Kandidatët për rektorë në Universitetin e Tetovës, ankohen për presione dhe agjitacion në fushatën zgjedhore

    Kandidatët për rektorë në Universitetin e Tetovës, Myqerem Rusi, Bashkim Ziberi, Dervish Alimi dhe Jusuf Zejneli, përveç prezantimit të platformave të tyre që pritet t’i realizojnë nëse zgjidhet ndonjëri prej tyre rektor, në TV21 folën edhe për parregullsitë gjatë fushatës, presioneve dhe agjitacioneve në procesin zgjedhor, shkruan Nistori.

    “Duhet të jemi të transparent. Për çdo punë që bëhet që i takon universitetit, duhet të jemi transparent. Qoftë për projekte, qoftë për gjëra që janë ndikuese në aspektin psikologjik. Duhet të jemi transparent dhe të ballafaqohemi se këto janë lidhje kauzale. Unë jam psikologe, presioni tek unë nuk ndikon. Unë i tejkaloj. A ekziston? Po. Por unë nuk jam e ndikuar. Unë nuk e di, a janë frikësuar se jemi katër kandidatë, jemi konkurrent. Unë nuk e di kush, por profesorët në përgjithësi janë frikësuar, më duket. Unë frikën nuk e njoh. Nuk jam frikësuar në kohën shumë më të vështirë dhe jam ballafaquar me shumë çka dhe kam dalë faqebardhë. Nëse ka ndonjë profesor që ka presione e kështu me radhë, ai duhet ta ketë atë egon e vet, ndërgjegjen e vet”, u shpreh Myqereme Rusi.

    Gazetari: Çka po quani presion?
    Myqereme Rusi: Presion, insistimi.
    Gazetari: Që dikush e thirr dikë me votu këtë?
    Myqereme Rusi: Ashtu diçka.
    Gazetari: Po thoni ka kurdisje paraprakisht?
    Myqereme Rusi: Ashtu diçka.
    Gazetari: E pse?
    Myqereme Rusi: Unë nuk mund t’ua jap përgjigjen. Unë këtë universitet e dua si fëmijën tim. Dhe kur e kam themeluar – nënshkruese e themelimit, kam thënë se sonte lindi një fëmijë, të cilin duhet ta kalitim dhe rritim i gjithë populli. Mua nuk më trembet syri prej asgjë, aq më pak prej punës që dua ta bëj. Janë të kota këto, ndoshta janë thashetheme, nuk mund të verefikoj asgjë, por janë këto gjëra.

    Rusi ndër të tjera tha se rektori e ka punën dhe pavarësinë e vet, dekanati duhet të jetë institucion në vete që të funksionojë në mënyrë demokratike, pasi sipas saj, aktualisht në UT mbizotëron një frymë autokrate dhe nuk duhet bërë diktime nga lartë.

    Edhe Dervish Alimi foli për obstruksionet e garës dhe përmendi momentin kur gjatë ditës së prezantimit në amfiteatrin e universitin, stafi udhëheqës nuk kanë qenë të pranishëm gjatë kohës që kanë prezantuar kandidatët tjerë programet e tyre, ndërsa kur ka prezantuar Jusuf Zejneli, stafi ka qenë i pranishëm.

    “Ka presione psikologjike, në anglisht quhet (body language). Nuk duhet ta thuash, e thua me veprim. Shikoni rastin konkret, pa e pasur personale. E kishim një ditë prezantimin e kandidatëve në universitetin “Kirili dhe Metodij”, ishin të gjithë bashkë dhe të gjithë kishin të drejtë të dëgjonin secili veçmas gjatë prezantimit. Këtu (në Universitetin e Tetovës) u bë një obstruksion, se unë i di ato ndërkëmbëzat. Në mëngjes (gjatë ditës së prezantimit të platformave), Bashkimi ishte i pari, unë i dyti dhe nuk erdhi askush nga universiteti, stafi apo udhëheqësia. Bashkë me kolegun (duke iu drejtuar kandidatit Jusuf Zejneli) erdhën të gjithë dhe defiluan së bashku dhe ata çuan porosi ky (Jusuf Zejneli) është favoriti ynë. Ashtu e kuptoj unë. Te unë nuk vjen, te ky vjen. Tash, çfarë porosi kjo çon te njerëzit që duhet të votojnë, ah këta e kanë zgjedhur. Ajo ndikon psiqikisht”, tha nga ana tjetër Dervish Alimi, duke shtuar se profesorët tjerë nuk u afrohen kandidatëve për rekor gjatë fushatës, pasi mund të kenë probleme.

    Por këtë gjë e ka mohuar kandidati për rektor Jusuf Zejneli, duke thënë se ai vet ka qenë i pranishëm kur ka prezantuar kandidatja Myqereme Rusi, por nuk ka mundur të jetë i pranishëm te prezantimet e kandidatëve tjerë, kjo për shkak të kohës.

    “Unë kisha mundësinë dhe kënaqësinë të jem pjesëmarrës në prezantimin e programës të kandidates, profesoreshës Myqereme Rusi dhe e kam dëgjuar me shumë vëmendje. Për shkak të kohës nuk kisha hapësirë të shkoj t’i dëgjoj edhe dy kolegët tjerë. Natyrisht që respektoj programin e punës dhe platformës dhe vërejta që në prezantimin e profesoreshës (Myqereme Rusi) ishte prezent udhëheqësia e universitetit. Unë nuk mund të them se udhëheqësia ishte në bazë të pozitës zyrtare apo si profesor. Për arsye se unë jam dekan i fakultetit juridik, por sot këtu nuk jam si dekan, por kandidat për rektor”, deklaroi Zejneli, duke shtuar se ligji nuk ia kërkon që të japë dorëheqje nga pozita e dekanit në ndërkohë sa është duke garuar për rektor.

    Ndryshe kandidati për rektor Bashkim Ziberi tha se Zejneli garon si kandidat dhe jo si dekan, por në ditën e prezantimit të platformave të kandidatëve në amfiteatrin e universitetit, udhëheqësia e universitetit nuk erdhi nga pozita e kandidatëve.

    “Udhëheqësia e universitetit nuk janë kandidatë. Ai (Vullnet Ameti) është kryetar senati. Profesor doktor Vullnet Ameti është kryetar senati. Edhe atë ditë që janë prezantuar platformat, ka qenë kryetar senati dhe vazhdon të jetë kryetar senati. Kështu që, kur vjen në prezantim, nuk mund të vijë si profesor, derisa ti ke një funksion. Dhe unë në emailin e parë që u jam drejtuar, i kam lutur që ta ruajnë neutralitetin si organi më i lartë i universitetit”, u shpreh Ziberi, duke përmendur rastet se profesorë të caktuar thirren nga rektorati, nga prorektorët që t’i bindin të votojnë atë apo këtë kandidat, se ju jeni me ne dhe jo me ata.

    Ziberi shtoi se udhëheqësia aktuale e universitetit po ndikon drejtëpërdrejtë në procesin zgjedhor.

    Në fund të debatit, kandidatët u pyetën se për cilin kandidat do të votojnë njërin prej tyre. Bashkim Ziberi u prononcua se do të votonte Myqereme Rusin. Dervish Alimi tha se do të votonte profesor Bashkim Ziberin. Myqereme Rusi do të votonte për Bashkim Ziberin, me arsyen se ka studiuar jashtë dhe do të mund t’i zbatonte trendet e ndryshme në universitet. Ndërkaq profesor Jusuf Zejneli nuk u prononcua nëse do të votonte njërin prej kandidatëve, por u bëri thirrje profesorëve dhe studentëve që ta mbështesin. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Me hapa breshke drejt përmbushjeve të zotimeve!

    Lajmi i rradhës

    “Luftë në prag të shtëpisë”: Kur konflikti zgjerohet në qytete e qyteza ruse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë