Lajçak: Të mos shpërdoret mundësia për arritjen e normalizimit

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se dy shtetet nuk duhet të shpërdorin mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

    Lajçak këtë deklaratë e bëri për gazetarët në Prishtinë më 13 shtator, pasi zhvilloi një takim dyorësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.

    “Nuk do të thosha që viti tjetër është vendimtar, por e kam thënë më shumë se një herë se e kemi këtë dritare mundësie që do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe amerikane më 2024. Mendoj që është përgjegjësia jonë që të mos e shpërdorojmë këtë mundësi”, tha Lajçak, kur u pyet nëse vitin e ardhshëm Kosova dhe Serbia do të mund të arrijnë ndonjë marrëveshje.

    Diplomati evropian tha se me Kurtin ka biseduar për çështjen e çuarjes përpara të normalizimit, për targat dhe energjinë.

    Ai tha se në takimin me Kurtin ka biseduar edhe për “diskutimet që ne kemi nisur së fundmi”, që sipas tij kanë vazhduar përmes ndërhyrjes së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe bisedës telefonike që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne kemi diskutuar për hapat e mëtejmë dhe pika e dytë në agjendë ishin çështjet aktuale, veçanërisht çështja e energjisë dhe e targave. Sepse, siç e dini, afati i fundit për targat e makinave është më 31 tetor dhe është shumë e rëndësishme për mua, dhe ne si BE dhe komunitet ndërkombëtar, të dimë se cilat janë planet dhe të shmangim ndonjë përshkallëzim të situatës. Kjo nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak.

    Më 1 shtator, në Kosovë ka nisur fushata e riregjistrimit të veturave me targa të lëshuara nga Serbia në targa RKS- Republika e Kosovës.

    Autoritetet në Kosovë thonë se targat që lëshohen nga Serbia janë ilegale, por deri më tani, interesimi i banorëve të Kosovës që përdorin këto vetura – kryesisht në veriun e banuar me shumicë serbe – ka qenë i ulët.

    Lajçak po ashtu tha se e ka informuar Kurtin për përfundimet e një takimi të mbajtur të hënën në Bruksel midis përfaqësuesve të sektorit të energjisë së Kosovës dhe Serbisë, lidhur me marrëveshjen për energjinë, që palët arritën më herët gjatë vitit.

    Ndërkaq, nga Zyra e Kurtit njoftuan se në takim është diskutuar për përgatitjet e takimit të radhës të dialogut në Bruksel.

    “Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke”, u tha në njoftim, ku u shtua se Kurti dhe Lajçak kanë biseduar po ashtu për “domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës”.

    I dërguari i bllokut evropian për dialogun, tha se do të vizitojë javën e ardhshme Beogradin, me të njëjtin qëllim dhe agjendë.

    Vizita e Lajçakut në Kosovë më 13 tetor perdhi në kohën kur mediat kanë raportuar se Franca dhe Gjermania, u kanë paraqitur Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

    Vuçiq deklaroi më 8 tetor se Parisi dhe Berlini kanë propozuar që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE.

    Ndërkaq, Kurti tha më 12 tetor se nuk ka propozim për marrëveshje finale.

    “Ka diskutime, ka opsione, ka teste e sprova, por nuk mund të them që ka diçka të ngurtësuar që do ta prezantonim në formë përfundimtare”, tha Kurti gjatë një konference për media në Prishtinë.

    Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë nuk kanë konfirmuar nëse ekziston një propozim i tillë, por krerët e këtyre dy shteteve, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, në shtator, përmes një letre të dërguar në shtator, kërkuan nga Kurti dhe Vuçiq të jenë të gatshëm për vendime të vështira në dialog.

    Përveç shteteve evropiane, që po tentojnë të shtyjnë përpara palët drejt një marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara po ashtu po kërkojnë që takimet të intensifikohen.

    Në këtë kuadër, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 11 tetor, tha se ka biseduar me Kurtin dhe Vuçiqin për nevojën e “intensifikimit të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër të saj”.

    Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto dy shtete, megjithatë kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Beorgadi kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Skriningu duhet të shkoj paralelisht me reformat”

    Lajmi i rradhës

    Barcelona do të humbasë mbi 21 milionë euro nëse eliminohet nga grupet e Ligës së Kampionëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë