Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut mbetet në qendër të debatit politik, me pushtetin dhe opozitën që japin interpretime të kundërta për arsyet e ngecjes dhe mënyrën se si vendi duhet të vazhdojë drejt Bashkimit Evropian. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se vendi vazhdimisht përballet me kushte të reja dhe çështje bilaterale, ndërsa lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzon qeverinë se po humb kohë dhe po e largon vendin nga procesi i integrimit evropian. Në një bisedë për Atlantic Council në Uashington, Mickoski tha se vendi ka përmbushur një pjesë të madhe të asaj që është kërkuar prej tij, por më pas është përballur me pengesa të reja. Ndryshimi i emrit të shtetit, e tash edhe ndryshimet kushtetuese, sipas tij, krijojnë pasiguri nëse kushtet aktuale do të jenë edhe të fundit.
“Ne dorëzojmë gjithçka, ndërsa më pas sërish përballemi me pengesa të imponuara artificialisht, fillimisht ndryshimin e emrit, ndërsa tani përsëri ndryshimin e Kushtetutës. Ajo që më frikëson është se ky proces praktikisht nuk përfundon kurrë”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri vlerësoi se për Maqedoninë e Veriut nuk është zbatuar në mënyrë të mjaftueshme parimi i procesit të zgjerimit të bazuar në merita. Ai rikujtoi se vendi e ka nisur rrugën drejt BE-së në vitin 2001 me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe se, sipas tij, ka pasur një proces të gjatë pritjeje pa hapjen e negociatave. Mickoski kritikoi edhe vendimin e qeverisë së mëparshme për të pranuar ndryshimet kushtetuese si pjesë të kushteve për avancimin e procesit. Sipas tij, atëherë opozita kishte paralajmëruar se pranimi i kushteve pa një garanci për përfundimin e procesit mund ta komplikonte më tej rrugën evropiane.
“U zotuan se do ta ndryshojnë Kushtetutën, duke e ditur se ishte një qeveri shumë e dobët, pa shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Në atë kohë ne ishim opozitë dhe i paralajmëruam të mos e pranonin këtë, sepse me pranimin e kësaj flete të bardhë do ta shkatërronin procesin e zgjerimit të BE-së për vendin tim. Fatkeqësisht, nuk ishin mjaftueshëm të mençur dhe pranuan gjithçka. Ndër kushtet, sërish kemi një kërkesë për ndryshim shtesë të Kushtetutës”, tha Mickoski. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që ndryshimet kushtetuese të pranohen, por të kenë efekt të shtyrë. Sipas këtij modeli, ndryshimet do të hynin në fuqi pasi vendi të përfundonte negociatat me BE-në, me qëllim që të sigurohej se nuk do të paraqiteshin kushte të tjera gjatë procesit.
““Kjo është një garanci se nuk do të ketë pengesa shtesë dhe se kjo është e fundit. Mentaliteti i kësaj qeverie është të luftojë betejat dhe të dalë fituese prej tyre”, tha Mickoski, duke shtuar se qeveria nuk do të tërhiqet nga dialogu me partnerët evropianë, sepse, sipas tij, tërheqja do të nënkuptonte izolim të vendit.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një paraqitje televizive e interpretoi situatën ndryshe. Ai akuzoi Mickoskin se me politikat e qeverisë vendi po mbetet prapa shteteve të tjera kandidate për anëtarësim në BE. Filipçe tha se deri në fund të mandatit të Komisionit Evropian pritet të jetë më i qartë avancimi i disa vendeve kandidate, ndërsa Maqedonia e Veriut, sipas tij, nuk është në grupin e shteteve që aktualisht po bëjnë përparim të tillë. “Do të jetë e qartë rruga e katër vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të mandatit të këtij Komisioni Evropian. E dini cila nuk është mes atyre katër vendeve? Maqedonia. E dini me kë është Maqedonia tani? Me Kosovën dhe Bosnjën”, tha Filipçe. Lideri i opozitës theksoi se, sipas tij, kushtet për vazhdimin e rrugës evropiane nuk kanë ndryshuar, por qeveria ka humbur kohë të çmuar.
“Që nga dy vjet më parë e deri më sot nuk ka ndryshuar asgjë. Vetëm kemi humbur kohë të çmuar. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë avancuar, Moldavia dhe Ukraina po përparojnë, ndërsa ne qëndrojmë në vend. Të rinjtë largohen, nuk ka para dhe po zhytemi në varfëri”, deklaroi Filipçe. Ai e lidhi ngecjen e procesit evropian edhe me politikat e brendshme të qeverisë, duke pretenduar se pushteti nuk dëshiron reforma të caktuara dhe se kjo ndikon në zhvillimin ekonomik dhe klimën për investime. “Për shkak të tyre nuk ka zhvillim, për shkak të tyre lulëzon korrupsioni dhe për shkak të tyre jemi zorrë qorre e Evropës”, tha Filipçe. Sipas tij, vazhdimi i integrimit evropian nuk është vetëm çështje politike, por edhe ekonomike, pasi afrimi me tregun evropian do të sillte, sipas tij, më shumë mundësi për bizneset, investime dhe perspektivë për të rinjtë.
Në këtë debat, nga Brukseli vazhdojnë të vijnë mesazhe që ndryshimin kushtetues e vendosin në qendër të hapit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë të fundit ka thënë se ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve është kusht i dakorduar mes Maqedonisë së Veriut dhe 27 vendeve anëtare të BE-së. Ajo ka shprehur bindjen se me qeverinë e re bullgare mund të gjendet mënyrë për ta çuar procesin përpara, duke përsëritur se Shkupi duhet ta përmbushë zotimin për ndryshimin e Kushtetutës. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përsëritur në raste të ndryshme se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. /Koha/






