“Sektori veterinar është në kolaps, kërkojmë ndihmë nga Qeveria”

    Fotografia: Nistori

    Gjendja financiare e shoqatave veterinare është alarmante. Mbijetesa e tyre është në pikëpyetje dhe kjo mund të ketë implikime të paparashikueshme në blegtori, si dhe në përballjen me sfidat aktuale dhe të ardhshme shëndetësore, paralajmëron Oda Veterinare.

    Për shkak të kësaj situate, Oda ka reaguar edhe një herë me shkresë drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski.

    Përmes letrës së dërguar të enjten, Oda kujton se “arsyet kryesore të problemeve që kërcënojnë kolapsin e sektorit janë çmimet e ulëta dhe joreale për aktivitetet me interes publik që janë korrigjuar minimalisht prej një dekade, si dhe vonesa në fillimin e aktiviteteve me interes publik në vitin aktual 2022 për shkak të vonesës në miratimin e Urdhrit vjetor për mbrojtjen shëndetësore të kafshëve (miratuar në maj 2022, zakonisht miratuar më së voni deri në janar) dhe më pas, përzgjedhja (përmes prokurimit publik) të një laboratori të autorizuar për analizat diagnostike, i cili ka përfunduar në gusht 2022”.

    Siç thekson Oda, shoqatat veterinare nuk kanë realizuar të ardhura në bazë të aktiviteteve me interes publik, nuk kanë akumulim të mjeteve dhe nuk mund të sigurojnë as mjete minimale për pagesën e të ardhurave personale.

    Drejtori ekzekutiv i Odës, Tomislav Nikollovski, tha për AIM se në mënyrë të përsëritur, përmes formave të ndryshme, kanë insistuar që të zgjidhet kjo situatë e pafavorshme – përmes korrigjimit të çmimeve, paradhënies së aktiviteteve dhe lehtësimeve tatimore, për shkak të kërkesës së parealizuar për uljen e TVSH-së për shërbime veterinarinë në 5 për qind.

    Oda veterinare organizon një takim me përfaqësues të shoqatave veterinare për të diskutuar gatishmërinë, masat e ardhshme, problemet dhe vështirësitë në zbatimin e aktiviteteve për kontrollin dhe shtypjen e murtajës afrikane të derrave.

    Në takim, Nikollovski thekson se edhe një herë publikisht do të theksohen problemet me të cilat ballafaqohen shoqatat veterinare dhe do të përcaktohet mënyra e veprimit të mëtutjeshëm.

    Lajmi Paraprak

    Të akuzuarit për vrasjen e Denis Tot nuk ndjehen fajtorë

    Lajmi i rradhës

    Ndryshojnë çmimet e derivateve të naftës në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë