Kush po dezinformon për numrin e vrasjeve të pazbardhura në vend?

    Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski, në konferencë për media më 07.03.2023, pohoi se në tetë vitet e fundit ka pasur rreth njëqind vrasje të pazbardhura në vend.

    “Përderisa Spasovski është për tetë vjet njeriu i parë i policisë, ndodhën rreth njëqind vrasje të pazbardhura”, tha Stoillkovski.

    Të njëjtën ditë, më tepër media e transmetuan këtë deklaratë të zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së, pa i kontrolluar të dhënat.

    Mirëpo, deklarata e Stoillkovskit përmban informacione të pasakta. Së pari, në faqen e MPB-së shihet se Spasovski nuk ishte njeriu i parë i policisë për tetë vjet, por rreth gjashtë vjet me ndërprerje: nga 11.11.2015 deri më 18.05.2016, nga 02.09.2016 deri më 29.12.2016, nga 31.05.2017 deri më 03.01.2020, dhe nga 31.08.2020 deri më tani.

    Për të kontrolluar pretendimin e Stoillkovskit, kërkuam të dhëna edhe nga MPB-ja. Në përgjigjen e MPB-së thuhet se në periudhën korrik 2017 deri në janar 2023 janë kryer 104 vepra penale të vrasjes, e vetëm nëntë prej tyre janë kryer nga autor i panjohur. Në shtesë, për krahasim, nga viti 2011 deri në korrik 2017 janë kryer 152 vepra penale të vrasjes, 19 prej të cilave me autor të panjohur.

    Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se nga viti 2016 deri në vitin 2021 kanë ndodhur 131 vrasje. Sipas të dhënave, numri i vrasjeve në vitet kur Spasovski ka qenë ministër është më i ulët se numri i vrasjeve para vitit 2015, kur u bë ministër për herë të parë. Për shembull, në kumtesën e fundit të Entit për “Vdekje të dhunshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, viti 2021” thuhet se në vitin 2021 kanë ndodhur vetëm 8 vrasje.

    Sipas raporteve vjetore të MPB-së, në vitin 2017 kanë mbetur të pazbardhura 4 vrasje, në vitin 2018 ka pasur 1 vrasje të pazbardhur, në vitin 2019 ka pasur 3 vrasje të pazbardhura, në vitin 2020 janë zbardhur të gjitha vrasjet, ndërsa në vitin 2021 ka pasur 2 vrasje të pazbardhura.

    Të dhënat zyrtare tregojnë se është i pavërtetë pretendimi i Stoillkovskit për rreth njëqind vrasje të pazbardhura në tetë vitet e fundit. E mediat kanë për detyrë të kontrollojnë të dhënat para se t’i publikojnë, përfshirë edhe pretendimet në kumtesat  e partive. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    VRASJA NË BANJËN E TETOVËS | E akuzuara për vrasjen e të riut në banjën e Tetovës dënohet me 10 vjet burg

    Lajmi i rradhës

    Lloga: Rregullat e reja të Kodit Zgjedhor të miratohen me konsensus

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë