Kush në Serbi e do BRICS-in?

    BRICS-i para Bashkimit Evropian. Një propozim të tillë e bëri një pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi.

    Dy deputetë të Lëvizjes Socialiste paraqitën në Parlament draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS.

    Grupi BRICS përbëhet nga: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Republika e Afrikës së Jugut, ndërsa Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Në draft-rezolutë thuhet se anëtarësimi i Serbisë në atë grup duhet të jetë një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike dhe kombëtare.

    Një nga propozuesit e këtij dokumenti, deputeti Gjorgje Komllenski, thotë për Radion Evropa e Lirë se motivi kryesor është se këta deputetë besojnë se BE-ja nuk është alternativa e vetme për Serbinë.

    Propozimi u bë nga partia, kryetar i së cilës deri vonë ishte Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

    Për shkak të zgjedhjes në krye të BIA-s, Vulin e ngriu pozicionin e tij në parti në fund të nëntorit, 2022.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e futën Vulinin në listën e sanksioneve, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.

    Draft-rezoluta serbe për anëtarësimin në BRICS erdhi pak ditë pas samitit të këtij grupi, i cili u mbajt në Johanesburg të Afrikës së Jugut, në fund të gushtit.

    Në këtë samit, ftesë për t’iu bashkuar grupit morën gjashtë vende: Arabia Saudite, Irani, Etiopia, Egjipti, Argjentina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Çfarë shkruan në draft-rezolutë?

    Në draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS thuhet se “e ashtuquajtura rrugë evropiane e Serbisë ka një alternativë në BRICS” dhe e përshkruan atë si “procesin më aktual integrues ekonomiko-politik”.

    “Ne e mbështesim një rend botëror që do t’i kufizonte dekadat e hegjemonisë perëndimore”, thuhet, ndër të tjera, në draft-rezolutë.

    Aty, gjithashtu, thuhet se politika e jashtme e “Perëndimit kolektiv është shpesh në konflikt me interesat jetike, shtetërore dhe kombëtare” të Serbisë.

    Sipas draft-rezolutës, vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Serbisë në BRICS duhet ta marrin qytetarët nëpërmjet referendumit.

    Thuhet, po ashtu, se kjo nismë nuk nënkupton ndalimin e integrimit evropian.

    Komllenski thotë për Radion Evropa e Lirë se BRICS-i, pa marrë parasysh anëtarësimin në BE, mund të jetë shumë i dobishëm për Serbinë.

    Sipas tij, do të hapej një hapësirë shumë më e madhe sa i përket ekonomisë dhe tregtisë, në raport me BE-në.

    “E dyta është se [nga BRICS-i] nuk ka parakushte siç ka nga ana e BE-së për ‘Kosovën dhe Metohinë’, për njohjen e saj, apo siç përpiqen ta quajnë – harmonizimin e marrëdhënieve”, thotë Komllenski.

    Krahas harmonizimit të legjislacionit me BE-në, Serbisë i kërkohet edhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, si kusht për përparim drejt bllokut evropian.

    Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 – tre vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë.

    I pyetur nëse për draft-rezolutën kanë mbështetjen e partnerëve të koalicionit nga Partia Përparimtare Serbe, Komllenski thotë se kjo do të shihet kur të fillojnë seancat e rregullta parlamentare.

    “Do të shohim kur të propozohen ndryshimet në rendin e ditës se sa do të ketë mbështetje. Nuk ka pasur marrëveshje të mëparshme”, thotë ai.

    Çfarë thonë partitë në pushtet?

    Grupi parlamentar i Partisë Përparimtare Serbe, e cila është partia kryesore e koalicionit qeverisës, nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se cili është qëndrimi i saj sa i përket anëtarësimit në BRICS.

    REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt as me shefin e grupit parlamentar të kësaj partie, as me partnerët e koalicionit.

    Kritika për draft-rezolutën për anëtarësimin në BRICS bëri një anëtare më e vogël e koalicionit qeverisës – Lëvizja Serbe për Rindërtim.

    Kryetari i kësaj partie dhe ish-shefi i diplomacisë serbe, Vuk Drashkoviq, tha se ky propozim as që duhet të shqyrtohet.

    Më 30 gusht, Drashkoviq i tha agjencisë serbe të lajmeve, Beta, se rruga evropiane është “e vetmja e arsyeshme për Serbinë”.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të samitit të BRICS-it, në Johanesburg, përmes video-lidhjes, më 22 gusht 2023.
    Presidenti rus, Vladimir Putin, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të samitit të BRICS-it, në Johanesburg, përmes video-lidhjes, më 22 gusht 2023.

    Çfarë thotë opozita?

    Në lëvizjen e djathtë opozitare, Dveri, besojnë se Serbia duhet të jetë e hapur për çdo bashkëpunim të ardhshëm me organizatën BRICS.

    Nënkryetarja e Dverit, Tamara Millenkoviq Kerkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se BRICS-i është një simbol dhe realitet i krijimit të një “rendi të ri, më të drejtë”.

    “… në të cilin Rusia, Kina dhe India – vende që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës – do të luajnë një rol udhëheqës”, shton ajo.

    Sipas saj, Serbia duhet ta vazhdojë bashkëpunimin edhe me zonën ekonomike evropiane.

    Serbia mban marrëdhënie të mira me dy anëtare të BRICS-it: Rusinë dhe Kinën.

    Beogradi llogarit në mbështetjen e këtyre dy vendeve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

    Pasi Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022, Serbia mbështeti integritetin territorial të Ukrainës.

    Ajo mbështeti edhe rezolutat e OKB-së që dënojnë agresionin rus, por refuzon t’iu bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

    Opozita pro-evropiane në Parlamentin e Serbisë kundërshton propozimin për anëtarësim në BRICS.

    Gjorgje Paviqeviq, nga Fronti i Gjelbër, vlerëson për REL-in se ky propozim është “i pakuptimtë”.

    Ai thotë se është për t’u habitur se si një iniciativë që është në kundërshtim me orientimet e politikës së jashtme të Serbisë, vjen nga një pjesë e koalicionit qeverisës.

    “Dhe, ndoshta, synon t’i drejtohet një pjese të trupit politik – në radhë të parë së djathtës – që duhet të mendojë se koalicioni qeverisës nuk e përjashton atë opsion, por se dëshiron të shkojë edhe në atë rrugë”, thotë Paviqeviq.

    Qëndrim të ngjashëm kanë edhe në Partinë Demokratike.

    Deputetja e kësaj partie, Dragana Rakiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se iniciativa për t’iu bashkuar BRICS-it është një “bisedë joserioze” dhe përgjigje ndaj futjes së Vulinit në listën e zezë amerikane.

    “Është një përpjekje për t’i thënë Bashkimit Evropian se Serbia ka, gjoja, alternativë”, thotë Rakiq.

    Çfarë thanë zyrtarët serbë?

    Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thanë se Serbia është në rrugën evropiane.

    Sipas Daçiqit, derisa Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, ajo nuk mund të jetë anëtare e BRICS-it.

    “Nëse nuk ndodh diçka ndryshe në rrugën tonë evropiane, nuk mendoj se është reale t’i bashkohemi BRICS-it, por se çfarë lloj bashkëpunimi mund të kemi, është një çështje për t’u diskutuar”, tha Daçiq më 25 gusht për Televizionin Happy.

    Ai shtoi se secili prej vendeve të BRICS-it, është “jashtëzakonisht miqësor” me Serbinë.

    Vuçiq tha në një konferencë për media më 18 qershor se Serbia do të jetë në rrugën evropiane derisa ai të jetë president.

    Por, ai shtoi se është mirë që Serbia të mbajë marrëdhënie me vendet e BRICS-it.

    “Natyrisht, ka një numër të madh vendesh që duan të dalin nga petku apo çizmet e dominimit perëndimor. Kjo do të jetë një pyetje për disa gjenerata të reja të serbëve pas rreth 15-20 vjetësh”, tha Vuçiq.

    Çfarë është BRICS-i?

    BRICS-i nuk është organizatë formale shumëpalëshe, por një grupim i lirshëm.

    Blloku u themelua si një klub joformal në vitin 2009.

    Të gjitha vendet e BRICS-it janë pjesë e G20-ës, apo grupit të ekonomive kryesore.

    Përveç gjeopolitikës, fokusi i grupit përfshin edhe bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e tregtisë, si dhe zhvillimin shumëpalësh, shkruan Reuters.

    Vendet e BRICS-it përbëjnë 40 për qind të popullsisë së botës dhe një të katërtën e ekonomisë botërore. Anëtarët e BRICS-it përbëjnë 18 për qind të tregtisë botërore.

    Kur t’i bashkohen gjashtë anëtarët e rinj, grupi do të përfshijë 46 për qind të popullsisë së botës.

    Më shumë se 40 vende janë të interesuara për anëtarësim, duke kërkuar një përfaqësim më të madh në institucionet ndërkombëtare. Deri më tani, gjashtë prej tyre u është bërë ftesa.

    Ato e shohin BRICS-in si një alternativë ndaj organeve globale, të dominuara nga fuqitë tradicionale perëndimore, dhe shpresojnë se anëtarësimi do t’u mundësonte financimin e zhvillimit dhe rritjen e tregtisë dhe të investimeve, shkruan Reuters.

    Qëllim i BRICS-it thuhet se është ta forcojë zërin e Jugut Global, të vendeve të Afrikës, të Lindjes së Mesme, të Amerikës Latine të dhe Azisë.

    BRICS-i dhe Serbia

    Hulumtimi i organizatës joqeveritare “Rruga e tretë e re” tregon se nëse qytetarët do të duhej të zgjidhnin midis anëtarësimit në BE ose në BRICS, ata do t’i jepnin më shumë mbështetje ofertës së dytë.

    Më saktësisht, sipas hulumtimit të publikuar në korrik, 35 për qind e të anketuarve në Serbi do të zgjidhnin Bashkimin Evropian, ndërsa 46.9 për qind BRICS-in.

    Dimitrije Milliq, drejtor i programit të kësaj organizate, thotë për Radion Evropa e Lirë se, para hulumtimit, organizata ka zbuluar se, në muajt e fundit, çështja e BRICS-it është shfaqur shpesh në mediat pro-ruse dhe se ajo ka dashur “të masë” nëse një gjë e tillë ka pasur ndikim te votuesit.

    Si arsye për mbështetjen e qytetarëve për BRICS-in, ai përmend një kombinim të ndjenjës anti-perëndimore dhe të dëshirës që për Serbinë të ketë ndonjë alternativë ndaj Perëndimit.

    Për draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS, Milliq thotë se është një iniciativë populiste, që synon “të rrisë dukshmërinë dhe njohjen” e partisë që e ka bërë propozimin.

    “Unë supozoj se ekziston një dëshirë që, disi, të diferencohet nga koalicioni qeverisës, përmes një qasjeje dhe retorike më anti-globaliste”, thotë Milliq.

    Ai, megjithatë, beson se ndikimi i kësaj iniciative është ndoshta i barabartë me zero.

    Që nga marsi i vitit 2012, Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo i nisi negociatat e anëtarësimit në janar të vitit 2014, ndërsa grupin e fundit të negociatave e hapi në dhjetor të vitit 2021. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Ky turp nuk do të lahet kurrë” / Reagojnë mjekët për skandalin në Onkologji

    Lajmi i rradhës

    Dështon debati parlamentar për tekstet shkollore në Kosovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë