Historia e heroit të “Radiostacionit” i cili deklaroi Shqipërinë e lirë

    SEJDO HARKA/ Emri i Todo Bojdanit ka qenë dhe mbetet simbol i “Radiostacionit Shqiptar” dhe i “Radio Tiranës”. Ai, që në ato vite, sa të vështira, aq dhe të lavdishme luftimesh, u bë trumbeta që do të ndizte zjarrin e dashurisë për atdheun e lirinë dhe urrejtjen për pushtuesit, të cilët kërkonin që trojet tona t’i shkelnin me çizmen e egër të sundimtarit dhe t’i digjnin e shkrumbonin me zjarrin e armëve të barbarit.

    Zëri i këtij “Radiostacioni”, për të cilin ka shkruar dhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, do të ndihej fuqishëm gjatë gjithë Luftës Çlirimtare, në çdo pëllëmbë të vendit, deri në majat më të larta, nga ku luftëtarët e lirisë përgatisnin qefinin e shporrjes përfundimtare të pushtuesëve të vendit. Ishte figura e heshtur e Todo Bojdanit, ideatorit dhe krijuesit të Ndërlidhjes Shqiptare dhe të “Radio Tiranës”, që do të bëhej frymëzim për autorët, për shkrimin e kësaj monografie të bukur.

    Që figura e Todo Bojdanit të dilte sa më e plotë dhe më e kthjellët, u desh bashkëpunimi i dy mjeshtërave, të cilët, me veçoritë e tyre individuale të papërsëritshme, plotësojnë njeritjetrin. Dy autorët e këtij libri janë: mjeshtëri i artit të fjalës dhe publicisti i njohur Albert Z. Zholi, i cili shquhet për gjuhën elokuente dhe naracionin e ëmbël dhe Sulejman Basha, i cili dallohet si mjeshtër i zbulimit dhe përdorimit të burimeve arkivore, për ta bërë figurën e protagonistit sa më të gjallë dhe më të besueshme për lexuesit. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore që e bën këtë monografi të lexohet me kërshëri dhe me një frymë.

    Akoma më të bukur këtë libër e bën fakti që në faqet e tij, bashkë me jetën dhe veprën e Todo Bojdanit, rend historia e gjallë e Luftës Çlirimtare të popullit tonë dhe heroizmi i shumë luftëtarëve të lirisë, që ranë në fushën e betejës për të mos vdekur kurrë. Ata vinë në këtë monografi, ashtu si “Trimat nëpër këngë/ gjallë mes të gjallëve”. Por, në shënimet tona për këtë monografi, do të ndalemi kryesisht te figura e Todo Bojdanit, protagonisti kryesor i kësaj monografie.

    Ja ç’shkruan, që në faqen e parë të këtij libri, Albert Z. Zholi: “Nuk ishte e lehtë ta zgjoje nga arkivat të riun drenovar Todo Bojdani, që ra në kontakt me idetë komuniste e që u magjeps pas tyre, që kur hyri në radhët e Grupit Komunist të Korçës në vitin 1936, i cili me profesionin e radiodhënësit, u bë zëri i luftës partizane, i ‘Radio Tiranës’ dhe i ‘Shqipërisë së lirë’”.

    Ndërsa bashkëautori i kësaj monografie, Sulejman Basha, mes të tjerash thekson: “Todo Bojdani e la meritën e tij në duart e historisë. Ndaj është nder të shkruash për njerëz si ai, që tërë jetën foli me gjuhën e heshtjes e humanizmit, me gjuhën e guximit, mençurisë dhe veprimit”. Todo Bojdani, tërë jetën u bë ideator dhe realizues i veprimeve të zgjuara e të guximshme. Që në vitin 1939, ai u bë zëdhënës i “Radio Tiranës”. Në vitin 1942 caktohet shef Teknik i “Radio Korçës”. Ndërsa në 10 shtator të këtij viti, ai drejton aksionin më të guximshëm për rrëmbimin e “Radiostacionit të Korçës”. Që prej këtij aksioni, Bojdani nis jetën dhe veprimtarinë e tij të plotë ilegale.

    Ishte Todo Bojdani ai, që mori në dorëzim “Radio Tiranën” dhe centralin SITA, nga mikrofoni i të cilit, më 28 nëntor 1944, në emër të qeverisë, deklaroi çlirimin e plotë të Shqipërisë. Todo është shembulli i njeriut, që nuk luftoi për lavdi, karrige, e pasuri, por për ideale të larta, të cilat më vonë do të tradhëtohen pikërisht nga ata, që gjithçka e patën bërë për lavdi e pushtet të përjetshëm. Ai, edhe pse rridhte nga një familje me gjendje të mirë ekonomike, mbajti anën e shtresave të varfëra dhe të njerëzve në nevojë.

    Është detyrë e njerëzve të ditur dhe krijues, që në ditët e sotme, kur idealistët si Todo Bojdani janë specje në zhdukje, t’i përjetësojë në libra e filma, për të promovuar shpirtin e tyre të pavdekshëm idealist, në shërbim të kombit, atdheut dhe të gjithë shoqërisë. Prandaj, mund të themi se kjo monografi është, jo vetëm një libër me vlera njohëse dhe artistike, që lexohet me kënaqësi, por, duke qënë një homazh për protagonistin Todo Bojdanin dhe ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit, mban brenda vlera të mëdha edukative e frymëzuese për brezin e ri.

    Po, kush ishte në vërtetë Todo Bojdani: Ai u lind në Drenovë të Korçës, më 12 mars të vitit 1914, në një familje atdhetare dhe me një gjendje ekonomike të mirë. Prindërit e tij ishin nga familje të mëdha me tradita atdhetare dhe kulturore. I ati i tij, Jani, ishte nga nga Drenova e Asdrenit të “Hymnit të flamurit”, ndërsa e ëma, Petrina, ishte e bija e klerikut Papa Ikonomi nga Boboshtica. Ata kishin jetuar për një kohë të gjatë në Rumani, por në vitin 1908, kthehen për të jetuar për gjithëmonë në Shqipëri.

    Në Zonën e Drenovës dhe Boboshticës, thuhet në këtë libër, se në vitin 1929 është krijuar shoqëria atdhetare e kulturore “Shpresa”, e cila zhvillonte një veprimtari të dendur teatrore, ballo dhe mbrëmje vallëzimi. Todo, pasi mbaroi arsimin fillor në Drenovë, vazhdoi “Shkollën e Metropolisë” në Korçë. Po këtë vit, ai filloi “Shkollën e Mesme të Dakos”, ku mësimi bëhej në italisht. Mbyllja e kësaj shkolle e detyroi të vazhdojë mësimet në “Istitutin Teknik të Tiranës”, ku u njoh me Pandi Kriston dhe Pilo Peristerin. Në vitet 1935-1936, specializohet për artileri malore, ku merr gradën aspirant. Por, meqenëse nuk dëshironte të punonte në ushtri, kthehet për të punuar në fshat.

    Në vitin 1936 T. Bojdani bëhet anëtar i Grupit të Parë Komunist të Korçës. Në korrik të vitit 1938, me vendim të pushtetit mbretëror, ai caktohet të montojë në Laprakë të Tiranës “Radiostacionin”, me të cilin do të dërgoheshin radiogramë fonike. Ndërsa në tetor të vitit 1939, Todo Bojdani do të emërohej operator i “Radio Tiranës”, e cila më vonë do ta bënte lajmëtarin e parë të çlirimit të plotë të Shqipërisë. Pushtimi Fashist i vendit do ta bënte T. Bojdanin më aktiv e më të vetëdijshëm në luftë kundër pushuesëve. Përmes propagandës së tij ilegale antifashiste u arrit që shumë të rinj korçarë të regjistroheshin vullnetarë në luftë kundër pushtuesëve.

    Ishte koha kur T. Bojdani do të lidhej më ngusht me Luftën Antifashiste dhe krerët e saj kryesorë, si Tarasi. Në këto kushte, një nga aksionet e tij më të rëndësishme dhe më të vështirë ishte rrëmbimi i “Radiostacionit të Korçës”. Ja ç’tregon në kujtimet e tij Vasil Dëhnica për këtë stacion: “Në prill të vitit 1941, Ministria e Kulturës dhe ‘Radio Tirana’ sollën në Korçë një radiostacion që u vendos në një ndërtesë të kalbur, aq afër shtëpive të zonës, sa që zëri i këndezit dëgjohej në radio”.

    Në maj të vitit 1941, Drejtoria e “Radio Tiranës” e emëroi Todo Bojdanin kryeteknik të “Radio Korçës”. Themelimi i PKSH-së e gjeti Todo Bojdanin pjesë të 200 komunistëve të parë të vendit. Në kujtimet e tij ai thekson se, ishte bërë komunist vetëm për botëkuptimin e tij idealist dhe jo për pasuri e pushtet. Idealizmi dhe besimi te barazia e drejtësia ishin ato, që e bënë gjithë familjen e Bojdanëve të lidhet ngushtë me luftën dhe të sakrifikojë për lirinë e vendit. Todo Bojdani dhe Thanas Mërtiri u bënë në ato vite zëri i luftës partizane. Në vitin 1942, kishin nisur hapat e parë të lidhjes së vijës së parë të luftës me komandën qëndrore nëpërmjet radios.

    “Radiostacioni” do të dëgjohej edhe në Pogradec, Bilisht, Ersekë, Leskovik etj. Në kushtet kur pushtuesit ishin bërë tepër të ashpër, Todo Bojdani kishte dhënë mendimin për prerjen e të gjitha lidhjeve telefonike të armikut me të gjithë Shqipërinë. Ky sinjal do ta bënte pushtuesin të kuptonte, se për shqiptarët ishte i padëshirueshëm. Ndaj pushtuesi kundërpërgjigjet me egërsi duke vrarë 70 të rinj. Ditën që pushtuesit varën Midhi Kostaqin dhe Kiço Greçon të rinjtë revolucionarë detyruan “Radio Korçën” të mbante zi. Kur Todo Bojdani punonte në ilegalitet, korçarët çuditeshin me heshtjen e tij. Ndaj ata pyesnin njëri-tjetrin se, si ishte e mundur që tërë familja e Bojdanëve ishte e lidhur ngushtë me Luftën, ndërsa Todo dukej i lidhur ngushtë me italianët.

    Ndërsa, në të vërtetë, Todo Bojdani, me heshtjen dhe veprimet e tij të fshehta, kishte bindur shumë djem të shkonin malit partizanë. Ishte koha kur Todo Bojdani lëvizte ilegal sa në Korçë, aq edhe në Tiranë e nuk binte në sy të pushtuesëve. Oficerët italianë nuk mund ta merrnin me mend se, njeriu më i rrezikshëm për ta mund të ishte, ai, djali fjalëpakë dhe i qetë, i cili nën hundën e tyre takohej me Koçi Xoxen dhe Gogo Nushin.

    8 shtatori i vitit 1943, shënoi kapitullimin e plotë të Italisë Fashiste. Në këtë kohë, thuhet në ditarin partizan, populli i Korçës i kishte ftuar forcat e mbetura italiane të luftonin kundër pushtuesëve të rinj. Por, ata kësaj thirrjeje paqësore iu përgjigjën me zjarr dhe hekur. Me autoblinda vranë 59 veta dhe plagosën 20 të tjerë. Kjo ngjarje e përgjakshme, thotë Todo Bojdani, u bë një motiv më shumë për rrëmbimin e Radiostacionit. Në këto kushte, kur nga çasti në çast pritej që në Korçë të hynin forcat naziste, Todo vendosi të paralizonte “Radio Korçën” për të çorientuar pushtuesin e ri dhe menjëherë merr udhën drejt Vithkuqit, ku kishte nisur ndërtimin e laboratorit të ri të ndërlidhjes.

    Në këto kushte të vështira, shkruan ai, e para gjë që më shkoi ndërmend ishte nxjerrja e “Radio Korçës” jashtë funksionit. Ai u dha porosi shokëve të tij që të mos i dëmtonin pjesët e çmontuara, sepse do ta montonin në një vend tjetër në shërbim të luftës. Mbasi e çmontuan, porositi shokët e tij ta hidhnin në një makinë për ta trasportuar e montuar në një vend tjetër. Gjatë trasportit, gjermanët kapën radioteknikun 17-vjeçar, Vasil Dëshnicën, të cilit i kërkuan t’u tregonte, se ku ndodhej Todo Bojdani, për të cilin mendonin se ishte ideatori i rrëmbimit të “Radiostacionit”.

    Në këto kushte, Todo Bojdani rreshtohet plotësisht me forcat e Luftës Nacional-Çlirimtare si një njeri i rrallë që ruhej nga forcat partizane. Më 10 shtator të vitit 1943, Todo Bojdani krijoi laboratorin partizan të ndërlidhjes. Kjo ditë ka mbetur edhe sot, si dita e organizimit të ndërlidhjes së Ushtrisë NacionalÇlirimtare. Me kërkesë të Todo Bojdanit, më 25 shtator të vitit 1943, “Radio Korça” vendoset në Bakull, për arësye se aty mund të mbrohej më mirë. Todo, nuk kishte për të harruar kurrë përballien me plumbat nazistë të operacionit nazist në Vithkuq, ku ranë 4 dëshmorë të lirisë, mes të cilëve dhe Thanas Mërtiri, ndërlidhësi i parë dëshmor i vendit.

    Duke kujtuar atë ditë të tmerrshme, ku fija e flokut e ndau nga vdekja, Todo Bojdani shkruan: “Vrasja e shokut tonë të mirë, Thanas Mërtiri, dhe humbja e laboratorit të radiostacionit nuk na dekurajoi, përkundrazi na dha forca të reja për ta vazhduar më tej punën për përngritjen e laboratorit të ‘Radio Korçës’ në Bakull”. Kur Todo Bojdani vuri në punë “Radio Korçën”, tregon Kiço Negovani, ne u gëzuam aq shumë, sa që nuk tregohet. Radiostacioni nisi të transmentojë hymnin e flamurit, këngë partizane dhe të komentojë luftën dhe fitoret e saj. Ai, që e ideoi dhe realizoi montimin e kësaj radjoje, ishte Todo Bojdani me ekipin e tij teknik: Servet Xamën, Myfit Paçon dhe Gaqo Pojanin. Pas Bakullit, Shtabi i Përgjithshëm do ta drejtonte Luftën nga centrali i Lavdarit.

    Ndërsa më 19 janar të vitit 1944 Todo Bojdani me shokët e tij arrin në Panarit, ku mullirin e fshatit e kthejnë në hidrocentral. Ishte labratori që u vendos në Helmës, i cili e shtriu ndërlidhjen partizane, jo vetëm brenda zonave jugore të vendit, por dhe në Tiranën e okupuar, deri përtej kufijve tanë, në Maqedoni e Greqi. Në prag të Kongresit të Përmetit, Todo Bojdani u trasferua pranë Shtabit të Përgjithshëm. Ishte koha kur ndërlidhja shtrihej në të gjithë teritorin e qarkut. Për zhvillimin e punimeve të Kongresit të Parë të Rinisë Antifashiste në Helmës, Todo Bojdani, me shokët e tij instaloi radiostacionin që do ta quanin, radiostacioni “Shqipëria e Lirë”. Rol të rëndësishëm luajti Todo Bojdani edhe për vendosjen e radiostacionit në qarkun e Tiranës, ku vepronte në ilegalitet të plotë, pasi ndiqej nga nazistët.

    Ja ç’tregon pronari i lokalit “Dodona”, Todo Terpo, për momentin kur Bojdai, i veshur si fshatar tiranas, për një çast u ndodh i ulur në një tavolinë përballë me oficerin gjerman:  “Gjermani s’mund ta merrte me mend se kishte përballë atë, që kishte rrëmbyer ‘Radiostacionin e Korçës’, për të cilin kishte urdhër për ta kapur, të gjallë apo të vdekur. Ndërsa gjermani hante me qejf, Todo Bojdani rrinte i gatshëm për çdo të papritur. Sapo oficeri gjerman u largua, pak minuta më vonë ngrihet edhe Todo për t’u larguar i qetë nga lokali, duke i buzëqeshur mikut të lokalit”.

    Në fillim të tetorit të vitit 1944, Todo u ngarkua të organizonte ndërlidhjen në qarkun e Tiranës. Ishte koha kur bëheshin përgatitjet për çlirimin e plotë të saj. Pikërisht në këtë kohë, më 5 tetor të vitit 1944, u krijua kompania e ndërlidhjes. Kjo ndërdërlidhje, me urdhër të M. Shehut u vu në shërbim të Brigadës së Parë Sulmuese për çlirimin e Tiranës. Një rol të veçantë luajti Todo Bojdani për fillimin e transmentimeve të “Radio Tiranës”. Dali Ndreu i pati kërkuar T. Bojdanit të tregonte kujdes për ruajtjen e “Radio Tiranës” nga forcat naziste, të cilët kishin përhapur fjalë se do ta hidhnin në erë.

    Pas çlirimit të Tiranës, Todo kishte marrë urdhër të merrte në ngarkim “Radio Tiranën”. Në 18 nëntor të vitit 1944, ai ngarkohet me detyrën e përgjegjësit të “Radio Tiranës”. Ndërsa më vonë, E. Hoxha jep urdhrin që “Radio Tirana”, mbasditen e 28 nëntorit, ditën e shpalljes së Pavarsisë, të ishte gati për shpalljen e çlirimit të plotë të Shqipërisë. Sapo ish-punonjësve iu bë thirrja që të vinin të punonin përsëri në “Radio Tirana”, erdhën me kënaqësi në mënyrë vullnetare. Ajo filloi punën e saj me një seriozitet të veçantë. Ishte Todo Bojdani i pari, ai që, atë ditë të bekuar tha fjalët e shumëpritura për popullin shqiptar: “Ju flet Shqipëria e lirë”.

    Ishte zëri i tij, që ulur para mikrofonit, mbrëmien e 28 nëntorit, tha i pari: “Ju flet ‘Radio Tirana’. Kam kënaqësinë t’u njoftoj se, sot, në mbrëmjen e datës 28 nëntor, Shkodra u çlirua! Shqipëria, Atdheu ynë i dashur është i lirë”. Edhe disa vite pas çlirimit, Todo Bojdani do të mbetej pjesë e historisë së “Radio Tiranës”.

    Ishte ai që, si përgjegjës i “Radio Tiranës”, përshëndet qeverinë shqiptare vitit 1945. Për merita të veçanta në sektorin e radiondërlidhjes, ai është nderuar me “Medaljen e Kujtimit” (1945), “Medajen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Trimërisë” (1946). Në vitin 1952, ai dekorohet me Urdhrin e Punës së Klasit të Dytë, për merita të veçanta për montimin e e radiostacionit të ri. Kurse, më 29 nëntor të vitit 2018, ai do të nderohej nga Presidenti me Urdhrin “Naim Frashëri”.

    Todo Bojdani ishte njohës i thellë edhe i radiostacioneve difuzivë. Para vështirësive dhe përgjegjësive të mëdha është ndjerë Todo Bojdini gjithë kohën, që ai punoi në “Radio Tirana”, por veçanërisht, kur para mikrofonit të kësaj radioje ndodheshin Enveri dhe Memeti. Megjithatë, ai me aftësitë dhe dhe përgjegjësinë e lartë në punë, i kapëceu me sukses edhe çastet më të vështira. Todo Bojdani, edhe pas largimit nga “Radio Tirana”, kreu detyra të tjera të rëndësishme shtetërore, po me të njëjtën dashuri e kompetencë. Karrierën e tij tepër idealiste ai e mbylli si shef i Laboratorit Qendror të Ndërlidhjes Shqiptare.

    Tërë jetën, kudo që punoi e jetoi, atij i pëlqente drejtësia e barazia vëllazërore dhe ligështohej shumë, kur shihte se idealet për të cilat luftuan të rënët shkeleshin me këmbë e tradhëtoheshin nga ata, që i ishin bashkuar luftës, vetëm për karrige e pushtet të përjetshëm. Ai, edhe pse e quante të shenjë pronën, kurrë nuk u ligështua pse nuk i mori pronat e tij tërë jetën. Kur atij i dhanë një hyrje në pallatin e një pronari të ligjshëm, nuk pranoi të banonte atje. Nuk mund të rri i qetë në shtëpinë e të tjerëve, kishte thënë Todo. Mresa të veçanta i la takimi me Viktor Eftimiun në Boboshticë, për të cilin pati shkruar vargjet e bukura nostalgjike: “Të kuqe i ke manat, që shkunden në lëndinë/ Me gjakun tënd i skuqe, që të gëzosh lirinë”… (245).

    Emri dhe vepra e Todo Bojdanit ka mbetur i përjetshëm, jo vetëm në zërin e “Radio Tiranës”, por dhe në mendjen dhe shpirtin e bashkëkohësve dhe bashkëpunëtorëve të tij të shumtë. Maqo Zoto, mes të tjerash thekson se, Todo Bojdani ishte, aq i sjellshëm dhe komunikues me njerëzit, sa që të vriste me fjalën e tij të ëmbël dhe të ringjallte me dashurinë që të dhuronte. Todo, thekson inxhinieri Sulejman Basha, nuk luftoi e punoi për lavdi e karrige, por për atdheun dhe njerëzit.

    Ai dinte të udhëhiqte me shembullin e tij. Ndërsa, operatori Teknik Astrit Omeri tregon se, kur e intervistoi Todo Bojdanin, ditën e 29 nëntorit të vitit 1973, drejtori i “Radio Televizionit” të asaj kohe Thanas Nano e kishte falënderuar shumë për vlerësimin e figurës së rrallë të tij, i cili ka mbetur në mendjen e njerëzve tanë si lider i veçantë. Dhe kjo është më se e vërtetë. Ai u bë pishtar e burim frymëzimi për brezin e ri të luftës për liri. Njerëz kaq idealistë si Todo Bojdani është zor t’i gjesh sot. Ndaj pozinë e tij, kushtuar kësaj figure frymëzuese, Sulejman Basha e mbyll me vargjet: “Po të ishin gjithë njerëzit si ti/ ndryshe, do ishte Shqipëria”. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë tha Macron për vizat?

    Lajmi i rradhës

    Pensionistët e Tetovës sërish në protestë, kërkojnë rritje të pensioneve për pesë mijë denarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë