrën revistën me prirje nacionale e përparimtare “Fryma”. Atë revistë ata e nxorrën në qytetin e Shkodrës dhe Myzaferi ishte kryeredaktori saj. Ajo ishte një revistë shumë prestigjoze për atë kohë dhe mundi të dalë në shtatë-tetë numra. Si bashkpuntorë të saj në atë kohë, pati disa pena dhe emra të spikatur në fushën e letrave, si: Qemal Draçini, Besim Qorri, ing. Andrea Xega etj. Si editor i saj, Myzaferi u shqua për shkrime me mprehtësi, ku binte në sy erudicioni i tij dhe kopetenca profesionale në trajtimin e fenomeneve social-politikë si dhe atyre letrare të kohës. Kështu në numrin e fundit të asaj reviste, Myzaferi shkroi një artikull të gjatë, ku analizonte dhe kritikonte disa nga gabimet e qeverisë shqiptare që ishte asokohe nën okupacion gjerman.
Arrestimi nga gjermanët dhe internimi në Kampin e Prishtinës
Ishte ai artikull i cili i solli Myzaferit andralla të pafundme, deri sa përfundoi i arrestuar nga gjermanët. Pas kësaj, aty nga vera e vitit 1944 ai u internua në kampin famëkeq të Prishtinës. Në atë kamp asokohe së bashku me Myzaferin u internua dhe Gjikë Kuqali (“Hero i popullit”, por Myzaferi mundi të lirohet falë ndërhyrjes së një prej personaliteteve të njohura të Kosovës, që ishin njohur së bashku në rrethet intelektuale të Tiranës. Pas daljes nga kampi i Prishtinës, Myzaferi u vesh si partizan dhe duke kaluar nëpër male, erdhi deri në Priskë të Tiranës ku asokohe ishin grumbulluar formacione të mëdha partizane, e ndodhej shtabi kryesor i tyre. Ndonëse me uniformën e partizanit, ai nuk u inkuadrua në asnjë formacion të tillë dhe nuk mori pjesë në asnjë aksion të tyre. Mbarimi i Luftës e gjeti Myzafer Pipën në shtëpinë e tij në Tiranë, pranë prindërve, motrave, e vëllait Arshiut. Myzaferi nuk mendoi kurrë që të largohej nga Shqipëria si shumë nacionalistë të tjerë, për arsye se ai ishte i njohur si një antifashist dhe ishte dënuar si nga italianët, ashtu edhe nga gjermanët. Në këto rrethana, ai vendosi dhe hapi përsëri një zyrë avokatore në qytetin e Tiranës, për të ushtruar profesionin e tij.
Avokat në “Gjygjin Special” dhe debate me Koci Xoxen
Në avokatoren e tij e gjeti Myzaferin fillimi i marsit të vitit 1945, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës që kishte zbritur me eufori nga malet, hapi “Gjygjin Special”, për dënimin e të gjithë atyre që i konsideronte si kriminelë lufte. Në atë kohë me gjithë klimën e rëndë dhe mbytëse që ishte krijuar për atë proces gjygjësor nga ana e pushtetit komunist ku ishin vendosur në bankon e të akuzuarit mbi 60 persona, Myzafer Pipa pati kurajon që të merrte përsipër mbrojtjen e Tahsim Bishqemit, Abedin Xhikut, Andon Kozmaçit e Manush Peshkëpisë. që ishin shpallur “kriminelë lufte”. Myzaferi u mundua t`i mbronte me kopetencë profesionale e dinjitet klientët e tij dhe gjatë seancave gjyqësore ai debatoi ashpër, si me prokurorin, gjeneral-major Bedri Spahiun, ashtu dhe me kryetarin e gjyqit, gjeneral-leitnant Koci Xoxen. Kështu në një nga seancat e atij gjyqi, avokat Pipa i’u drejtua Koci Xoxes, ku midis të tjerave i tha: “Ti je një copë teneqexhi dhe nuk ke as kulturën e as dinjitetin e duhur juridik për të gjykuar këta njerëz që keni sjellë këtu, ku shumica e të cilëve janë patriotë të vërtetë” Këtë stigmatizim publik që Pipa i bëri Kryetarit të Gjyqit, ai nuk do t`ja harronte kollaj.
Arrestimi dhe vrasja në hetuesi
Nga fillimi i shtatorit të vitit 1946 në rrethinat e Shkodrës nisi ajo ngjarje që njihet tashmë si “Kryengritja e Postribës”, ku një numër i madh antikomunistësh që qëndronin të fshehur nëpër male, u organizuan dhe sulmuan me armë në drejtim të Shkodrës. Kështu pas shtypjes së saj nga brigadat partizane dhe Forcat e Ndjekjes të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit të komanduara nga Mehmet Shehu dhe Shefqet Peçi, nisën arrestimet masive. Një nga këtë persona që u akuzua dhe u arrestua si organizator e pjesmarrës në atë kryengritje, ishte dhe Myzafer Pipa. Ajo akuzë ndaj tij ishte e montuar dhe nuk qëndronte aspak, sepse ai jo vetëm që nuk kishte marrë pjesë aty, por as nuk kishte fare dijeni se kishte ndodhur një gjë e tillë. Sipas urdhërave që vinin nga Koci Xoxe e të miratuara nga Enver Hoxha, ndaj atyre të arrestuarëve të akuzuar për Postribën, u përdorën torturat më të rënda të drejtuara nga instruktorët jugosllavë që ishin atashuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme që asokohe drejtohej nga ministri, kolonel, Haxhi Lleshi. Këto tortura u përdorën dhe ndaj avokat Myzafer Pipës, ku sipas materialeve arkivore që hedhin dritë mbi këto proçes, morën pjesë që nga Kryetari i Degës Brendshme, kolonel Zoi Themeli, e ushtarakët e tjerë, si: Nesti Kopali, Vaskë Koleci, Enver Mesi etj., që asokohe shërbenin në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Sipas dëshmive të një kleriku katolik që asokohe ka qenë i arrestuar së bashku me Myzafer Pipën dhe që ka mundur të jetojë mbas shumë viteve burg, Myzaferit ja dogjën mishin me hekur të nxehtë dhe më pas i ranë me një plumb pas koke, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj, trupin e tij të pajetë e hodhën nga dritarja e hetuesisë, duke shënuar në kartelën e tij se ai u qëllua nga rojet e burgut, pasi tentoi të arratisej. Kështu avokati i njohur Myzafer Pipa, që ishte arrestuar e dënuar si antifashist me fakte e prova nga italianët e gjermanët dhe kishte shpëtuar i gjallë, nuk mundi të shpëtonte nga komunistët që e arrestuan e dënuan pa asnjë prove, duke mos i dhënë mundësinë as për të dalë në ato që ata i quanin “Gjyqet e Popullit”. Që nga ajo ditë dhe sot, akoma familja e tij nuk e di se ku mund të prehen eshtrat e Myzafer Pipës. /Memorie.al/