Kush do të shpëtojë? | Amnisti për shkelësit e masave kundër Covid-19

    Më shumë se 1.200 qytetarë në Maqedoninë e Veriut presin që t’u shpëtojnë gjobave “të kripura” që duhet t’i paguajnë për mosrespektimin e masave antikovid. Bëhet fjalë për një kategori qytetarësh që nuk kanë mundësi ose kanë refuzuar t’i paguajnë këto gjoba, dhe për këtë detyrohen që dënimin ta vuajnë me burg. Por kjo jo vetëm që do të ngarkojë edhe më shumë burgjet që tashmë janë të mbipopulluara, por do të jetë edhe barrë shtesë për buxhetin e burgjeve. Daljen nga kjo situatë institucionet kompetente e shohin tek amnistimi, me anë të së cilit parashihet që qindra qytetarëve t’u falen gjobat dhe të zëvendësohen me dënim me kusht.

    Amnistia planifikohet të zbatohet vetëm për gjoba që kanë të bëjnë me individë dhe jo me gjobat e kompanive. Statistikat e dhëna tregojnë se vetëm gjatë këtyre dy viteve të fundit nëpër gjykata janë dhënë 77 aktgjykime të formës së prerë për persona fizik për veprën penale nga neni 205 “Transmetim i sëmundjes infektive”, dhe 5553 vendime të formës së prerë nga neni 206 i Kodit Penal “Mosrespektim i rregullave shëndetësore gjatë një epidemie”.
    Për këto dy vite të pandemisë qytetarëve të Maqedonisë ju janë ngritur mijëra padi dhe ju janë shqiptuar një numër i madh i gjobave.

    Në bazë të rregullores ligjore nëse gjobat nuk paguhen brenda dy viteve, gjykatësi për ekzekutim të sanksioneve duhet t’i zëvendësoj me dënim me burg. Për këtë arsye personat që nuk kanë mundësi t’i paguajnë, do të vuajnë dënim me burg.

    Sipas ministrit të Drejtësisë, Nikolla Tupançeski, shkelësit nuk janë kriminelë, por individë që gjobat po ju shndërrohen në burg. Gjatë këtyre ditëve Tupançeski informoi për iniciativën e përgatitjes së projektligjit për amnisti, e cila buron nga Gjykata Themelore në Shkup ku është edhe numri më i madh i këtyre lëndëve. “Këtu nuk bëhet fjalë për persona që kanë kryer krime dhe janë kriminel në kuptimin e plotë të fjalës. Por bëhet fjalë për persona që vetëm kanë shkelur masat antikovid, dhe në bazë të asaj që parashikon kodi ynë penal më së shpeshti janë gjobitur. Bëhet fjalë për më shumë se 1.200 persona të cilët nëse nuk e paguajnë gjobën, për një kohë të shkurt do t’u kthehet në dënim me burg.

    Kjo ishte ide e Gjykatës Penale, pasi projektligji tashmë është gati dhe është në procedurë parlamentare. Duhet që të veprojmë shpejtë, sepse nëse nuk e miratojmë ligjin në kohë do të vonohet edhe zbatimi i tij”, deklaroi Tupançeski në një intervistë për media. Ai gjithashtu tha se ata që tashmë kanë paguar gjobat e tyre që zakonisht ishin nga 1.000 deri në 2.000 euro paratë nuk do ju kthehen. Gjatë vitit 2021, qytetarëve shtrenjtë i’u ka kushtuar vetëm mosrespektimi i masës për vendosjen e maskës mbrojtëse. Sipas llogaritjeve për një vit në buxhetin e shtetit janë derdhur mbi 3.8 milionë euro vetëm nga xhepat e qytetarëve për mosrespektim të masës për mbajtjen e maskës mbrojtëse.

    Vetëm nga MPB janë nxjerrë mbi 194 mijë gjoba për shkelje të kësaj mase mbrojtëse, gjoba këto të cilat ishin nga 20 deri në 2.000 euro, e të cilat janë paguar nga kompanitë vendase dhe të huaja për mossigurimin e maskave mbrojtëse për punëtorët e tyre që të mbrohen nga Kovid-19. Ajo që tregojnë statistikat është se gjatë dy viteve të fundit janë gjobitur mijëra qytetarë për shkelje të masave antikovid.

    Procedura e shkallës së parë po vazhdon për 255 lëndë, ndërsa procedurë ankimore ka për 73 lëndë. Gjoba deri në 500 euro duhet të paguajnë 2.385 qytetarë, prej 1.000 deri 2.000 euro 2.124 qytetarë. Për mosbindje ndaj masave antikovid në Maqedoni gjatë pandemisë, gjoba prej 2.000 euro kanë “fituar” 170 qytetarë. Në Gjykatën Penale në Shkup, në periudhë kohore prej 01.01.2020 deri më 30.06.2022, nga prokuroria janë dorëzuar 967 urdhra penale për nenin 206 të Kodit Penal, për të cilat gjykata ka marrë aktvendim në bazë të urdhrit penal me anë të cilit 1.223 persona janë dënuar me gjobë prej 123.000 denarë.

    Në periudhë të njëjtë 762 urdhra të tjera penale janë kundërshtuar nga të pandehurit, dhe për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë ku sanksioni është gjoba. Duke pasur parasysh atë se nëse gjobat nuk paguhen brenda dy viteve gjykatësi për ekzekutim të sanksioneve e zëvendëson atë me burgim, Gjykata Themelore Penale mori vendime zëvendësuese për 280 prej tyre, me të cilat gjoba është zëvendësuar me burgim për 280 persona. Pas këtyre vendimeve janë dhënë 205 akte për vuajtje të dënimit. Një numër i madh i të dënuarve nuk kanë bërë ankesa për aktgjykimet, ose i kanë injoruar dhe kanë pritur që të thirren nga gjykata për gjykim. Amnistia ekziston dhe aplikohet nga shumë vende evropiane themelet ligjore të së cilëve qëndrojnë në kushtetutat e tyre. Këtë e përcjell edhe kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, prandaj në nenin 68 parashihet që këtë vendim ta sjellë Parlamenti. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Dibra mbetet edhe pa epidemiolog

    Lajmi i rradhës

    Të burgosur me kushte çnjerëzore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë