Bisedime për front të gjerë europian!

    Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, të formojë një grup punues dhe të bisedojë me të gjitha subjektet politike, organizatat joqeveritare, shoqatat qytetare, aktivistët, të gjithë ata që e mbështesin rrugën evropiane dhe që e shohin të ardhmen e vendit si anëtare e plotë e Unionit, për t’u bashkuar në një bashkëpunim të përbashkët rreth arritjes së qëllimit strategjik: anëtarësimit në BE.

    Këtë autorizim Kryesia Qendrore e LSDM-së mbrëmë ia ka dhënë kryetarit të partisë Dimitar Kovaçevski, siç është paralajmëruar, bazuar në iniciativën për një front të gjerë evropian. Meqënëse kryeparlamentari, Talat Xhaferi, do të jetë në krye të qeverisë kalimtare nga 28 janari, vendin e tij do ta zë koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski. Kryesia Qendrore përcaktoi Rregulloren dhe orarin për procedurën, mënyrën dhe kriteret për përcaktimin e kandidatit të LSDM-së për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, si dhe për përcaktimin e kandidatëve për deputetë, si dhe vendimin për thirrjen e dy kongreseve të veçanta në të cilat do të përcaktohen kandidaturat.

    CAKTOHEN KANDIDATËT PËR QEVERINË TEKNIKE

    Në mbledhjen e Kryesisë Qendrore u përcaktuan kandidatët për ministra, zëvendësministra dhe zëvendësministra shtesë nga radhët e LSDM-së për Qeverinë teknike. Të gjithë ministrat aktualë janë kandidatë për ministra në portofolet e tyre të mëparshme, me përjashtim të dy: për punët e brendshme dhe për punë dhe politikë sociale.

    Sipas Ligjit për Qeverinë, njëqind ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, me propozim të opozitës zgjidhen ministri i Punëve të Brendshme dhe ai i Punës dhe Politikës Sociale, me mandat që zgjat deri në ditën e publikimin e rezultateve përfundimtare nga KSHZ-ja, pas së cilës i përfundon mandati me ligj. Partia në pushtet me numrin më të madh të deputetëve propozon një kandidat për zëvendësministër shtesë në këto dy portofol.

    Jovana Trençevska, ministrja aktuale e Punës dhe Politikës Sociale, kryesia qendrore e LSDM-së e përcaktoi atë si kandidate për zëvendësministre shtesë në të njëjtin resor dhe për zëvendësministër shtesë të punëve të brendshme, Mitko Bojmacaliev, shefi aktual i kabinetit të ministrit Oliver Spasovski. “Qeveria Teknike është obligim ligjor dhe të gjitha palët duhet ta respektojnë këtë detyrim ligjor, të marrin pjesë në procesin zgjedhor, pa kalkulime”, thanë socialdemokratët pas seancës së kryesisë qendrore të partisë.

    TAKIM PËR NJË TEMË

    Tani radhën e ka partia më e madhe në opozitë. Sipas ligjit për Qeverinë, Ministrin e Punëve të Brendshme e propozon partia në opozitë me numrin më të madh të deputetëve në Parlament, pas konsultimeve paraprake me dy partitë politike me numrin më të madh të deputetëve. Kovaçevski para një jave ka paralajmëruar se do të ketë takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së për qeverinë teknike, e cila nuk do të bëhet e ditur përmes mediave. Ajo mbledhje do të mbahet pasi të jenë mbledhur organet e partisë, pra pasi të jenë përcaktuar kandidatët.

    “Do të ketë një takim, të cilin tashmë e kam thënë, nuk do të shpallet përmes mediave, sepse takime të tilla nuk duhet të lajmërohen përmes mediave. Do të jetë një bisedë normale për realizimin e asaj që është përcaktuar, në përputhje me ligjin, gjegjësisht shpërndarjen e resoreve në qeverinë teknike, votimin e asaj qeverie teknike në Parlament”, tha Kovaçevski.

    “Nëse zoti Kovaçevski dëshiron të flasë për qeverinë teknike apo për disa procese të tjera politike që pasojnë, unë jam në dispozicion, vetëm le ta rregullojmë terminin. Nuk e kuptoj pse kjo do të ishte larg opinionit dhe vlerësoj që opinioni duhet të ketë dijeni”, u përgjigj pardje Hristijan Mickoski.

    Mendimi i tij personal është se VMRO-DPMNE duhet të jetë pjesë e qeverisë teknike, por qëndrimi i partisë do të dihet pasi të vendosin autoritetet partiake. Qëndrimi i Mickoskit është se Talat Xhaferi nuk e meriton mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për kryeministër teknik.

    “Më e shumta që mund të bëjmë në interes të një atmosfere të mirë dhe një procesi demokratik është të përmbahemi nga çdo votim, por ky është qëndrimi im. Do të shohim se çfarë do të vendosin organet e partisë”, tha ai në konferencën për media.

    ZGJEDHJA E ANËTARIT TË KSHZ-së

    Çështja e plotësimit të pozitës vakante në KSHZ, e cila i përket opozitës, filloi të shkojë drejt zgjidhjes. Partitë opozitare të shqiptarëve kërkuan deri në fund të vitit që Parlamenti të votojë propozimin e tyre për anëtar të KSHZ-së, duke paralajmëruar se nëse kjo nuk ndodh, ata nuk do të vazhdojnë punën në Parlament. E lideri i VMRO-DPMNE-së bëri thirrje pardje që të zgjidhet sa më parë përfaqësuesi në KSHZ, i propozuar nga partitë opozitare të shqiptarëve.

    “Është gjithashtu e qartë se kush janë ato parti opozitare në parlament. Të thonë se kujt i qëndrojnë ata që janë kandidatë, ta votojmë, KSHZ-ja të kompletohet, të ketë 7 anëtarë dhe të merren vendime. Nuk është vullnet i Kristianit apo i dikujt tjetër, është thjesht obligim ligjor”, tha Mickoski. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KUSH MERR PAGË MESATARE PREJ 630 EURO / Dikush mish e dikush lakër!

    Lajmi i rradhës

    Thaçi: PDSh e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë