Kurti kërkon përditësim të masave për luftim të pandemisë

    Foto: Tanjug

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar të enjten, 20 janar, përditësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.

    Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë – ku ka marrë pjesë Kurti – është thënë se pothuajse të gjitha rastet e infektimit janë me variantin Omicron të koronavirusit.

    Kurti ka kërkuar që masat e reja të kenë qëllim ngadalësimin e rritjes së shkallës së infektimit.

    Sipas masave aktuale, të miratuara më 23 tetor të vitit të kaluar, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga mesnata deri në ora 05:00.

    Bizneset e gastronomisë punojnë deri në orën 23:00, derisa muzika ndalet në orën 21:30.

    Masat e reja pritet të prekin orarin e këtyre bizneseve.

    Më 19 janar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 2,050 raste të infektimit. Kjo shifër paraqet një rritje të madhe krahasuar me një ditë më parë, kur u regjistruan 720 infektime.

    Varianti Omicron i koronavirusit përhapet më lehtë se variantet tjera dhe duket se përcillet me simptoma jo shumë të ashpra.

    Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që ky variant të mos konsiderohet i butë.

    Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet kosovare kanë regjistruar mbi 163.000 raste të infektimit.

    Prej tyre 2.995 persona kanë vdekur.

    Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.

    Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës.

    Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

    Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë./REL/

    Lajmi Paraprak

    Sa ndikon leximi i librave në zhvillimin e fëmijës?

    Lajmi i rradhës

    Biden: Sulmi ndaj Ukrainës do të përbënte “katastrofë për Rusinë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë