Largimet nga Besa, Kasami: Çdo kush e ka të drejtën të futet dhe të largohet nga partia

    Të paktën katër aktivistë dhe kryetarë degësh gjatë ditëve të fundit njoftuan largimin nga strukturat e Lëvizjes Besa e cila është në përgatitje e sipër të kongresit të saj të ardhshëm për më 5 mars.

    Kreu i kësaj partie Bilall Kasami, deklaroi se partia është e hapur për prurje të reja, ashtu siç bëri ditë më parë me inkuadrimin në radhët e saj të Fatmir Limanit. Sigurisht, tha ai, në këtë proces do të ketë edhe largime.

    “Sigurisht që ne jemi të hapur për prurje të reja dhe ata u publikuan edhe në opinion dhe ky proces do të vazhdojë. Por, sigurisht, kur e hap derën për prurje të reja, dikush që e ndjen veten të rrezikuar dhe nuk e sheh vetën më tej në pozita të cilat i ka pasur më herët, edhe do të largohet. Pra, partitë politike janë subjekte tek të cilat çdokush ka të drejtën të futet dhe të largohet në momentin kur e vlerëson se nuk e ka vendin aty”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

    Po në mars, edhe Aleanca për Shqiptarët e ka Kongresin e saj. Opinioni në këtë rast është i interesuar nëse kreu aktual Ziadin Sela do të kandidojë dhe do të marrë edhe një mandat tjetër për pozitën e kreut të partisë. Nga Aleanca për Shqiptarët mohojnë që Sela të ketë paralajmëruar se nuk do të rikandidojë.

    “Zërat që qarkullojnë nëpër opinion nuk kanë të bëjnë me të vërtetën, nuk i kanë burimet në Aleancën për Shqiptarët, kështu që mbeten në sferën e spekulimeve. Në Aleancën për Shqiptarët nuk ka as prerogative, nuk ka as fetishizime. Për ne është i rëndësishëm procesi. Besoj se deri më tani nuk është diskutuar dhe as në periudhën e ardhshme të afërt nuk do të diskutohet për zgjedhjet individuale për shkak se ajo i takon procesit”, tha Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

    Po të njëjtat zëra që thonë se Sela mund të mos rikandidohet, thonë se sekretari i përgjithshëm i partisë Arben Taravari mund të ketë pretendime të tilla. Taravari konfirmon se nuk do të jetë kundërkandidat i Selës.

    “Në parim unë mendoj se z. Sela duhet të vazhdojë por jemi duke diskutuar kryesisht me z. Sela se si e ka planin ai më tutje. Në qoftë se ai nuk kandidon, edhe mund të shqyrtohet ajo, në qoftë se ai kandidon, as që diskutohet. Unë 100% nuk i dal kundërkandidat z. Selës”, u shpreh Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.

    Deri më 15 shkurt është periudha e anëtarësimeve të reja në Aleancën për Shqiptarët kurse më 27 mars është kongresi i partisë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nesër fillon mësimi me prezencë fizike, protokollet mbeten në fuqi

    Lajmi i rradhës

    Kompletohet ekipi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, konfirmoi Sali

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë