Kush do ta ndërtojë hidrocentralin Çebren?

    Dështoi edhe tenderi i 14-të për ndërtimin e hidrocentralit Çebren. Deri më 31 dhjetor nuk kishte asnjë vendim për vazhdimin e kontratës për Çebren. Ministria e Ambientit do ta informojë Qeverinë se tenderi ka dështuar, njoftoi ministrja e këtij dikasteri Kaja Shukova. Kompania shtetërore greke u tërhoq nga projekti pasi u ankua se kushtet “nuk ofrojnë mundësi të mira për ta për të siguruar fonde nga bankat për të ndërtuar Çebren”. Ministrja Shukova beson se shteti humbi me shembjen e tenderit të 14-të, por tha se ekspertët e energjisë duhet të vendosin nëse do të ketë tender të ri apo shteti do të ndërtojë vetë kë të hidrocentral. Nga ana tjetër opozita akuzon se tenderi dështoi për shkak të vendimeve hetuese apo konfuze të qeverisë. Për vazhdimin e projektit, përveç zgjerimit të garancisë bankare, PPC greke “Archirodon” duhej të nënshkruante një marrëveshje për sipërmarrje të përbashkët me Elektranat e Maqedonisë. Ajo u zgjat deri më 15 janar për shkak se procedura ankimore e nisur nga pala greke ishte në vazhdim dhe autoritetet në Shkup prisnin që nëse kompania do të zgjaste garancinë ndërkohë, do të nënshkruante kontratën. Mirë po kjo nuk ndodhi.

    Ky është tenderi i 14-të me radhë , pas 13 tenderëve të dështuar në gati 20 vitet e kaluara apo nga viti 2006 e këndej. Sipas ligjeve të Maqedonisë, kompania greke fillimisht duhej të merr koncesionin e ujit, e më pas të nënshkruajë një marrëveshje koncesionare. Pikërisht ky është objekti i procedurës së ankimimit të kompanisë shtetërore greke.

    Ideja për realizimin e këtij projekti rrjedh nga vitet e 60 të shekullit të kaluar. Thirrja e fundit publike, para kësaj aktuale, është publikuar në vitin 2016. Me vendimin e fundit qeveritar, kompania greke PPC- ARÇHIRODON E fitoi koncesionin për shfrytëzimin e ujit në lumin “Crna Reka” si ofertë më e favorshme. Kompania grek pritej deri në vit të ri të themelojë një shoqëri aksionare me Elektroekonominë e Maqedonisë e cila do të kishte një të tretën e pronësisë në këtë hidrocentral që pritej të vendoset në funksion në vitin 2031. Lidhur me atë nëse shteti ka kapacitete që në mënyrë të pavarur ta ndërtojë Çebren-in, eksperti financiar Branimir Jovanoviq, thotë se kjo është e mundur. Duke pasur parasysh se projekti me vlerë një miliard euro planifikohet të ndërtohet për shtatë vjet, llogaritjet thonë se nga buxheti i shtetit nevojiten rreth 150 milionë euro në vit, të cilat, thotë Jovanoviq, mund të “sigurohen shumë komode”. Nga ana tjetër, Shoqata e inxhinierëve do të ndërmarrë iniciativë për miratimin e ligjit me të cilin do të fillojë ndërtimi i Çebrenit me forcat e Maqedonisë, thotë eksperti Konstantin Dimitrov, i cili është pjesë e kësaj shoqate. Sipas tij, kemi kapacitete vetanake që ta ndërtojmë vetë Çebren, përderisa ky është një projekt që duhet ta bashkojë shoqërinë.

    Në ndërkohë, përkundër pretendimeve të ekzekutivit se pavarësisht se kompania greke ka kërkuar kushte shtesë, qeveria ka vendosur të qëndrojnë me të njëjtat kushte si në tender. Nga ana tjetër ka reaguar VMRO-DPMNE opozitare. Sipas tyre, disa herë në periudhën e kaluar janë ndryshuar vendimet dhe kanë krijuar një situatë komplekse që do të shkaktojë probleme në të ardhmen.

    Konfuzioni, sipas opozitës, nisi kur qeveria e ish kryeministrit Zoran Zaev në vitin 2019 vendosi t’ia lëshonte hidrocentralin e Tikveshit kompanisë që do të marrë projektin Çebren, tre muaj pasi filloi ndërtimi.

    “Pas një kohe të shkurtër pushtetin e merr qeveria teknike e udhëhequr nga Oliver Spasovski, e cila merr vendim të ri më 4 shkurt 2020, me të cilin fshihen të gjitha këto obligime të përcaktuara në vendimin fillestar. Dhe dy javë më vonë u publikua thirrja publike dhe në të shfaqen sërish detyrimet e fshira. Situata u komplikua edhe më shumë nga fakti se ndërkohë është publikuar thirrja për pjesëmarrjen e kompanive në parakualifikim, në të cilën thuhet se kompania fituese do të marrë Hidrocentralin Tikvesh tre muaj pasi të fillojë punën Çebren, d.m.th. ndërtimi do të përfundojë”, thonë nga VMRO-DPMNE. Konfuzioni, shtojnë ata, vazhdoi, kështu që vitin e kaluar kur u zgjodh kompania greke, qeveria iu referua vendimeve të para tre viteve e gjysmë, me të cilat HEC Tikvesh njëherë do t’i jepet kompanisë dhe më pas fshihet i njëjti kusht.

    Hidrocentrali i kthyeshëm apo reverzibil Çebren në Crna Reka, sipas planit, duhet të ketë një kapacitet të instaluar prej së paku 333 megavat. Është planifikuar që të ketë funksionin e prodhimit të energjisë elektrike, si dhe mënyrën e pompimit dhe kthimit të ujit, me të cilin duhet të krijohet një liqen i ri artificial në Crna Reka, i cili do të jetë më i madhi në vendin tonë.

    Nëse do të ndërtohet hidrocentrali i Çebrenit, ai duhet të prodhojë pothuajse aq energji elektrike sa hidrocentralet e tjera në vend së bashku. Krahas kompanisë shtetërore greke PPC “Archirodon”, ofertë është paraqitur edhe nga EDF franceze, por siç ka njoftuar ish-ministri i Mjedisit Naser Nuredini në shtator 2022, francezët kishin paraqitur një ofertë jodetyruese dhe nuk ka dhënë garancinë e kërkuar për pjesëmarrje në procedurë. Edhe në kohën e ish-Jugosllavisë, nga këto tre hidrocentrale si Çebren, Galishte dhe Tikvesh, është ndërtuar vetëm HEC-i i Tikveshit, i cili ende funksionon me sukses dhe është një pjesë e rëndësishme e ruajtjes së stabilitetit të sistemit elektroenergjetik. Në gati 20 vitet e fundit ka pasur më shumë përpjekje të pasuksesshme përmes procedurave tenderuese për t’i ofruar këto dy hidrocentrale (Çebren dhe Galishte) së bashku me HEC Tikvesh një partneri privat i cili së bashku me Elektroekonominë është dashur t’i menaxhojë. Mirëpo edhe ofertat serioze nga kompani të mëdha, si ajo gjermane RVE (sot kompania më e madhe e energjisë në BE) dhe kompania shtetërore greke PPC, ato nuk janë realizuar në praktikë dhe janë anuluar e procedurat e tenderit.

    Prodhimi vjetor i pritshëm i energjisë elektrike është rreth 1000 gigavat orë, përderisa së bashku me një sistem kaskadë të hidrocentralit ekzistues do të prodhojë rreth 1200 gigavat orë apo rrymë për afër 180 mijë amvisëri.

    Nga Elektroekonomia e Maqedonisë theksuan kohë më parë se qëllimi i të gjitha qeverive deri më tani ishte t’ia jepnin atë një partneri të huaj për shkak të disponueshmërisë së lehtë të financave, kompleksitetit të projektit dhe blerjes së njohuri të reja. Sipas ofertës, EEM do të kishte 33 për qind të aksioneve në kompaninë e përbashkët, që do të thotë se edhe EEM do të jetë aktive në këtë projekt. Në realizimin e këtij projekti do të përfshihej ndërtimi i rrugës, rrjeti i lidhjes, shpronësimi dhe inxhinierët.

    Paraprakisht, profesori i energjetikës Konstantin Dimitrov vlerëson se kontrata për dhënien me koncesion të ujërave të Crna Rekës për ndërtimin e hidrocentralit të Çebrenit është e dëmshme për shtetin. Sipas tij, kontrata për projektin është shkatërruese për sistemin energjetik të Maqedonisë dhe do të na bëjë qiramarrës në shtëpinë tonë. Dimitrov pretendon se Maqedonia mundet dhe duhet të ndërtojë Çebrenin me fondet e veta në mënyrë që të zvogëlojë varësinë energjetike të vendit.

    Nga ana tjetër, Shoqata e Inxhinierëve të Republikës së Maqedonisë vlerëson se projekti për ndërtimin e hidrocentralit Çebren me partneritet publiko-privat është i dëmshëm dhe se cenon pavarësinë energjetike të vendit sepse jepet koncesion për 60 vjet, plus shtatë vite për ndërtim. Ata thonë se të gjitha kapacitetet e rëndësishme energjetike duhet të mbeten në pronësi të shtetit dhe se çdo shitje e blloqeve në Termocentralin e Manastirit dhe në veçanti e hidrocentraleve është cenim i pavarësisë energjetike dhe sovranitetit energjetik të shtetit, e me këtë edhe i sovranitetit të tij shtetëror.

    Njëherësh, Shoqata e inxhinierëve i kishte dorëzuar presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, peticion për hidrocentralin e Çebrenit. Ata i kërkonin atij, në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve që ka, të parandalojë kërcënimin e, siç thonë ata, “sovranitetin e shtetit dhe integritetin e tij territorial, si dhe themelet e marrëdhënieve ekonomike dhe organizimit të territorit për nevojat e mbrojtjes të parashikuara nga Plani për Mbrojtjen e Republikës”.

    Ndryshe, ideja për ndërtimin e Çebren daton në vitin 1953 dhe fillimisht ishte planifikuar të ndërtoheshin hidrocentralet Tikvesh, Galishte dhe Çebren. Në vitin 1964 është realizuar Tikvesh, kurse për dy të tjerët deri më tani janë bërë 14 tenderë, nga të cilët vetëm i fundit rezultoi i suksesshëm dhe parashikon ndërtimin e HEC-it të Çebrenit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Cila përbërje do t’i dalë ballë Kushtetutës?

    Lajmi i rradhës

    Ajri i ndotur në Shkup / A kujdeset Arsovska për shëndetin e qytetarëve?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë