Kurti bën thirrje që të dënohen përgjegjësit e masakrës së Rezallës

    Krerët shtetërorë të Kosovës kanë bërë homazhe të martën, 5 prill, në memorialin e dëshmorëve në Rezallë.

    Në këtë fshat të komunës së Skenderajt, forcat serbe kanë vrarë 98 persona në luftën e viteve 1998-99.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se tre të mbijetuarit e masakrës së Rezallës kanë shpëtuar rastësisht, pasi “qëllimi ka qenë që të mos e lënë asnjë të gjallë.

    Sipas Kurtit, “kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

    “Nuk ka dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht, përveçse nga ne shqiptarët që e përjetuam, andaj edhe drejtësia vendore, edhe ajo ndërkombëtare, duhet që pa vonesë dhe me ngulm të veprojnë, në mënyrë që përgjegjësit edhe urdhërdhënësit, edhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se trupat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, po mbahen ende brenda Serbisë.

    Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se masakra e Rezallës është dëshmi e fortë për faktorin ndërkombëtar “që t’i bëjë presion Serbisë për krimet që ka bërë në Kosovë”.

    “Të gjitha këto varre këtu janë dëshmia më e fortë për të gjithë ata që ende kanë hezitime apo hamendje në kokat e tyre se çfarë sakrificash, çfarë vuajtjesh ka pasur populli ynë, familjet tona, për të arritur te kjo ditë”.

    Më 5 prill të vitit 1999, në masakrën e kryer në Rezallë janë vrarë 98 persona.

    Rastet e vrasjeve te këtyre personave nuk kanë dalë ende para drejtësisë.

    Më 2016, familjet e viktimave të masakrës së Rezallës kanë ngritur kallëzim penal kundër ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq.

    Dikoviq, gjatë luftës në Kosovë, ka qenë komandant i brigadës së 37-të të ushtrisë jugosllave.

    Kallëzimin në Prokurorinë Speciale të Kosovës, familjarët e patën ngritur edhe kundër Dejan Rangjelloviqit, i cili në atëbotë ka komanduar me batalionin e dytë të brigadës së njëjtë.

    Të dy ata konsiderohen përgjegjës për vrasjen dhe masakrimin e 41 civilëve shqiptarë në vitin 1999.

    Më 2018, Dikoviq është pensionuar.

    Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi pati thënë se posedon dokumente që tregojnë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rezallë kanë marrë pjesë ushtarët e brigadës 37.

    Dikoviq i ka mohuar këto pretendime dhe prokurorët serbë nuk kanë ngritur ndonjë akuzë kundër tij.

    Ditëve të fundit, udhëheqësit shtetërorë të Kosovës kanë kryer homazhe edhe në fshatrat tjerë, për të përkujtuar viktimat e luftës.

    Në mesin e tyre ka qenë vizita në Krushën e Madhe ku janë vrarë 241 persona.

    Ata kanë vizituar edhe të mbijetuarit e familjes Berisha në Suharekë, të cilës i janë vrarë 50 anëtarë më 26 mars të vitit 1999.

    Homazhe janë bërë edhe në Lybeniq të Pejës.

    Kosova ka dalë nga lufta e vitit 1998-99, me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur.

    Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët jan bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.

    Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave.

    Mbi 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 njerëz. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Zgjedhjet që “i dhanë fund demokracisë”

    Lajmi i rradhës

    BIRN: Një vit kanë ndarë drejtësi gjykatës me mandat të skaduar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë