Studimet e fundit tregojnë se njerëzit që shkruajnë rregullisht me dorë zhvillojnë aftësi njohëse më të forta sesa ata që përdorin kryesisht tastierën. Edhe në një epokë digjitale, lapsi dhe letra vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si funksionon truri.
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), shkrimi me dorë ndihmon në përmirësimin e perceptimit, të nxënit, kujtesës, të kuptuarit, arsyetimit dhe aftësive gjuhësore. Procesi i të shkruarit me dorë kërkon koordinim më të madh mes syrit, dorës dhe trurit, duke aktivizuar një numër më të madh zonash njohëse, transmeton KultPlus.
Edhe pse për shumë njerëz mund të duket më i ngadalshëm ose më pak praktik sesa përdorimi i tastierës, shkrimi me dorë ndihmon që informacioni të përpunohet më thellë dhe të mbahet mend më lehtë. Kjo është arsyeja pse shumë ekspertë e konsiderojnë atë një mjet të rëndësishëm për nxënie më efektive, veçanërisht tek nxënësit dhe studentët.
Në një kohë kur teknologjia dominon jetën e përditshme, studimet sugjerojnë se kthimi herë pas here tek letra dhe lapsi mund të jetë një mënyrë e thjeshtë, por shumë e dobishme për të ushtruar trurin dhe për të përmirësuar përqendrimin dhe kujtesën./KultPlus/






