Kurti kritikon BE-në për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “të padrejtë dhe të dëmshëm” vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

    Ky vendim, sipas tij, është “edhe dekurajues për integrimin e serbëve të Kosovës”.

    Por, shtoi Kurti, “ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë në vendimet e Brukselit”.

    Kurti i bëri këto komente për gazetarët, gjatë përurimit të disa hapësirave të rinovuara në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e morën vendimin e lartpërmendur më 22 korrik.

    Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

    Serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, janë aktualisht të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

    Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për ta qysh në nëntor të vitit të kaluar.

    Kosova nuk i njeh pasaportat e Drejtorisë Koordinuese të Serbisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

    Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës.

    Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Naim Ismaili u zgjodh kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës

    Lajmi i rradhës

    PSIKOLOGJI

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë