Largimi i shqiptarëve | Analiza e RCC: Prirja më e lartë në rajon për emigrim

    Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal analizoi rezultatet e anketës së Barometrit të Sigurisë për vitin 2023.

    Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, sidomos Shqipëria duhet të alarmohet nga potencialet e larta të popullatës që kërkon të emigrojë në mënyrë të përhershme, rekomandon ky këshill, pasi rezultatet e anketimeve nga maji në qershor i këtij viti treguan se 18% e shqiptarëve kanë gati valixhet për të ikur jashtë.

    Shifra konsiderohet më e larta në Ballkan, e personave që duan të emigrojnë. Raporti tregon se Shqipëria ende ka potencial të lartë të largimit nga vendi sidomos për të rinjtë e arsimuar.

    Anketa që u zhvillua në rreth 6000 persona në Ballkan tregoi se, 31 për qind e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi. Por më rëndësishmja është se, 18 për qind e tyre tashmë kanë plane dhe kanë gjetur mënyrat për të ikur. Rezultatet tregojnë se emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në të vendet e tjera pasi, në një përqindje më të madhe shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht por përgjithmonë.

    Nga pjesa e shqiptarëve që kanë shprehur dakord për të ikur, pothuajse 44 % duan të emigrojnë në mënyrë të përhershme, niveli më i lartë në rajon. Ata që synojnë të largohen vijnë më shumë nga grupmoshat aktiv për punë 18-44 vjeç, ndërsa ata që nuk duan të largohen janë mbi 45 vjeç.

    Analiza e RCC tregon se një prirje e tillë padyshim do të thellojë krizën demografike, për shkak të një kombinimi të rrezikshëm të migrimit të vazhdueshëm dhe plakjes së popullsisë. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Tre profesionet më të kërkuara në Kroaci

    Lajmi i rradhës

    Rrugët e reja (të vjetra) shqiptare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë