KUSH MERR PAGË MESATARE PREJ 630 EURO / Dikush mish e dikush lakër!

    Paga mesatare në Maqedoni arriti në 38.843 denarë apo gati 39 mijë denarë, mirëpo shumë punonjës nuk pranojnë të ardhura të tilla mujore. Mesataren prej afër 630 euro ngjashëm me vitet e kaluara e ngrenë pagat në disa sektorë, por edhe pagat me rritje prej 78 për qind të funksionarëve të emëruar dhe zgjedhur.

    Për shembull në sektorin e bujqësisë mbi 50 mijë të punësuar marrin paga mesatare prej afër 30 mijë denarë, tregojnë të dhënat e Entit të Statistikës. Mbi 133 mijë të punësuar në industrinë përpunuese marrin në mesatare paga prej afër 34 mijë denarë. Mirëpo me dhjetëra mijtë të punësuar në fabrikat e tekstilit apo këpucëve marrin afër 25 mijë denarë me çka janë më afër pagës minimale se asaj mesatare.

    Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se mbi 90 mijë të punësuar në pranverë kanë pranuar paga minimale , që edhe me rritjen prej dhjetë për qind në shtator kanë arritur në afër 22 mijë denarë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, kjo rritje vjen mbi të gjitha nga rritja e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorët: Administratë Publike dhe Mbrojtje; sigurimet shoqërore të detyrueshme (26,2 për qind ), furnizimi me ujë; Zhvendosja e ujërave të zeza, menaxhimi i mbetjeve dhe aktivitetet e rehabilitimit të mjedisit (20,2 për qind ), Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (20 për qind).

    Rritje e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës, krahasuar me muajin e mëparshëm, është vërejtur në sektorët e mëposhtëm: Aktivitetet e pasurive të paluajtshme (8,2 për qind ), Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (6,5 për qind ), Aktivitetet shëndetësore dhe të kujdesit social (4,6 për qind ).

    Të dhënat e Drejtorisë për të Ardhura Publike, tregojnë se në muajin nëntor të këtij viti 8.273 punëtorë në Maqedoni kanë marrë paga nga 1 denar deri në 20.174 denarë, 26.537 punëtorë kanë marrë pagë në vlerë prej 20.175 denarë, që do të thotë se në muajin nëntor 34. 810 persona morën pagën minimale ose nën pagën minimale. Njëherësh 324.674 persona në llogaritë kanë marrë paga neto në vlerë prej 20.176 deri në 37.875 denarë. Sipas të dhënave DAP në muajin nëntor, 150.884 persona kanë marrë paga mbi 37.876 denarë.

    Të dhënat e fundit të Statistikës tregojnë se në mesatare, xehetarët si një profesion i rëndë dhe ku kompanitë kanë fitime të mëdha marrin paga prej afër 50 mijë denarë. Në ndërtimtari pagat në mesatare luhaten ndërmjet 34 dhe 45 mijë denarë në varësi të vendit të punës. Pagat nën mesatare marrin me 27 mijë të punësuarit në restorante dhe objekte për përgatitjen e ushqimit , ndërsa në sektorin e sigurimit të objekteve paguhen me 20 mijë denarë apo sa paga minimale.

    Në industri me afër 1000 euro, më së shumti paguhet punonjësit në fabrikat farmaceutike që pjesën më të madhe të prodhimtarisë së tyre e shesin jashtë vendit, apo me fjalë të tjera punojnë për eksport në prodhime me vlerë të shtuar. Pagat më të larta në vend marrin programuesit me 92 mijë denarë pagë mesatare, mirëpo edhe këtu ka programues që marrin paga më afër mesatares në shtet se sa pagës prej 1500 euro. Përderisa ka edhe programues ekselent apo të shkëlqyer në fushën e tyre që paguhen me mijëra euro në muaj. /koha/

    Lajmi Paraprak

    70% e duhanpirësve në RMV janë nën moshën 21-vjeçare

    Lajmi i rradhës

    Bisedime për front të gjerë europian!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë